Rrugët në Shqipëri u përgjakën mëngjesin e sotëm, ndërsa një familje humbi jetën tragjikisht teksa ishin duke shkuar për pushime. Familja Gushi e ardhur nga Greqia ku jetonin prej 20 vitesh aty, u aksidentuan rëndë duke humbur jetën në vend. Familja Gushi do i drejtohej Vlorës, ku ndodhej familja e Silvanës për të kaluar disa ditë pushime në qytetin bregdetar.
Eduart Gushi, Silvana Gushi, Anastasia Gushi dhe Eva Gushi, janë viktimat e së njëjtës familje që po udhëtonin me automjetin “Toyota”. Në spital janë shtruar për ndihmë mjekësore shtetasit I.M, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi, të cilit udhëtonin me automjetin “Audi” që përplasi nga mbrapa automjetin e familjes Gushi.
Përplasja ka qenë aq e fortë, sa makina “Toyota” është shkatërruar plotësisht. Për shkak të deformimit të madh të pësuar të “Toyotas”, prindërit dhe dy vajzat e mitura kanë mbetur të bllokuar brenda mjetit. Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses dhe përdorimi i gurit freksibël, për t’i nxjerrë ata.
Si ndodhi aksidenti me pasojë 4 të vdekur?
Të dy mjetet po udhëtonin nga Fieri drejt Vlorës, për të kaluar fundjavën në jug. Makina “Audi” ka goditur nga pas mjetin “Toyota”. Një makinën tip “Audi” me targa AA 107 XX e cila drejtohej nga disa të rinj, që po vinte nga Fieri, me shpejtësi që mendohet se ishte mbi 150 km në orë, dyshohet se ka goditur nga pas makinën tip “Toyota”, e cila nga përplasja ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në kanal.
Ndërkohë mjeti tip “Audi” është spostuar për disa metra, dhe më pas është përplasur me një shtyllë dhe ka dalë nga rruga. Ekspertiza do të përcaktojë shkaqet e aksidentit, ndërkohë që një tjetër shkak i aksidentit mund të jetë që makina “Toyota” të ketë ndërruar korsi dhe për pasojë është marrë para nga “Audi”, i cili vinte me shpejtësi shumë të lartë.
Mjeku flet për gjendjen e tre të rinjve të plagosur: Dy prej tyre do të nisen drejt Traumës
Mjeku Edmond Breshani, teksa ka folur për gjendjen shëndetësore të tre të plagosurve, tha se dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, dhe do të nisen drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar.
Mjeku pohoi se të tre janë të vetëdijshëm. Sakaq sa i përket 4 anëtarëve të familjes, mjeku u shpreh se ata kanë ndërruar jetë në vendngjarje, dhe janë dërguar në morgun e qytetit.
“Paraqitja e të plagosurve paraqitet stabël. Njëri prej pacientëve ka dëmtime më të mëdha. Pacienti tjetër ka një shembje të komplet trupit dhe njëri është më lehtë me gërvishtje në pjesë të trupit. Dy prej pacientëve do t’i dërgojmë tek Trauma në Tiranë, pasi kanë pësuar dëmtime. Janë të vetëdijshëm. Kanë shfaqje paniku që janë post traumatik. Viktimat kanë ndërruar jetë në vendngjarje, nuk janë paraqitur fare në spital”.
Viktimat, nga Patosi i Fierit
Katër viktimat e aksidentit të sotëm në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e njohur si “Kripë”, janë nga Patosi i Fierit. Familja u shua sot në aksin Fier-Vlorë, pranë fshatit Panaja, ose zonës së njohur si “Kripa”. Familja sapo kishte ardhur nga Greqia, dhe po shkonte me pushime, ndërsa çantat dhe valixhet që ndodheshin në makinën e tyre tip “Toyota” janë shpërndarë në rrugë.
Aksidenti tragjik në vendin e quajtur “Zona e Kripës” në hyrje të Vlorës, i mori jetën Eduart Gushit, 44 vjeç, bashkëshortes Silvana Gushi 33 vjeç dhe dy vajzave Anastasia Gushi 14 vjeç dhe Eva Gushi, 9 vjeç.
Çfarë njofton policia
“Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin ‘Toyota’, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe. Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin ‘Audi’, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia. /TIRANA TODAY