Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se rruga europiane e shqiptarëve nuk mund të dëmtohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo politikani. Këtu ai iu referuar thirrjes së presidentit Meta, për besëlidhjen e thirrur më 2 mars. Me ironi ai shtoi më tej se halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për BE-në.
“Në javët apo muajt në vijim, ndërtimi i komplekseve në zonat e prekura të ketë filluar në të gjitha qendrat, shkollat, kopshtet të ketë filluar. Edhe mbështetja e për komunitetin e biznesit. Rruga evropiane të cilën e mbështesin më shumë se 97% e shqiptarëve, nuk mund të dëmtohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo politikani.
Rruga europiane është sot me e sigurtë se kurrë. Kemi ecur në këto vite në momente të rendësishme. Gjatë qeverisjes së Ramës, vendi mori statusin e vendit kandidat dhe pse brenda BE-së ka shumë divergjenca që lidhen me ecurinë e procesit, BE ka vendosur të thërrasë një konferencë të ardhmen e Europës.
Halli personal nuk mund të mbivendoset mbi aspiratën historike të shqiptarëve për BE-në. Mos harxhoni më kohë për transmetime pa fund për grushte shteti. Tani duhet të jemi të gjithë sëbashku njëlloj, si në ato ditë të vështira pas tërmeti për tu fokusuar tek njerëzit.
Kjo është një çështje që i takon opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri se Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar presidencën në një prej selive të opozitës në Shqipëri”, tha Balla.