Nga: Preç Zogaj
Mbështetësit, lajmëtarët dhe predikuesit optimistë të ndryshimeve që pritet të sjellë në Shqipëri reforma në drejtësi – dhe këtu e përfshin veten e tij edhe autori i këtyre radhëve – kanë gabuar kësaj vere në parashikimin e afateve që kanë dhënë në lidhje me ngritjen e SPAK-ut dhe plotësimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk flas për hamendje në formë bastesh apo falli. Flas për afate të përafërta të bazuara pikësëpari në vetë raportet dhe komunikimet e organeve zyrtare të drejtësisë së re, siç janë KLP-ja, KED-ja e ndonjë tjetër. Në qershor të këtij viti kishte një siguri, relative sigurisht, se SPAK do të ngrihej brenda muajit shtator.
Po përmend këtu afatin më të largët, sepse kishte ndërkaq versione zyrtare e gjysmëzyrtare që e afronin edhe më shumë këtë datë historike. Po kështu kishte optimizëm se Gjykata Kushtetuese, mungesa e së cilës ka ushqyer fuqishëm përplasjet dhe krizën politike në vend, do të bëhej funksionale brenda shtatorit gjithashtu. Shumë ithtarë të reformës besonin se këtë vjeshtë do të fillonin në aulën e drejtësisë goditjet e para ligjore kundër të paprekshmëve të përfshirë në afera korruptive apo në veprimtari të tjera keqbërëse në dëm të vendit. Edhe kjo mbeti një ëndërr vere. E kësaj vere më saktë. Sepse askush nuk duhet ta verë në dyshim se dita e gjykimit për korrupsionin e lartë po afron. SHBA dhe BE ia kanë premtuar këtë popullit shqiptar dhe do ta mbajnë fjalën sikurse kanë bërë me premtime edhe më të mëdha.
Ngjarjet reale ecin gjithnjë paksa më ngadalë se dëshirat e mira. Dalin gjithnjë pengesa të kapërcyeshme, lidhen kurdoherë nyje të vogla që marrin kohën e tyre për t’u kapërcyer e zgjidhur. Vetë organet e drejtësisë, përgjatë ngritjes së tyre marrin fiziologjikisht një kohë që nuk përkon kurdoherë me parashikimet dhe përllogaritjet në zyra. Nga kjo pikëpamje blofet me afatet mediatike apo edhe institucionale, ndonjëherë nuk se ngrenë alarme të mëdha në këtë fazë. Rëndësi ka që procesi është i pakthyeshëm dhe po shkon përpara në binarët e ligjshmërisë.
Kjo nuk justifikon aspak zvarritjet dhe ngadalësinë. Aq më pak sabotimin e heshtur duke u fshehur pas delikatesave të procesit. Praktikisht, kur shohim kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave, shtatë prej të cilave lidhen direkt me ngritjen dhe fillimin nga puna të organeve të drejtësisë së re dhe kur kujtojmë se ajo listë kushtesh është thjesht një listë vonesash që u jep jep municion vendeve që nuk janë gati të na thonë “po” siç është Holanda, apo janë kundër politikave të zgjerimit në përgjithësi siç është Franca, atëherë e vajtojmë dyfish kohën e humbur dhe bëhemi më mënyrë të arsyeshme dyshues, jo vetëm për vonesat e vjetra, por edhe për këto të rejat. E kemi thënë disa herë se ngritja e organeve të drejtësisë së re ka qenë një garë me kohën.
Në raport me takimin e parashikuar të pas pak ditëve kur BE do të vendosë për negociatat, këtë garë e ka fituar statusquo-ja, pavarësisht se vetingu ka funksionuar dhe KLP e KED janë në punë. Por për faktin se SPAK, Gjykata Speciale, BKH, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm janë ende në kantier rezultati i garës që përmendëm anon akoma nga stutusquo-ja e vjetër. Vendet skeptike të BE-së janë në të drejtën e tyre të përdorin lupën e madhe, të dyshojnë dhe t’i trajtojnë arritjet tona në proces si një levë kushtesh për t’i përfunduar. Kështu i do mushka drutë, siç thotë populli. Gjermania nuk e shtron fare të hyjë në kokën e politikanëve dhe zyrtarëve të drejtësisë së re në Shqipëri për të kuptuar se çfarë kanë ata në mendje, ku duan të dalin.
