Ndonëse kanë kaluar 3 ditë nga vrasja e Klodian Rashës, policia dhe prokuroria ende nuk kanë dalë në një konkluzion përfundimtar se kujt i përket arma e sekuestruar. Arma është gjetur në një pellg uji, ku janë fshirë gjurmët e gishtave, duke e bërë të paidentifikueshme.
Arma tip pistoletë që dyshohet se është poseduar nga Klodian Rasha, i cili mbeti i vdekur në vend gjatë ndjekjes nga efektivi i policisë, N.H, nuk mund të identifikohet për këtë arsye. Pistoleta është gjendur e hedhur në një pellg uji, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganava, duke e bërë të pamundur gjetjen e gjurmëve të gishtave, por dhe faktorëve plotësues të qitjes, shkruan ‘shqiptarja.com’.
Gjithsesi, kjo armë e sekuestruar nga polici me inicialet F.A, është çuar për ekzaminim të gjurmëve të gishtave. Pistoleta është gjetur disa minuta pas ngjarjes, nga punonjësi i policisë me inicialet F.A. Arma është zbuluar pas krehjes së zonës që ka bërë policia, duke verifikuar çdo metër ku kishte kaluar Klodian Rasha.
Sipas dokumentacionit, pistoleta është gjendur brenda një pellgu me ujë, dhe gjetja e saj është kryer vetëm pasi është kontrolluar me këmbë dhe elektrik dore, sipërfaqja e ujit. Prania e armës në uj, e bën të pamundur të nxiret një konkluzion i saktë deri në këto momente, duke mbuluar me mister enigmën nëse arma pistoletë e gjetur i përkiste ose jo viktimës Klodian Rasha, që mbeti i vrarë në vend në mëngjesin e datës 8 dhjetor 2020, vetëm 70 metra larg banesës së tij.
Dje Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen pas vrasjes së të riut Klodian Rasha nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Lleshaj teksa lajmëroi dorëheqjen, shprehu keqardhjen për mbylljen e angazhimit në krye të Ministrisë së Brendshme me një brengë për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri.