45 persona kanë ndërruar jetë, si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Bullgari. Një autobus me 52 pasagjerë, kryesisht shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, mori flakë në autostradën e Stumës. Shtatë persona kanë dalë nga dritaret dhe ndodhen në spital, me dëmtime dhe djegie në trup. Si pasojë e aksidentit humbi jetën edhe shoferi, ndërkohë që raportohet se ishte e pamundur hapja e dyerve të mjetit, pasi autobusi u përfshi në flakë. Lidhur me këtë ngjarje tragjike, janë pyetur ekspertët rrugorë mbi shkaqet e mundshme.
Cilat mund të jenë shkaqet? Gabim njerëzor apo…?
Drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar, Borislav Sarafov, thotë se shkak mund të jetë bërë një gabim njerëzor, problem teknik në mjet. Një tjetër version është që shoferin mund ta ketë zënë gjumi.
Kreu i Institutit për Siguri Rrugore dhe ish-drejtues i Policisë Rrugore, Bogdan Milçevit, tha se shkak mund të jetë dhe një atak në zemër, apo ndonjë problem tjetër që mund ti ketë ndodhur shoferit, duke bërë që ai të humbasë kontrollin e automjetit. Ai gjithashtu shprehet se në Bullgari është dhe shpejtësia më e lartë e lejuar, pavarësisht rrugëve.
Një tjetër eksperte e sigurisë rrugore, Diana Rusinovës, deklaron se shkak mund të jetë mungesa e sinjalistikës në rrugën ku ndodhi tragjedia. Ministri i Brendshëm i Bullgarisë Boyko Rashov tha se një aksident të ngjashëm nuk i kishin parë sytë.
“Pamjet janë rrëqethëse. Detajet e tragjedisë duhet të hetohen. Është e vështirë të shohësh atje, shumë e vështirë. Nuk e di nëse duhet të tregojmë detajet në këtë moment. Nuk kisha parë asnjëherë diçka të ngjashme. Njerëzit janë kthyer në hi”, tha ai.
Një i afërm i viktimave, Xheladin Ahmeti, në një prononcim për “Shqipëria Live” tha se ka humbur 12 familjarë.
“Familja ime humbi 12 anëtarë, jam i tronditur. Biseda e fundit me ta ka qenë 30 minuta para se të ndodhte aksidenti, dhe thonin se çdo gjë është mirë. Unë e mora vesh lajmin në 06:00 të mëngjesit. Kam shokë në Bullgari dhe thanë se nga 4 autobusë, 1 ka marrë flakë. Pastaj morëm vesh se çfarë ka ndodhur. Një i afërm që ka mbijetuar ka humbur 4 fëmijë dhe të shoqen. Është e vështirë t’u tregosh çfarë ka ndodhur”, tha Ahmeti.
Ky i fundit u shpreh se nuk ka folur dot me personat që kanë mbijetuar nga ky aksident tragjik, por me familjarët e tyre. Sipas tij, kjo është një tragjedi, dhe nuk është e para që ka ndodhur.
“Te ne nuk funksionon ligji. Të shikoni çfarë autobusësh janë, as për në lagje nuk duhet të liçensohen. As kondicioneri nuk funksiononte, janë të vjetër”, u shpreh Ahmeti.