Komiteti Kombëtar Republikan, ka hequr një faqe nga uebfaqja e tyre, duke theksuar mbështetjen e Donald Trump për tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe ‘marrëveshjen e tij paqësore historike me talebanët’.
Faqja, e hequr në të njëjtën kohë kur Trump i bëri thirrje Biden të japë dorëheqjen për shkak të kaosit në Afganistan të dielën në mbrëmje, u titullua “Presidenti Trump po sjell paqe në Lindjen e Mesme” dhe përshkruan se si ai “vazhdoi të marrë drejtimin në bisedimet e paqes”.
Trump bëri një marrëveshje paqeje të kushtëzuar me talebanët në vitin 2020, për të zvogëluar numrin e trupave afgane nëse talebanët nuk u siguronin mbështetje terroristëve.
Biden ka kritikuar marrëveshjen e Trump me talebanët, dhe tha se kjo i dha atij pak mundësi përveç tërheqjes së trupave. Të dielën në mbrëmje, Trump dha një deklaratë për ndjekësit e tij, duke i bërë thirrje Biden të ‘japë dorëheqjen’, në mes të marrjes nën kontroll të Afganistanit nga talebanët, pas tërheqjes së trupave amerikane.
“Tashmë është koha që Joe Biden të japë dorëheqjen në turp për atë që ka lejuar t’i ndodhë Afganistanit, së bashku me rritjen e jashtëzakonshme të COVID, katastrofën e kufirit, shkatërrimin e pavarësisë energjetike dhe ekonominë tonë të gjymtuar,” shprehej Trump.
Ai vijoi me pretendimin e tij se Biden fitoi presidencën përmes mashtrimit në zgjedhje: “Nuk duhet të jetë një punë e madhe, sepse ai nuk u zgjodh në mënyrë legjitime në radhë të parë”. Trump lëshoi një deklaratë të fortë, duke denoncuar administratën e Bidenit për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
“Rrëmujë tragjike në Afganistan, një kufi krejtësisht i hapur dhe i thyer. Krime në nivele rekord, çmimet e naftës në kulm, inflacioni në rritje dhe i shfrytëzuar nga e gjithë bota”, tha ai në një deklaratë të shkurtër të premten.
Administrata Trump negocioi kushtet e tërheqjes së SHBA në bisedimet me talebanët vitin e kaluar. Tani shpejtësia e përparimit të talebanëve ka tronditur zyrtarët, tre javë përpara afatit të 31 gushtit të Presidentit Biden për të sjellë të gjithë trupat në shtëpi. Biden në mënyrë të përsëritur ka thënë se nuk është penduar që ka vazhduar me planin e tij.
Të dielën, talebanët morën kontrollin e Kabulit. Bashkëthemeluesi i talebanëve është shpallur Presidenti i ri i Afganistanit, pasi grupi terrorist njoftoi se okupimi 20-vjeçar perëndimor “ka mbaruar tani”, dhe shpalli një shtet islamik gjatë një fjalimi triumfues nga Pallati Presidencial në Kabul.
Mullah Abdul Ghani Baradar, i cili luftoi në Luftën Sovjetiko-Afgane gjatë viteve 1980 dhe ndihmoi ish-shefin Mohammad Omar të krijojë talebanët në 1994, tashmë është instaluar si kreu i Emiratit Islamik të Afganistanit, sipas raporteve në botën arabe.
Në një fjalim fitues nga Kabuli të dielën, Baradar tha: “Unë dua të përgëzoj popullin mysliman afgan për këtë fitore të madhe, veçanërisht qytetarët dhe banorët e Kabulit, dhe gjithashtu dua të këshilloj dhe kërkoj nga të gjithë muxhahidët (luftëtarët talebanë) se kemi arritur në një situatë që është e papritur dhe unike, kjo ka ndodhur me ndihmën e Zotit dhe nuk duhet të na bëjë arrogantë.
Më parë nuk kishim aq përgjegjësi sa sot, sepse tani të gjithë ne jemi të sprovuar nga Zoti, nga dita në ditë do të përfshihemi në shërbimin e kombit tonë, në sigurimin e tyre me siguri dhe shpresë për të ardhmen e tyre”.
