Shqipëria pranoi kërkesën nga SHBA-ja për strehimin e afganëve, ku lajmin e konfirmoi kryeministri Edi Rama. Një grup i parë prej 250 afganësh pritet të mbërrijë në Shqipëri brenda kësaj jave, deklaroi “Zëri i Amerikës”. Afganët do të transferohen së bashku me familjet e tyre, por jo çdo person do të lejohet të strehohet në Shqipëri, pasi sipas marrëveshjes është specifikuar që do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të aleancës NATO-SHBA, ose gra aktiviste dhe intelektuale siç e deklaroi edhe Rama. Grupi i parë përbëhet kryesisht nga përkthyes dhe bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshëm të strukturave amerikane në Afganistan. Operacioni në vendin tonë po koordinohet nga Ministria për Punët e Jashtme dhe Ambasada Amerikane.
Mbi 330 afganë sot në Shqipëri
Vendi ynë ka bërë përgatitjet për të pritur sot mbi 300 afganë. Afganët parashikohet të ndahen në disa grupe, duke u strehuar në struktura të veçanta, e ndërsa lidhur me akomodimin e tyre dhe organizimin do të kujdeset një prej anëtarëve të kabinetit Rama. Bëhet e ditur se vendet ku ata do të strehohen janë Tirana dhe Durrësi. Autoritetet shqiptare janë duke parë si mundësi strehimi disa hotele në qytetin e Durrësit. Ndërsa sa i përket Tiranës, afganët pritet të akomodohen në “Qytet Studenti”, përkatësisht në konviktet studentore, ku studentëve iu është kërkuar të largohen prej tyre. Një pjesë e madhe e afganëve do të qëndrojnë përkohësisht në këto godina, ose në konviktet e tjera në kryeqytet.
Në total pritet të strehohen të paktën 2 mijë afganë
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se të paktën 2 mijë afganë do të strehohen përkohësisht mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Shqipëria po përgatitet për të pasur në gadishmëri kapacitete për 1500 emigrantë. Më herët, kryeministri Rama u shpreh se vendi ynë do të shërbejë si tranzit për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, të cilët destinacion final kanë SHBA-në.
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetet sociale konfirmoi lajmin, duke u shprehur se padiskutim që nuk do t’i thoshte jo kësaj kërkese, sepse nuk mund t’u përplasë dyert atyre që kërkojnë mbrojtje.
Edhe Kosova i hapi dyert ardhjes së afganëve. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Kosova kishte pranuar ardhjen e tyre pa asnjë hezitim, si dhe deklaroi se procedurat për strehim kishin nisur.