Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka apelur masën e sigurisë “arrest shtëpie” në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj tij për trafik droge. Seanca në Gjykatën e Apelit ndaj Tahirit është caktuar më 28 Maj, raporton ABC News.
Aktualisht ish-ministri i Brendshëm ndodhet në “arrest shtëpie” që prej datës 12 Maj, kur Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi këtë masë sigurie. Ndërsa më 15 Maj, Tahiri doli para Krimeve të Rënda për t’u njohur me këtë vendim.
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon “arrest me burg” për Saimir Tahirin dhe ka apelur masën “arrest shtëpie”. Sipas organit të akuzës, ka dyshime se vëllezërit Habilaj në Vlorë janë ndihmuar nga Saimir Tahiri për trafikun e drogës. Ndërsa avokati i ish-ministrit, Maks Haxhia e konsideroi ekstreme masën “arrest në shtëpi” duke thënë se nuk ekziston nevoja e sigurimit dhe për këtë arsye apeloi masën e Krimeve të Rënda.