Ndryshimet kushtetuese të Reformës në Drejtësi u miratuan në 21-22 Korrik 2016, me 140 vota unanime të Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë që përzgjidhen nga kandidatët e verifikuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe të renditur në tri vendet e para të listës nga ky organ sipas ligjit.
Pasi Këshilli Emërimeve në Drejtësi (KED), bën vlerësimin, renditjen dhe listimin e kandidatëve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, zgjidhen apo emërohen nga lista e hartuar nga KED, ku :
– tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës;
– tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, dhe
– tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë.
Pra, nëse Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), bllokohet dhe nuk funksionon, atëherë dhe vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të plotësohen, pasi nuk ka se kush t’i plotësojë.
Si zgjidhet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe përsa kohë funksionon ai?
Sipas Kushtetutës (neni 149/d), KED përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.
Ata ushtrojnë detyrën si anëtar të KED-së me mandat 1 (një) vjeçar.
Anëtarët e KED, përzgjidhen me short të organizuar ose nga Presidenti i Republikës ose nga Kuvendi i Shqipërisë.
Pas miratimit të ndryshimeve Kushtetutese, Kuvendi ka zgjedhur me short vit pas viti 3 (tre) Këshilla të Emërimeve në Drejtësi, për të funksionuar përgjatë viteve 2017, 2018, 2019.
Fakt është që dy Këshillat e zgjedhur për të punuar përgjatë viteve 2017 dhe 2018, nuk kanë funksionuar, pasi janë bllokuar qëllimisht.
Lind pyetja përse nuk kanë funksionuar dy Këshillat (KED), përgjatë viteve 2017-2018 ?
Kush e bllokoi funksionimin e KED?
Kujt i interesonte që KED të mos funksionojë dhe rrjedhimisht të mos plotësohej edhe numri i nevojshëm i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
Kuvendi në datë 27 janar 2017, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, organizoi shortin në mënyrën më transparente dhe përzgjodhi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
Procesi i organizimit dhe zhvillimit të shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së u drejtua në mënyrën më profesionale dhe në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit nga zj.Albana Shtylla, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, e cila përgjatë gjithë procesit ka bashkëpunuar me institucionet respektive që përcollën kandidaturat dhe është konsultuar në mënyrë të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtare përfaqësues të EURALIUS dhe OPDAT.
Ky ishte momenti i parë kyç për ngritjen e institucioneve të reja, pas ndryshimeve kushtetuese.
Asnjë gjyqtar dhe asnjë prokuror nuk kontestoi përmbajtjen e listave të kandidatëve të përfshirë në short, lista këto të dërguara nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe të shpallura prej tyre. Asnjë gjyqtar apo prokuror nuk kundërshtoi rezultatet e shortit të hedhur për zgjedhjen e KED.
Fakt është se ky Këshill, nuk u mblodh asnjëherë dhe mandati i tij përfundoi më datë 31.12.2017, pa kryer asnjë mbledhje të vetme.
Nëse dikush nuk e di pse-në e kësaj gjendje, po e sqarojmë.
Kryeministri Rama 4 (katër) ditë pas hedhjes së shortit doli hapur dhe publikisht për t’u shprehur se nuk i pëlqenin emrat e anëtarëve të KED-së.
Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting.
Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre.
Ja çka thënë KM Rama: Burimi: Top Channel datë 31 Janar 2017.
http://top-channel.tv/…/rama-kunder-ked-gjysma-ikin-nga-ve…/
Për herë të parë Kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilët u zgjodhën vetëm pak ditë më parë përmes një shorti të hedhur në Kryesinë e Kuvendit. Deklarata e Kryeministrit Rama:
“Kjo drejtësi e korruptuar që të kujton atë shprehjen e vjetër që jep shpirt por nuk heq dorë, siç u pa edhe nga ai shorti që u hodh aty, ku gjysma e atyre janë për të shkuar në shtëpi sapo të fillojë ligji i vettingut , nuk i jep mundësi ekonomisë të marri frymë lirisht”.
Përse Kryeministri sulmoi institucionin e parë të Reformës në Drejtësi (KED)?!
Përgjigjet janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar:
– Sepse anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emrat e të cilëve dolën nga shorti i zhvilluar në mënyrën më transparente në 27 janar 2017 nuk i përgjigjeshin interesave dhe shijeve të Kryeministrit.
– Sepse nëse KED 2017 do të funksiononte, Gjykata Kushtetuese do të ishte plotësuar dhe do të ishte gjithmonë funksionale për të kontrolluar veprimtarinë dhe vendimet e Kryeministrit, Qeverisë, Kuvendit dhe gjithë institucioneve të tjera.
Kryeministri e bllokoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 1 vit rresht përgjatë gjithë vitit 2017.
Ai me presionin e ushtruar i detyroi të jepnin dorëheqjen, apo shkarkoi shumicën e anëtarëve të KED, siç e kishte premtuar dhe kërcënuar publikisht.
Ndërkohë zbrazja e Gjykatës Kushtetuese ishte projektuar dhe kishte filluar të zbatohej.
