Pasditen e djeshme, Anton Keli u qëllua me breshëri arme, teksa dilte nga automjeti i tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:40. Pasi e kanë qëlluar, Keli ka shkruar në drejtim të një marketi, ku më pas ka humbur edhe ndjenjat.
Duke folur për “Abc news”, pronari i marketit ka treguar sesi 51-vjeçari shkoi në dyqanin e tij i plagosur me plumb, dhe atë se çfarë ndodhi më pas. Ai thotë se po rrinte tek dera e dyqanit në momentin që Antoni afrohet duke nxituar, dhe i tregon që është i plagosur.
Pronari i marketit shprehet se përpara se Keli të shkonte tek ai, nuk ka dëgjuar as krisma dhe as makina që të kalojnë.
“Po rrija te dera e dyqanit kur erdhi Antoni, me shpejtësi duke ec. I thashë si je, mirë tha jam plagos. Ku je plagos i them unë? Jam plagos te makina. Erdh aty, hyri në dyqan, u ul në një stol dhe unë shkova për ta parë se ku është plagos.
Në momentin që unë shkova për ta kap, për ta kontrollu në trup. Ra pa ndjenja në tokë që aty e mbrapa nuk ka fol më. Njoftova policinë pastaj, erdhi policia, njoftoi ambulancën e çoi te spitali. Nuk kam dëgjuar as zhurmë as krisma, as makina, nuk ka pasur lëvizje fare. Nuk ka fol asnjë fjalë, vetëm jam plagos te makina”.
Policia e Lezhës ka shoqëruar në komisariat disa persona, pas vrasjes së 51-vjeçarit Anton Keli pasditen e së martës në Rrëshen. Pavarësisht shoqërimeve të shumta, deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar.
Nga burime të policisë së Lezhës mësohet se nuk ka ende asnjë të dhënë konkrete rreth autorëve të vrasjes së Anton Kelit. 51-vjeçari u qëllua me armë nga persona të paidentifikuar në qytetin e Rrëshenit. Fillimisht mbeti i plagosur, por më pas ndërroi jetë në spital.
Anton Keli është i afërm i Tonin Gjinit, i njohur edhe me emrin Armando Gjini, i cili u ekzekutua më 12 gusht 2019 në qytetin e Rrëshenit. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, kur Tonin Gjini po priste në makinë bashkëshorten e tij. Një vit më vonë u tentua të vritet edhe vëllai i Tonin Gjinit. Preng Gjini mbeti i plagosur nga një shpërthim i fuqishëm me tritol që tronditi Tiranën më 15 shtator 2020. Preng Gjinit i ishte vendosur një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive poshtë makinës.