Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia, duke u referuar te një shkresë e Ministrisë së Shëndetësisë, akuzon se vetëm 90 persona në muaj kanë të drejtë të kenë ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Durrësit.
Përmes një postimi në Facebook, Spahia e cilëson si një çmenduri këtë shkresë, teksa shton se ajo buron nga koncesioni korruptiv i sterilizimit të instrumenteve mjekësorë.
“Vetëm 90 persona në muaj kanë të drejtë të kenë ndërhyrje kirurgjikale, sipas kësaj shkrese të ministrisë së shëndetësisë, ndërsa vetëm 65 të tjerë mund të planifikohen! Kjo çmenduri logjike në fakt e ka burimin tek koncesioni korruptiv i sterilizimit të instrumenteve mjekësorë. E kam denoncuar që në fillim, koston e koncesionarit për sterilizimin e tre niveleve të seteve të veglave (seti i madh me mbi 50 instrumente me kosto rreth 200 euro, seti i mesëm me 40-50 instrumente me kosto rreth 150 euro dhe seti i vogël me 30-40 instrumente me kosto rreth 100 euro)”, shkruan ndër të tjera ish-deputeti.
Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu, e ka mohuar këtë gjë, duke u shprehur se nuk ka urdhër për reduktim operacionesh.
E pranishme në konferencën e 27 të Kirurgjisë shqiptare që po zhvillon punimet në Tiranë, Manastirlliu tha se vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti janë kryer më shumë se 47 mijë ndërhyrje kirurgjikale.
“Vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti janë kryer më shumë se 47 mijë ndërhyrje kirurgjikale me instrumentet e rinj dhe sterilizimin me standardet më të larta. Garantojmë qytetarët se shërbimi do të vijojë të jetë në nivelet më të larta, nuk ka urdhër për reduktim operacionesh, ka racionalizim, optimizim dhe siguri për qytetarët. Jemi të gjithë dëshmitarë, ju të parët për atë që padyshim mund të konsiderohet një moment kthese për kirurgjinë shqiptare – instrumentet njëpërdorimëshe dhe sterilizimi me metoda bashkëkohore. Më shumë se 194 mijë ndërhyrje kirurgjikale në 153 salla operacionesh të sterilizuara janë realizuar me standardet më të larta që prej fillimit të sterilizimit. Vetëm për 9 mujorin e 2019 janë kryer 47,241 ndërhyrje kirurgjikale”, tha Manastirliu.