E mitura nga Kamza e cila u dhunua nga i ati, mësohet se ka dalë nga reanimacioni dhe se gjëndja e saj shëndetësore është e qëndrueshme. 6-vjeçarja ra pre e dhunës shtazore të të atit, ndërsa ka dyshime se ai ka abuzuar seksualisht me të.
Në dhomën e spitalit ku është shtruar vogëlushja, ndodhen edhe dy punonjëse të mbrojtjes së fëmijëve nga Drejtoria e Shërbimit Social, të cilët kanë marrë urdhër që të mos lejojnë praninë e mediave.
Një ditë më parë, Gjykata e Tiranës la në “arrest me burg” 27-vjeçarin, i cili pranoi dhunën fizike, por mohoi të ketë abuzuar seksualisht me vajzën.
27-vjeçari me inicialet R.K., nga Kamza, është lënë në burg pasi akuzohet për abuzim seksual ndaj vajzës së tij 6-vjeçare. Prokuroria i ka ngritur akuzën për abuzim seksual, por nuk është vërtetuar nëse është abuzuar me të miturën seksualisht.
27-vjeçari ka pranuar dhunën ndaj vajzës. Ai ka thënë se e ka rrahur me thupër, pasi vajza merrte në telefon të ëmën shumë shpesh që t’i shkonte në shtëpi. Sipas tij, kjo gjë e bezdiste, dhe prandaj e ka rrahur.