Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Bullgari, ku për pasojë kanë ndërruar jetë 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Autobusi me të cilin ata udhëtonin, u aksidentua dhe më pas u përfshi nga flakët, duke i marrë jetën 45 personave, turistë, 12 prej të cilëve fëmijë.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Autobusi maqedonas ka hyrë në Bullgari mbrëmë në orën 21:00 nga vendkalimi kufitar “Kapitan Andreevo”. Ai ka udhëtuar përmes autostradës “Trakia”, e më pas përmes autostradës “Struma” deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në drejtim të pikës kufitare Gjueshevë, nga ku është dashur të largohet nga Bullgaria.
Aksidenti tragjik, Zaev në Bullgari
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka mbërritur në Bullgari pas aksidentit tragjik, ku humbën jetën 45 shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Zaev i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa theksoi se në vendngjarje ka mbërritur edhe një ekip nga Maqedonia e Veriu. Zaev bëri me dije se për aksidentin e rëndë, e kishte informuar Presidenti bullgar, Rumen Radev.
Rama: S’kam fjalë për tragjedinë
Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllime lidhur me tragjedinë në Bullgari, ku një autobus mori flakë ku humbën jetën 45 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Rama shkruan se nuk ka fjalë për tragjedinë, dhe se kjo është vetëm dhimbje.
“S’ka fjalë për tragjedinë e autobusit nga Maqedonia e Veriut në Bullgari, ku kanë humbur jetën thuajse të gjithë udhëtarët. Dhimbje”, shkruan Rama.
Xhaçka: Shqipëria pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas aksidentit tragjik në Bullgari, ku humbën jetën 45 pasagjerë, shqiptarë të Maqedonisë së Veriut dhe mbetën të plagosur 7 të tjerë. Xhaçka i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave, teksa thotë se Shqipëria gjendet pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këto momente të vështira.
“Dhimbje e madhe për 45 jetët e humbura të shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut gjatë aksidentit tragjik në Bullgari. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe shërim të shpejtë të plagosurve. Shqipëria është pranë Maqedonisë së Veriut dhe popullit të saj në këtë moment të vështirë!”, shkruan Xhaçka.