Zëdhënësi i zyrës politike të talebanëve i tha Al -Jazeera TV, se lufta ka përfunduar në Afganistan, dhe se lloji i sundimit dhe forma e regjimit do të jenë të qarta së shpejti.
Zëdhënësi Mohammad Naeem tha për kanalin me bazë në Katar: “Ne i sigurojmë të gjithë se do të krijojmë siguri për qytetarët dhe misionet diplomatike. Ne jemi gati të kemi një dialog me të gjitha figurat afgane, dhe do t’u garantojmë atyre mbrojtjen e nevojshme”.
Zëdhënësi i talebanëve Suhail Shaheen u zotua se nuk do të ketë “hakmarrje” kundër atyre që punuan me qeverinë e mëparshme afgane, por refuzoi të garantojë që afganët do të lejohen të ikin. “Politika jonë është që askush të mos largohet nga vendi”, tha ai për BBC. “Ne kemi nevojë që të gjithë afganët të qëndrojnë”.
Presidenti afgan i mbështetur nga SHBA, Ashraf Ghani u largua nga vendi për në Taxhikistan, duke i dhënë në mënyrë efektive pushtetin talebanëve, dhe duke i dhënë fund okupimit 20-vjeçar perëndimor të Afganistanit. Ndërsa mijëra shtetas afganë nxituan drejt kufirit me Pakistanin në një përpjekje për t’i shpëtuar sundimit islamik.
Ghani tha në një postim në Facebook se ai iku nga Afganistani, për të “parandaluar një përmbytje gjaku”, duke pretenduar se “patriotë të panumërt do të martirizoheshin dhe qyteti i Kabulit do të shkatërrohej” nëse ai do të kishte mbetur. Ai nuk bëri të ditur detaje mbi vendndodhjen e tij aktuale.
Të huajve në Kabul iu tha ose të largoheshin ose të regjistronin praninë e tyre tek administratorët talebanë, ndërsa avionët e RAF u përpoqën të evakuonin 6.000 diplomatë britanikë, qytetarë dhe përkthyes afganë, dhe ambasadori britanik u zhvendos në një vend të sigurt. Ambasadorët amerikanë dhe francezë tashmë janë evakuuar, pasi SHBA nxiton të shpëtojë më shumë se 10.000 qytetarë të saj.
Baza ajrore Bagram iu dorëzua talebanëve nga trupat afgane, pavarësisht qindra miliarda dollarëve të shpenzuar nga SHBA dhe NATO për të ndërtuar forcat afgane të sigurisë. Me marrjen e tij në kontroll, qindra terroristë talebanë dhe Shteti Islamik që ishin të burgosur atje u liruan.
Fluturimet komerciale më vonë u pezulluan, pasi të shtënat sporadike të armëve shpërthyen në aeroport, sipas dy zyrtarëve të lartë ushtarakë amerikanë të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar operacionet në vazhdim. Evakuimet vazhduan në fluturimet ushtarake, por ndalimi i trafikut tregtar mbylli një nga rrugët e fundit në dispozicion për afganët që largoheshin nga vendi.
Ndërsa ra nata, luftëtarët talebanë u vendosën në të gjithë Kabulin, duke marrë postet e braktisura të policisë dhe duke u zotuar të ruanin rendin dhe ligjin gjatë tranzicionit. Banorët raportuan plaçkitje në pjesë të qytetit, përfshirë në rrethin e lartë diplomatik, dhe mesazhet që qarkulluan në mediat sociale i këshilluan njerëzit të qëndrojnë brenda dhe të mbyllin portat e tyre.
Kryeministri Boris Johnson tha se vendimi i SHBA për t’u tërhequr nga Afganistani kishte “përshpejtuar” krizën aktuale, dhe njoftoi se përparësia e qeverisë së tij është që të nxjerrë shtetasit britanikë “sa më shpejt që të mundet”.
Biden u zotua se çdo veprim që i vë amerikanët në rrezik, “do të përballet me një përgjigje të shpejtë dhe të fortë ushtarake amerikane”.
Burimi i lajmit: Dailymail. Përshtatur nga Tirana Today