Bashkëshortja e Anton Zefit, Nazli Zefi tregon se vrasja e burrit të saj lidhet me gjakmarrjen. 34-vjeçari u ekzekutua me 6 plumba një javë më parë, vetëm 50 metra larg Rrugës së Kombit në Mirditë.
25-vjeçarja turke rrëfen të gjithë historinë e gjakmarrjes mes dy familjeve, duke e lidhur ngjarjen me vrasjen e Martin Ndrecës në shkurt të këtij viti nga vëllai i Antonit, Ndue Zefi. Ky i fundit e ekzekutoi Ndrecën në sy të fëmijës 10-vjeç.
Po ashtu, bashkëshortja e 34-vjeçarit, e cila 4 muaj më parë solli në jetë djalin, tregon se dikush e ka nxjerrë në pritë viktimën.
Deri më sot ende asnjë person nuk është vënë në pranga nga policia për vrasjen e tij.
“Burri im ka humbur jetën pa pasur asnjë faj. Fëmija im 4 muajsh rritet pa baba, ndërsa unë nuk di kush e ka vrarë. Gjysma e provave janë lënë në vendngjarje. Nuk arrij ta kuptoj se si gjakmarrja bëhet për njerëz të pafajshëm. Kam shkuar te vendi ku i ka dalë shpirti burrit tim për të vendosur lule dhe me qenë afër shpirtit të tij, por aty gjeta plumbat që ranë mbi trupin e Antonit. Burri im kishte boll frikë për gjakmarrje, çdo natë binte të flinte me mendime dhe me lot në sy. Ama, me e dërgu burrin tim deri atje në kanal ku nuk ka asnjë njeri dhe me ma humb, kjo nuk është gjakmarrje. Ai që ka bo gjakshkelurin nuk është burrë. Edhe Policia e ka lënë ekspertizën përgjysmë. Kunati im, Ndue Zefi, e ka vrarë Martin Ndrecën para njerëzve dhe është dorëzu në Polici duke pranu vrasjen. Kur ka ndodhur konflikti mes Ndue Zefit dhe Martin Ndrecës, Martini e ka marrë burrin tim në telefon sepse kanë qenë shokë. Por ne ishim në gjumë dhe asnjëri nuk e ka dëgju telefonin. Kur burri mori vesh çfarë kishte bërë i vëllai, u tërbua. Nuk iu besonte se kjo mund të ndodhte mes shokëve. Çdo natë më thoshte: ‘Është gjynah që Nduja ndodhet në burg dhe s’mundet me pa fëmijët e vet, por ma gjynah se Martini nuk ka. Martini s’mundet më kurrë me i marrë fëmijët e tij në krahë, s’ka më keq’. Atë dhimbje që ka pas familja e Martinit atëherë, atë dhimbje kemi ne tani, sidomos unë me djalin 4 muajsh. Nuk jam t’u arrit me kuptu për ata që ma kanë vrarë burrin. Burri im s’ka pas kurrë konflikte me shokët, as me njerëz të tjerë. Ai ishte i urtë, ka ndihmu njerëzit kur kishte mundësi”, shprehet 25-vjeçarja.
Ndër të tjera, Nazli Zefi ka një apel për të gjithë shqiptarët: “Shqipëria s’duhet të ketë gjakmarrje te njerëz të pafajshëm. Ju lutem, më ndihmoni që të vihet drejtësi për burrin tim dhe për të gjithë ata që kanë humbur jetën të pafajshëm për shkak të gjakmarrjes.”