Në ndihmë të këtij projekti, ai përdori duke e keqinformuar dhe ambasadorin e nderuar të SHBA në atë kohë.
Në datë 2 shkurt 2017, pra 6-ditë pas hedhjes së shortit ambasadori do të deklaronte publikisht ndër të tjera se:
“Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione. Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste. Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vetingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vetingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vetingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vetingut”.
Burimi, faqja zyrtare e ambasadës së SHBA në Tiranë: https://al.usembassy.gov/…/fjala-e-ambasadorit-lu-ne-konfe…/
Por qëndrimi i ambasadorit ishte tërësisht gabim, pasi siç e pranoi ai vetë më vonë, ishte keqinformuar nga përfaqësues të Partisë Socialiste.
Të gjitha pretendimet e ambasadorit u verifikuan një për një dhe rezultoi se Prokuroria e Përgjithshme në rastin konkret kishte zbatuar në mënyrën më korrekte kërkesat e Kushtetutës dhe të nenit 221 të ligjit nr.115/2016.
Pasi u njoh me rezultatin e verifikimit, ambasadori i kërkoi ndjesë Kryetarit të Kuvendit duke u justifikuar se e kishin keqinformuar përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Po a mund të mblidhej dhe të funksiononte më kjo KED, pas këtyre deklaratave publike të Kryeministrit Rama dhe Ambasadorit Amerikan?!
Kështu u bllokua 1 (një) vit rresht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Në 3 nëntor 2017, si President i Republikës nisur nga kjo situatë e paprecedent dhe historia e hidhur e krijuar nga zgjedhja dhe mosfunksionimi i KED-së një vit më parë, për të mos rrezikuar zgjedhjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që do të funksiononte në vitin 2018, i kërkova me shkresë nr.2605 prot, datë 03.11.2017, takim Ambasadores së BE-së, znj.Romana Vlahutin për të disktuar mbi këto 3 çështje:
- Funksionimin e Këshillit të Përkohshëm të Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe procesin e zgjedhjes së Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksionojë përgjatë vitit 2018;
2. Nisjen e proçedurave me qëllim plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese;
3. Çështje të tjera të lidhura më to.
Pas realizimit të këtij takimi Presidenti i Republikës mori të gjitha garancitë prej Zj.Vlahutin dhe misionit EURALIUS 4, se ky mision do të asistonte në zhvillimin e një tryeze konsultative në datat 9 – 10 nëntor 2017 me prezencën e gjithë aktorëve të interesuar.
Në këtë tryezë do të diskutohej mbi problematikat e deritanishme dhe rolit të secilit institucion në procesin e paraqitjes së kandidaturave për zgjedhjen me short dhe ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që do të funksiononte për vitin 2018.
Në këtë tryezë u parashikua të merrnin pjesë institucionet si, Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, drejtues të Misionit EURALIUS, përfaqësues të misioneve OPDAT, USAID, ONM, përfaqësues nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse.
Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit.
Presidenti i gjendur në këto kushte, në një situatë “ekstra ligjore”, që ishte krijuar edhe nga moskrijimi në kohë i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në zbatim të Kushtetutës me shkresë të datës 10.11.2017, iu drejtua mënjeherë Kuvendit të Shqipërisë, duke i bërë të qartë situatën “ekstra ligjore” të këtij procesi dhe duke i kërkuar Kuvendit realizimin e procesit të hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe zgjidhjen e plotë të çështjes sipas frymës së Kushtetutës.
Në datë 7 dhjetor 2017 Kuvendi hodhi përsëri shortin dhe zgjodhi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që do funksiononte përgjatë vitit 2018. Sërish u shfaqën të njëjtat problematika me listat.
Edhe emrat, që dolën nga ky short, sërish nuk i pëlqyen Ramaformës.
Presidenti i Republikës, në shkurt 2018 i kërkoi përsëri zyrtarisht KED-së që të mblidhej dhe të shqyrtonte me precedencë të gjitha kandidaturat e paraqitura për plotësimin e të gjitha vakancave të shfaqura në Gjykatën Kushtetuese.
A u mblodh Këshilli, do të pyesni ju?
Këshilli u mblodh vetëm një herë në 19 mars 2018, ku zhvilloi mbledhjen e tij të parë dhe të vetme, pasi KED nuk është mbledhur më asnjëherë.
A e dini pse?
Ndërkohë që, Presidenti i Republikës në shkurt 2018 i kërkonte KED-së që të mblidhej dhe të funksiononte për të ushtruar funksionet kushtetuese, Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë Ulsi Manja në datë 5 Mars 2018 doli në media dhe i bënte thirrje publike anëtarëve të KED-së se duhet të kalojnë vetting-un, përpara se të fillojnë nga puna për të bërë filtrin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.
Ky Ulsi, që në dhjetor 2017 zgjodhi në kundërshtim me Kushtetutën dhe pa asnjë lloj vettingu Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, 3-muaj më vonë, në 5 mars 2018, kërcënonte anëtarët e KED-së, me vetting.
