Nga Anxhela Ferra
Prej muajsh në Shqipëri situata politike sa vjen edhe përkeqësohet. Ndërkohë që mazhoranca është e vendosur të shkojë në zgjedhje në 30 Qershor, opozita “betohet” se nuk do ta lejojë. Madje edhe datën e dytë të zgjedhjeve të vendosura nga Presidenti Meta për në 13 Tetor, socialistët e refuzuan. Edhe pse në pjesën më të madhe të Bashkive janë duke garuar të vetëm, për të mos qenë aspak zgjedhje normale.
Por, teksa kriza politike ka përfshirë të gjithë shoqërinë, duket se të rinjtë nuk janë të interesuar për të. Edhe pse ata janë një elektorat shumë i madh, mosbesimi te asnjë nga partitë politike i ka distancuar. Duke bërë që të mos njohin as zhvillimet më të fundit. Ndër të tjera Tirana Today i pyeti nëse do të votojnë të dielën. Pjesa më e madhe e tyre shprehen se nuk do të shkojnë të votojnë.
“Nuk më intereson fare politika dhe as të dielën nuk shkoj të votoj. As lajmet që kanë të bëjnë me politikë nuk i shoh fare.”
“Zero % interes kam ndaj politikës.”
“As nuk merrem me politikë fare.”
“Nuk më shkon hiç mendja te politika apo te politikanët tanë.”
“I ndjek ndonjëherë, por më duken shumë broçkulla të gjitha. Sepse Shqipëria po shkon shumë poshtë dhe askush nuk po bën ndonjë gjë për ta rregulluar. Thjesht po luftojnë për një karrige.”
Edhe pse pjesëmarrja e të rinjve në jetën politike dhe në vendimmarrje është shumë e rëndësishme, përsëri të rinjtë shqiptarë që bëhen pjesë e forumeve politike shpesh paragjykohen. Kjo pasi mendohet se janë thjeshtë militantë që ndjekin liderin e partisë mbështetëse, ose për përfitime vetjake.
“Fare interes për politikën, prandaj edhe të dielën nuk shkoj të votoj. Nuk më tërheqin as këto shoqëritë që lidhen me politikë. Mendoj se ata që merren me politikë nuk janë njerëz të mirë, qofshin dhe të rinj.”
“Na intereson se në këtë vend jetojmë, por janë shumë të lodhshme. Me thënë të drejtën marr shumë pak informacione mbi politikën. Nga bashkëmoshatarët tanë që janë të përfshirë në forumet rinore të partive, vjen e keqja e këtij vendi. Ca i kanë qejf sufllaqet e ca jo. Unë qejf i kam, por jo ato që të jep partia.”
Por, në pjesën më të madhe të rasteve të rinjtë që janë pjesë e forumeve politike e njohin këtë të fundit. Dhe kanë interes të vazhduar për zhvillimet që ndodhin.
“E ndjek shumë politikën dhe mendoj se duhet të rritet ajo pjesëmarrja e të rinjve në politikë. Unë jam një nga ata të rinj që jam pjesë e forumeve rinore politike. Jam anëtar i LRI-së. Dhe kur i shoh ato meme që bëhen për ne që jemi të përfshirë në politikë, filloj e qesh. Sepse më duken shumë argëtuese.”/ TIRANA TODAY