Elton Metaj vrau me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij në Zhupan të Fierit. 31-vjeçari u vu në pranga në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan, ku qëndronte i fshehur, pasi kreu krimin. Ai u kap nga uniformat blu pas 3 orë ndjekje, ndërsa ishte i armatosur.
31-vjeçari kishte kërkuar ribashkim, ndërsa diçka e tillë nuk pranohej nga 23-vjeçarja. Në debat e sipër, ai e ka goditur ndërsa e reja humbi jetën në vend pasi plumbi e kishte prekur në mushkëri.
Babai i Sabrina Bengajt, Partizan Begaj, ka kërkuar dënim maksimal për ish-dhëndrin, i cili i mori jetën të bijës. Ai hedh akuza edhe për gjykatësin që liroi nga burgu 31-vjeçarin, për të cilin thotë se duhet të japë llogari.
“Kishte ruajtur që nuk kisha asnjë nga djemtë në shtëpi. Ky i bie të jetë një mi, ata minjtë që kalojnë në tuba. Unë e akuzoj direkt Pirro Sotaj të japë llogari. E njoh edhe personalisht. Unë kërkoj dënim në litar. Jo më të drejta njeriu, nuk ka të drejta me këta fundërrina. Nuk ka pse ti mbajnë mbi tokë këta lloj fundërrinash”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ka komunikuar me familjen e autorit, Bengaj tha se nuk ka ndodhur diçka e tillë, ndërsa akuzoi edhe të ëmën e Elton Metajt.
“Absolutisht jo. Nuk dua të komunikoj me ata lloj plehrash. Derisa ime bijë u trajtua në mënyrë të tillë. E denoncoj të ëmën e tij, që unë paskam pasur edhe armë në shtëpi. Eshtë një pise e kësaj shoqërie. Nuk jam në një pozicion të qetë. Në çdo vend të botës mund të jetë një fundërrinë, një grua nuk qëllohet kurrë. Të paktën si shqiptarë, por opinioni publik duhet të ngrihet kundër këtyre plehrave. Është një shtet në kaos. U kap me armë, si e lëshon”, tha ai.
Elton Metaj kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu. Ai ishte arrestuar nga policia në shtator të vitit të kaluar, pasi mori peng 23-vjeçaren dhe familjen e saj, duke i mbajtur nën kërcënimin e një kallashnikovi për 5 orë.