Masazhatori i Kombëtares shqiptare, Ylli Mihali, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare si pasojë e Covid-19. Ai u infektua përpara ndeshjes ndaj San Marinos, ku Shqipëria triumfoi me rezultatin 5-0 në fushatën kualifikuese të Botërorit “KATAR 2022”. Ylli Mihali ishte pjesë e stafit mjekësor të Kombëtares shqiptare, në rolin e masazhatorit prej 30 vitesh.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të fizioterapistit të Kombëtares shqiptare, Ylli Mihali.
“Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të fizioterapistit Ylli Mihali, kontributor i palodhur për gati tre dekada, për sukseset e Ekipit tonë Kombëtar.
Ngushëllime familjes, miqve dhe kuqezinjve, të cilëve u shërbeu me dashuri dhe përkushtim!”.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me anë të një postimi në profilin e tij të rrjetit social “Facebook”, thotë se ky është një moment i vështirë i futbollit shqiptar.
“Të dashur miq,
Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19.
Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njofti dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qënë pranë tyre në ҫdo situatë.
Humori, dashuria për njerzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe.
Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!”.