Gjykata e Brugges në Belgjikë ka dënuar me 30 muaj burg një roje italiane të sigurisë.
Michael P., 31 vjeç u dënua nën akuzat për trafik njerëzor, pasi një vit më parë u përpoq të kontrabandonte një shqiptar me dokumente të rreme në Britani.
Ngjarja ka ndodhur në 18 dhjetor të vitit 2018, kur 31-vjeçari bashkë me shqiptarin u përpoqën të hipnin bashkë me mjetin ‘Fiat’ në një traget që të çonte në Mbretërinë e Bashkuar. Mësohet se shqiptari dispononte letra italiane false dhe shumë shpejt kjo gjë u zbulua.
“Gjatë kontrollit, dokumentet dolën të jenë të rreme. Dokumentet origjinale të identitetit u raportuan nga pronari si të vjedhura. Ne i gjetëm në makinën e të pandehurit. Kështu që ai ishte i informuar mirë”, mësohet të ketë thënë avokati i çështjes.
“Një ish-koleg i sugjeroi atij që të kontrabandonte shqiptarin. Klienti im e ka lënë veten të përdoret, por ai nuk ka organizuar asgjë vetë”, tha avokati i 31-vjeçarit.
I dënuari i kërkoi falje gjyqtarit: “Asnjëherë nuk kam bërë diçka të tillë në të kaluarën. Kjo është marrëzia më e madhe e jetës sime”.