Nga Eliza Mackintosh “CNN”
Disa javë pas marrjes së detyrës, kryeministri britanik Boris Johnson, publikoi të mërkurën e shkuar projektin e tij mbi Brexit. Ai u përshëndet me një optimizëm të kujdesshëm nga konservatorët e vijës së ashpër brenda Partisë së tij Konservatore, mbështetja e të cilëve do të jetë thelbësore.
Por shumë zyrtarë evropianë, i kanë refuzuar propozimet e Johnson. Kur kanë mbetur më pak se 3 javë deri në afatin e fundit të Brexit, 31 tetor, po skadon koha që Britania dhe Bashkimi Evropian të negociojnë mes tyre një marrëveshje të re. Samiti i ardhshëm i liderëve të BE-së mbahet në datat 17-18 tetor, dhe nëse në atë takim synohet të miratohet ndonjë gjë, detajet duhet të jenë dakordësuar që më parë.
Nëse kryeministri Johsnon nuk arrin dot një marrëveshje me Brukselin deri më 19 tetor, ai është ligjërisht i detyruar të kërkojë një zgjatje të re të procesit të Brexit. Por kryeministri britanik ka këmbëngulur prej kohësh, se do ta nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian brenda 31 tetorit.
Më shumë se tre vjet pasi Britania votoi në shumicë për largimin nga BE, dhe 6 muaj pasi duhej të ishte larguar, do të ketë shumë shpejt një ndarje të shapit nga sheqeri. Ja si mund të rrjedhin ngjarje në 3 javët e ardhshme. Oferta e re e kryeministrit Johnson ndaj Brukselit, mbi ndryshimet në “pikën kufitare irlandeze”, pjesa më e debatueshme e marrëveshjes, synon të parandalojë kthimin e kontrolleve klasike kufitare në kufirin mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.
Për BE-në, kjo ka qenë një ‘vijë e kuqe’ qëkur nisën negociatat mbi Brexit. Johnson lejon në planin e tij të ri, kontrolle doganore pas Brexit, por sugjeron që ato mund të bëhen mbi “bazën e një decentralizimi”. Plani është pritur ftohtë nga pala evropiane. Por të paktën, palët kanë tani diçka për të cilën mund të bisedojnë.
Por është e vështirë që bisedimet të shkojnë shumë larg. Zyrtarët në Dublin, kanë deklaruar tashmë se propozimet e Londrës janë të papajtueshme me premtimin për të shmangur çdo lloj kufiri në ishullin e Irlandës. Ata shprehin shqetësime, se kjo do të kërcënonte integritetin e tregut të përbashkët evropian, dhe paqen e arritur me Marrëveshjen e të Premtes së Mirë, që i dha fund viteve të përgjakshme të një konflikti sektar në rajon.
As Parlamenti Evropian, që ka të drejtën e vetos për çdo marrëveshje mbi Brexit, dhe që duhet ta ratifikojë traktatin, nuk është i impresionuar nga propozimi. Grupi drejtues i PE mbi Brexit, bëri të enjten një deklaratë, ku shprehej se propozimet e Britanisë ”nuk përputhen as për së largu me atë që u ra dakord më herët, si një kompromis i arsyeshëm për të dyja palët”.
Brigid Fowler, eksperte në “Hansard Society”, thotë se është tepër e vështirë, edhe pse jo e pamundur, që Londra dhe Brukseli të kenë mjaftueshëm kohë për të arritur një marrëveshje, duke pasur parasysh dallimet e forta mes tyre. Gjithsesi, kaosi i mundshëm i një daljeje pa marrëveshje, mund të detyrojë arritjen e një kompromisi të minutës së fundit.
Megjithatë ka ende skepticizëm, nëse Johnson mund të arrijë të marrë një marrëveshje, bazuar në planin e tij të miratuar tashmë edhe në parlament. Sidomos nëse detyrohet të bëjë lëshime për t’u pajtuar me BE-më. Që të ketë të sigurt një shumicë në parlamentin britanik, qeveria e tij duhet të afrojë sërish deputetët konservatorë rebelë, dhe të ruajë mbështetjen e 10 deputetëve të Partisë Unioniste Demokratike të Skocisë.
Por edhe kaq nuk mjafton. Johnsonit do t’i duhej edhe mbështetja e një numri deputetësh opozitarë të Partisë Laburiste. Nëse Johnson do të arrijë t’i kapërcejë të gjitha këto pengesa, në dukje të pakapërcyeshme, ai do të mbahet mend si kryeministri që pati sukses, aty ku paraardhësit e tij kishin dështuar.
Po nëse ka një Brexit pa marrëveshje? Nëse propozimet e Johnson mbi Brexit refuzohen nga BE, do të hynte në fuqi ligji i miratuar nga deputetët britanikë, kundër një daljeje nga unioni pa marrëveshje. Ky ligj kërkon që Johnson t’i kërkojë zyrtarisht BE-së një zgjatje tjetër të procesit të Brexit, në rast se nuk ka marrëveshje brenda datës 19 tetor, pas samitit të rëndësishëm të liderëve evropianë.
Por disa shpresojnë se qeveria mund të zbatojë njëherazi si ligjin, ashtu edhe daljen e vendit nga BE më 31 tetor, pa asnjë marrëveshje me BE-në. Detajet mbeten të errëta, por duket se përfshijnë një situate, ku qeveria britanike do të bindte në një farë mënyre BE-në të refuzojë zgjatjen që i kërkohet.
Është ndërkohë e vështirë që opozita të mos përfitojë nga rasti, duke synuar rrëzimin e qeverisë Johnson përmes një mocioni mosbesimi në parlament. Sidoqoftë, nuk do të kishte shumë kohë, dhe opozitarët duhet të kenë gati një qeveri alternative, diçka që do të kërkonte mbështetjen e deputetëve konservatorë rebelë.
Nëse Johnson do të humbiste mocionin, por as opozita nuk mund ta fitonte një të tillë, ai thjesht do të ishte në gjendje ta nxirrte vendin nga unioni pa asnjë marrëveshje. A mund të kemi një referendum të dytë? Nëse bën fajtor për gjendjen një parlament që mbështet në shumicë qëndrimin në BE, Johnson mund të kërkojë në fillim zgjatjen e procesit. Më pas mund të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në fushatë, ai do të premtojë t’i japë fund Brexit, nëse votuesit i japin shumicën e mjaftueshme në parlament.
Kjo nëse BE-ja do të binte dakord për një tjetër shtyrje. “Në teori, ekziston mundësia që BE-ja thjesht të thotë jo. Por shumë analistë mendojnë se kjo s’ka gjasa. Pjesërisht sepse BE-ja nuk dëshiron të shihet sikur po nxjerr nga unioni një shtet anëtar kundër vullnetit të këtij të fundit. Ndërkohë, BE nuk dëshiron të shihet si fajtore, nëse do të ndodhë një Brexit pa marrëveshje”- thotë Fowler.
Çfarëdo që të ndodhë, është e qartë se 3 javët e ardhshme janë ndër më të rëndësishmet për procesin Brexit. Dhe ndryshe nga afati i fundit, duket se do të ketë ndonjë lloj shtegu për zgjidhjen e kësaj çështje në dukje të pazgjidhshme./ TIRANA TODAY