Nga: Mustafa Nano
Z. Drejtor i Policisë së Shtetit,
me një emër disi të çuditshëm, dhe me një mbiemër që mua nuk mund të më lërë indiferent. Ju uroj suksese! Dhe me këtë mesazh nuk është se po them ndonjë gjë të veçantë për ju. Që të gjithë ju kanë uruar suksese. Madje, këto ditë, kam dëgjuar edhe përfaqësues të opozitës politike që ju kanë uruar suksese. Dhe kjo është një gjë e rrallë. Faktikisht është më pak sesa e rrallë. Është e paprecedente. Është hera e parë që ndodh në historinë politike, shtetërore dhe institucionale shqiptare që përfaqësues të opozitës politike, në emër të opozitës, të urojnë personin që sapo është zgjedhur në postin e drejtorit të policisë. Uau!!!
Fjalë të mira janë thënë për ju nga të gjitha anët. Por kujdes, z. Drejtor! Në Shqipëri, fjalët e mira zakonisht thuhen për ata që ikin nga kjo botë (larg qoftë për ju, sepse ju jeni shumë i ri dhe keni gjëra të mëdha për të bërë përpara), por thuhen edhe për ata që rrinë duarkryq, dhe që nuk dihet se çfarë janë e çfarë bëjnë. Do të ishte bukur që fjalët e mira të vijonin edhe dy vite më pas. Por kam frikë se nuk do të ndodhë kështu. Dhe kjo jo domosdoshmërisht për fajin tuaj.
Juve ju kanë marrë që të gjithë për një beniamin të amerikanëve. Dhe unë besoj se kjo nuk ka se përse t’ju shqetësojë. Amerikanët janë ulur këmbëkryq, një here e mirë, në këtë vend. Ata kanë marrë një rol të rëndësishëm. Ata janë shndërruar në një lloj institucioni mbikushtetues, dhe ky është një zhvillim që është mirëpritur nga shumica e shqiptarëve. Madje, unë vet, personalisht, bëj pjesë te kjo shumicë dhe më vjen mirë që drejtori i policisë së shtetit tim është parapëlqim i amerikanëve dhe gëzon simpatinë e tyre.
Tre këshilla do të doja t’ju jepja z. drejtor i Policisë së Shtetit, edhe pse e di se nuk keni nevojë për këshilla. Ndoshta nuk keni nevojë as për inkurajim. Por unë nga pozitat e një gazetari me më shumë se njëzet e pesë vite karrierë, do të doja t’ju jepja tre këshilla. Së pari, shmangni vizitat nëpër studiot televizive. Shmangni intervistat televizive. Shmangni show-n televiziv. Ne nuk na duhet një drejtor policie që bën shfaqje të bukura televizive. Sigurisht, ju do të duhet që të mbani komunikim me mediat, sepse është detyra juaj dhe nevoja jonë. Për transparencë, ju do të komunikoni sa herë që ka probleme të rënda dhe serioze lidhur me rendin dhe sigurinë publike.
Ju do të duhet ta bëni patjetër këtë gjë. Në mos ju, dikush tjetër në emrin tuaj. Por do t’ju lutesha shumë (dhe kur them këtë gjë besoj se përfaqësoj shumë njerëz), që të shmangni shfaqjet televizive. Bëni atë që bëjnë homologët tuaj në botën perëndimore. Pra, njerëzit që kanë poste të ngjashme me tuajin i evitojnë shfaqjet televizive. Madje, është krijuar një model i tillë edhe në Shqipëri: Prokurori i Përgjithshëm nuk bën më vizita nëpër studiot e televizioneve, siç kanë bërë paraardhësit e tij, apo siç kanë bërë krerë të ndryshëm institucionesh që nuk janë institucione qeveritare, por mbiqeveritare e publike. E tillë është edhe policia, në opinionin tim.
Këshilla e dytë: Ju jeni vartës i ministrit, e ca më shumë i kryeministrit. Dhe ju do të punoni me ta çdo ditë, vazhdimisht. Unë do të doja që ju të gjenit një mënyrë elegante për t’ua bërë të qartë atyre (që janë njerëz politikë, të rëndësishëm) se për ju janë tre gjëra të rëndësishme: 1-ligji; 2-ligji; 3-ligji. Unë do të doja shumë që t’ua bëni këtë gjë të qartë këtyre njerëzve. Mos pranoni të shkelni mbi ligjin për hir të interesave të njerëzve që janë në zyrat e pushtetit. Po e bëtë një herë me idenë se është vetëm një rast, do ta bëni edhe në një rast të dytë, të tretë e më pas gjithmonë.
Këshilla e tretë: Unë nuk e di se i kujt është tagri për të zgjedhur vartësit tuaj – drejtorët e rangjeve më të ulëta sesa rangu juaj. Ndoshta nuk është ekskluzivisht i juaji. Ndoshta është i kryeministrit apo i ministrit. Por unë do të doja që ju të luanit një rol. Do të doja që ju ta kërkonit të drejtën për të luajtur një rol në emërimin e këtyre njerëzve, sepse sipas meje duhen emëruar njerëz (sigurisht nga brenda policisë) të cilët kanë manifestuar dëshirën për t’u shkëputur nga ndikimi politik. Njerëz që nuk flenë në darkë dhe gdhihen në mëngjes me idenë e shërbimit ndaj partisë. Por njerëz që kanë në fokus integritetin e tyre moral dhe profesional. Ju duhet të keni si vartës tuaj, njerëz që do të mbeten vartësit tuaj bashkë me ju edhe pasi të ndërrohen kuajt në krye të karrocës së pushtetit. Kjo do të ishte diçka e rëndësishme, sepse ndërrimi i krerëve të policisë, ndërrimi i drejtuesit të policisë sa herë që ndërrohet pushteti, ka qenë shenja më spektakolare e sistemit të degjeneruar politik në Shqipëri. Bëni çmos që kjo gjë të mos ndodh më. Suksese z. drejtor i Policisë së Shtetit!