Pas zhurmës mediatike, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po kthehet drejt Shqipërisë. Ish-ministri po kthehet nga një linjë transiti, ndërsa aktualisht ndodhet në Vjenë, duke i dhënë fund kështu dyshimeve për një arratisje të tij të mundshme nga Shqipëria. “Balkanweb” shkruan se Tahiri vizitoi babanë e tij, i cili ndodhet në Gjermani pas një problemi shëndetësor.
Megjithëse, Tahiri është nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi dolën në dritë përgjimet e grupit “Habilaj” (të arrestuar për trafik droge në Itali) organi i akuzës nuk e ka parë të arsyeshme t’i bllokojë pasaportën. Ish-ministri udhëtoi drejt Gjermanisë dy ditë më parë, ndërsa ai kishte prerë një biletë vajtje-ardhje, ndërkohë që ishte parashikuar që të vinte mbrëmjen e djeshme në Rinas. Por Tahiri e shtyhu biletën e kthimit edhe një ditë, për të mbërritur sot.
Pak pas publikimit të lajmit se Tahiri ishte larguar nga Shqipëria, shumë zëra opozitarë aluduan se ai ishte arratisur. Dje ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje publike për heqjen e mandatit të Tahirit. Ndërkohë, ish-ministri nuk është shfaqur në publik, që kur u arrestua më 1 nëntor Orest Sota, biznesmenit që iu gjetën në makinë 800 mijë euro si dhe 2 leje drejtimit për mjetet lundruese, në emër të Tahirit.