Përfundojeni këto dhe le të vazhdojmë së bashku, – kjo është përgjigja më e mirë.
Faktet nuk gënjejnë. Kjo i bën mirë Shqipërisë. Nuk përjashtohet mundësia që vonesat tona përdoren edhe si alibi nga dy-tre vende për të na thënë “Jo” për arsye të tjera.
Nuk përjashtohet as çfarë dëgjohet në disa mjedise publike sikur BE ka një vend të ngarkuar me punë për t’i thënë “ jo” Shqipërisë- çfarë unë nuk e besoj- dhe kaq mjafton që Shqipëria të mos kalojë. Sido që të jetë, me vonesat e saj Shqipëria u del në shteg atyre që hezitojnë apo nuk na duan.
Ne nuk e gjejmë dot të vërtetën në këtë sferë. Dhe s’kemi përse humbasim kohë ta kërkojmë as me ushtrime logjike, as me teori konspirative. Se nuk na vlen gjë edhe po e gjetëm. Ajo që na vlen është ajo që kemi vetë në dorë: të mos lëmë shkas për të na mbajtur pezull, apo prapa derës. Vonesat akuzojnë drejtuesit politikë kryesorë në radhë të parë. Ka që kanë hedhur gurin. Ka që kanë fshehur dorën. Rezultati është ky që kemi tani.
Ngritja sa më shpejt e organeve të drejtësisë së re nuk na duhet thjesht për negociatat. Na duhet në radhë të parë për ato qëllime për të cilat u konceptua, u miratua dhe pritet të funksionojë reforma në drejtësi.
Na duhet për vendosjen e ligjshmërisë dhe shtetit të së drejtës, në themel të funksionimit të demokracisë. “Thyerja” e parashikimeve për një fillim të SPAK-it dhe Gjykatës Kushtetuese në shtator dhe tetor, lë një shije të keqe kur shohim se ka një paqartësi në rritje në lidhje me afatet e reja, se kur do të përfundojë ngritja e tyre.
Nuk mjafton që dolën blof afatet e qershorit dhe për ketë përdorëm me lart një seri shpjegimesh e justifikimesh, por tani nuk po ka fare afate të reja. A thua se proceset janë kaq të paparashikuara dhe kaq në fije të perit dhe kaq vulnerabël sa mund të ngecin për gjënë me të vogël. Truku është, por nuk shihet, thotë një shprehje italiane. Ka një problem tani. Mungojnë shpjegimet e qarta përse nuk është mbajtur premtimi për kalimin me përparësi të vetingut të pesëmbëdhjetë kandidatëve për anëtarë të SPAKU-t të seleksionuar nga KLP.
Një gjë e ngjashme mund të thuhet për Gjykatën Kushtetuese, ngritja e së cilës është emergjencë. Perceptimi se luhen lojëra dhe përdoren marifete për të lënë jashtë kandidatë të njohur për integritetin e tyre profesional, por pa mbështetje politike, nuk është imagjinar. Në këtë mënyrë arrihen dy qëllime: edhe procesi zvarritet, edhe kandidatët që nuk japin siguri apo nuk gëzojnë simpati në kupolën e pushtetit mënjanohen. Numri në limite i kandidatëve të seleksionuar dhe fakti se sistemi i ri i drejtësisë është konceptuar dhe funksionon si një korporatë e mbyllur për politikën, por politikanët mund të ndikojnë në vendimarrjet brenda korporatës me tarafet e tyre, pra e gjithë kjo i mundëson për momentin lojërat dinake alla shqiptare.
Pa renë në pozitat e dyshimeve për dyshime, por thjesht duke regjistruar faktin e vonesave të dëmshme mund të themi se vonesat tani e tutje mund të vijnë vetëm nga vetë sistemi, nga vetë KED, nga vetë KLP, nga vetë organet e vetingut që kanë bërë e vijojnë të bëjnë një punë voluminoze, por kjo është puna e tyre së cilës i kanë dalë zot.
Askush nuk duhet të harrojë se procesi vetëm mund të vonohet, por nuk mund të ndalet, as të tjetërsohet. OMN, përfaqësuesit e SHBA dhe BE e monitorojnë dhe e shtyjnë përpara gjatë gjithë kohës këtë proces.