Përse Kreu i Komisionit të Ligjeve lejoi këto shkelje të Kushtetutës, që PPP-ja e zgjedhur prej tij me 69-vota, të funksiononte për 8 muaj pa kryer vettingun, ndërkohë që ai me deklarimet e tij po pengonte funksionimin e KED-së, po me të njëjtin shkak vetting-u?!
Ulsiu në datë 19 mars 2018, shkoi dhe u paraqit në mbledhjen e parë dhe të vetme të KED-së dhe i shantazhoi drejtpërdrejtë anëtarët e këtij organi pa ju dridhur qerpiku.
Ai (Ulsiu) debatoi me ta dhe i përsëriti të njëjtin kërcënim se KED mund të mblidhet për veprimtari administrative, por jo për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Ai (Ulsiu) e dinte fare mirë se ajo që po bënte ishte një krim kushtetues.
Për t’i shpëtuar përgjegjësisë ligjore dhe politike me djallëzi, Ulsiu po i kërcënonte anëtarët e KED me një dispozitë tranzitore të Kushtetutës (neni 179, pika 11), që duhej të ishte zbatuar 2-vjet më parë dhe jo në kohën kur Ulsiu po e kërkonte.
Ulsiu e shantazhoi KED dhe ia arriti sepse ky organ pas datës 19 mars 2018, nuk u mblodh më asnjëherë.
Kështu u bllokua edhe me 1 (një) vit tjetër Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Kjo është mënyra se si Ramaforma shantazhoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për 2 vite me radhë, 2017 dhe 2018, dhe bllokoi emërimin e gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë që, vettingu zbraste totalisht Gjykatën Kushtetuese, Ramaforma bllokoi Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për të mos lejuar plotësimin e vendeve vakante.
Nëse KED do të kishte funksionuar normalisht për këto dy vjet, 2017 dhe 2018, sot gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale dhe vakancat do të ishin plotësuar një e nga një, sipas momentit kur këto vakanca u shfaqën.
Po kujt i interesonte mosfunksionimi i Gjykatës Kushteteuese?
Opozitës?
Presidentit?
Qytetarëve dhe grupeve të interesit që mbrojnë të drejtat e tyre kushtetuese nga një vendim i padrejtë i qeverisë dhe Kuvendit?
Ramaforma nuk e donte Gjykatën Kushtetuese funksionale, sepse vetëm kështu nuk kishte se kush t’i kontrollonte vendimmarrjet antikushtetuese që ai realizoi me:
– Ligjin antikushtetues për “Shembjen e Teatrit Kombëtar”;
– Ligjin antikushtetues nr.94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar” (me të cilin iu falën tatimet mbi fitimet me efekt prapaveprues shoqërive të lidhura me qeverinë në kundërshtim të hapur me nenin 155 të Kushtetutës)
– Ligjin antikushtetues nr.111/2018 “Për Kadastrën”;
– Ligjin antikushtetues nr.39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, me të cilin u favorizuan nga ana fiskale bizneset e lojrave të fatit, përpara se ato të mbylleshin.
– Të gjitha Kontratat Koncesionare Antikushtetuese të PPP-ve të miratuara nga Qeveria;
– Të gjitha Vendimet e Këshillit të Ministrave, të marra në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me interesat e shtetasve shqiptarë;
Pa Gjykatë Kushtetuese, nuk kishte ku të ankohej as Opozita, as Presidenti, as grupet e interesit dhe as qytetarët për çdo shkelje kushtetuese të qeverisë dhe kuvendit;
Pa Gjykatë Kushtetuese dhe me një PPP të zgjedhur në mënyrë antikushtetuese, mbretëria Ramaformë, do të ishte e pagjykueshme, e pakontrollueshme dhe e pahetueshme nga askush.
Një tjetër guinness i ri shqiptar, 16 muaj (Prill 2018 – Korrik 2019) Republika e Shqipërisë një shtet demokratik i së drejtës është pa Gjykatë Kushtetuese funksionale!!!!!
Ndërkohë që kanë kaluar 3 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, jo vetëm nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, por as Gjykatë të Lartë funksionale dhe as Inspektor të Lartë të Drejtësisë.
Kjo është Ramaforma dhe jo Reforma, që u votua me konsensus historik maksimal tre vite më parë dhe që e mbështesnin mbi 90 % e shqiptarëve.
Kështu Ramaforma “përmbyti” edhe të gjithë atë punë të vyer të Komisionit të Venecias dhe ndihmën që na dha ky institucion prestigjoz gjatë hartimit dhe miratimit të reformës në drejtësi me shqetësim kryesor garantimin e moskapjes politike të institucioneve të Drejtësisë së Re.
Për një sqarim bashkëlidhur gjeni:
Një prej shumë komunikimeve zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës me partnerët ndërkombëtarë, për të kuptuar se kush kishte vullnet për të mos e lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen ku ndodhemi prej 16 muajsh.
Po kështu për ilustrim ndiqni dy videot se si Kryeministri dhe Kryetari i Komisionit të Ligjeve, ushtruan presion dhe bllokuan funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe rrjedhimisht edhe plotësimin e Gjykatës Kushtetuese për dy vite rresht.
16.07.2019
VIJON…..