Të zhytesh 253 metra pa bombol oksigjeni, kush është “mbreti” i Free-diving

Bota nënujore është e mahnitshme. Ajo soditet zakonisht përmes zhytjeve me bombolën e oksigjenit mbi shpinë. Megjithatë disa njerëz, sfidojnë çdo ditë limitet e organizmit të njeriut duke u marrë me Free-diving, një sport nënujor, që ka të bëjë me zhytjen në thellësi të mëdha, duke u bazuar vetëm më oksigjenin që mbajnë mushkëritë e tyre.

Në fakt, Free-diving është praktikuar që në kohërat e lashta, ku zhytja pa ndihmën e pajisjeve mekanike ishte e vetmja mundësi, me përjashtim të përdorimit të kallamishteve si gypa. Zhytja në thellësi, praktikohej në kulturat antike për të mbledhur ushqim, si sfungjerë dhe perla deti, apo rimarrjen e sendeve të çmuara që ishin mbytur bashkë me anijet.

Në Greqinë e Lashtë, si Platoni ashtu edhe Homeri, tregojnë se duke përdorur pesha (skandalopetra) deri në 15 kg për të shpejtuar zbritjen, zhytësit do të zbrisnin në thellësi deri në 30 metra për të mbledhur sfungjerë. E njëjta praktikë, përdorej edhe për mbledhjen e koralit të kuq.

Për mijëra vjet, shumica e perlave të detit mblidheshin nga zhytësit e thellësive që punonin në Oqeanin Indian, në zona të tilla si Gjiri Persik, Deti i Kuq dhe në Gjirin e Manarit, midis Sri Lankës dhe Indisë. Zhytësit e perlave, ishin shumë aktive edhe në Filipine, veçanërisht në Arkipelagun Sulu .

Të gjithë ata që kërkojnë të bëhen pjesë e këtij sporti, duhet t’i nënshtrohen një trajnimi të gjatë dhe të vështirë. Si fillim duhet të përgatiten që të zhyten dhe mbajnë frymë për të paktën 1 minutë, për të stërvitur mushkëritë. Kjo formë e stërvitjes është e domodoshme, që muskujt të mësohen të funksionojnë në kushtet e mungesës së oksigjenit, si dhe të kenë një tolerance më të madhe ndaj dioksidit të karbonit.

Shenjat kryesore kur një sportist është gati të kryejë zhytje në thellësi të mëdha, janë një metabolizëm më i ngadaltë, rrahje më të pakta të zemrës, një rritëm më i ngadaltë i frymëmarrjes, nivele më të ulëta të dioksidit të karbonit në gjak, dhe një ekuilibër të përgjithshëm mendor.

Po si ka mundësi që këta njerëz të zhyten kaq thellë me vetëm një frymëmarrje? Një nga arsyet është refleksi i zhytjes, një adaptim evolucionar që u jep mundësinë dhe delfinëve të zhyten thellë, dhe të qëndrojnë nën ujë për periudha të gjata, duke ngadalësuar ose ndaluar disa funksione fiziologjike.

Sipas shkencëtarëve, edhe pse ne njerëzit evoluam në tokë, kemi ruajtur një lloj gjurme të këtij refleksi. Praktikantët e Free-diving kanë mësuar të nxitin apnean e vetë-induktuar – termi shkencor i zhytjes pa bombol oksigjeni- përmes teknikave të sofistikuara të kontrollit të trupit dhe mendjes, ai ato që përdoren në meditimet e jogs, dhe nga mjeshtrat e arteve marciale.

Pavarësisht përgatitjeve, rreziqet janë shumë të mëdha. Nëse zhytësi nuk arrin në kohë në sipërfaqe, kjo mund të shkaktojë asfiksi, dhe në fund mbytje. Rreziku varet nga disa faktorë, si thellësia, kohëzgjatja dhe forma e zhytjes. Sportistët e kësaj disipline e dinë shumë mirë këtë. Ndaj garat mbahen nën një mbikëqyrje të rreptë nga shumë ndihmës.

Megjithatë, kjo nuk eliminon 100 tragjeditë. Nikolas Mevoli, një zhytës nga Nju Jorku vdiq më 17 nëntor 2013 pasi humbi vetëdijen sapo doli në sipërfaqe nga një zhytje prej 3 minutash dhe 38 sekondash në thellësinë 72 metra. Ai ishte zhytur edhe më herët në thellësi të tilla.

Ndërkaq, rekordmeni absolut në këtë sport të guximshëm, është aktualisht austriaku Herbert Niç. Ai është i aftë të zhytet pa pajisje për më shumë se 9 minuta, dhe mban 22 rekorde botërore të njohura nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Free-diving (AIDA).

Në vitin 2007, Niç vendosi rekordin e tij botëror në kategorinë e fundit “pa kufij”, në të cilin zhytësit i lejohet të përdorë një mjet motorik për të zbritur poshtë. Ai arriti në një thellësi prej 214 metrash. Për arritjet e tij të jashtëzakoshme, Niç quhet ndryshe “Aquaman” (Njeriu i ujit). Por austriaku nuk është i kënaqur me këtë rekord, pasi shpreson të zbresë në thellësinë 300 metra.

Në vitin 2012, ai garoi në kategorinë “No Limits” në ujërat pranë ishullit të Santorinit në Greqi, duke synuar zhytjen në një thellësi prej 244 metrash. Pas shumë trajnimeve, duke përdorur një dizajn novator të makinerisë që përdor për të zbritur dhe ngjitur, ai arriti më 6 qershor 2012 në thellësinë 253.2 metra.

Por 10 minuta pas zhytjes, ai nisi të përjetonte simptoma serioze të sëmundjes së dekompresimit. Ai ra përkohësisht në gjumë gjatë pjesës së fundit të ngjitjes, dhe u zgjua para se të dilte në sipërfaqe. Ai u tha ndihmësve se ndjehej shumë më i dobët se normalisht. Ata e dërguan me shpejtësi në një spital të Athinës.

Më vonë iu nënshtrua një kurimi më të specializuar në një spital në Gjermani. Ai kishte pësuar goditje të shumta në tru, për shkak të sëmundjes së rëndë të dekompresimit. Prognoza fillestare ishte se do të kishte nevojë për një kujdes shtëpiak, dhe se s’do të ishte në gjendje të ecte pa karrige me rrota. Por pas një rehabilitimi intensiv, e mori veten. Ai ka ende probleme me ekuilibrin dhe koordinimin në tokë, por nuk i përjeton këto gjëra nën ujë. Herbert Niç vazhdon të zhytet ende në thellësi të mëdha.

TIRANA TODAY