Në një prononcim për mediat, Voltana Ademi i mëshoi fort faktit se do të vijojë të jetë kryetare Bashkie, derisa qytetarëve t’u ofrohet mundësia për të zgjedhur në një garë të vërtetë elektorale. Kryebashkiakja e Shkodrës në detyrë, Voltana Ademi, ka reaguar për bllokimin e buxhetit të bashkisë nga Ministria e Financave. Ademi e cilëson këtë veprim si të paprecedentë, të qëllimshëm dhe politik. Ajo thekson se do të qëndrojë në detyrë, deri kur të ketë zgjedhje të lira.
“Ne operojmë me fondet e familjes sonë, të banorëve të Shkodrës, si një familje e madhe. E vetmja bashki në Shqipëri që mbahet me atë se çfarë banorët e Shkodrës kontribuojmë përmes taksave dhe tarifave vendore.
Bllokimi për një ditë nuk i bën asgjë Shkodrës. Është një çështje që do të shqyrtohet shpejt nga Ministria e Financave, dhe maksimumi ajo mund të pengojë biznesin për përfitimet që duhet të marrin, por edhe banorët për shërbimet që duhet të marrin.
Veprimi është i paprecedentë, është politik në atë që kam lexuar nuk mund ta imagjinoj që një nëpunës civil të shprehet për mandate politike lidhur me një bashki. Është një tagër që nuk i takon. Është përgjegjësi institucionale dhe individuale, në atë që ata kanë shkruar me e-mail me bashkinë e Shkodrës. Nuk ka komunikim zyrtar, është e pamoralshme”.
A do ta lironi zyrën për mbledhjen e këshillit bashkiak, i cili u konstituua?
“Unë jam kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, kur them që duhet t’i jepet mundësia për zgjedhje, duhet të jetë mundësi për alternativa zgjedhjesh.
Legjitimiteti i këshillit bashkiak nuk e vendos kryetari i Bashkisë, reagimi qytetar ka qenë. Do ja lëmë qytetarëve të vendosin në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë.
Bashkia e Shkodrës në asnjë rast nuk do të veprojë kundër ligjit. Kjo periudhë është periudhë tranzitore. Duhet të shkojnë me doemos në zgjedhje”, tha Ademi.