Një telefonatë mes presidentit të SHBA, Joe Biden dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten “nuk shkoi mirë”, tha një zyrtar i lartë ukrainas për CNN, mes mosmarrëveshjeve mbi “nivelet e rrezikut” të një sulmi rus.
Shtëpia e Bardhë kundërshtoi rrëfimin e zyrtarit, duke paralajmëruar se burimet anonime janë të rreme. Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Emily Horne kundërshtoi përshkrimin e telefonatës nga zyrtari i lartë ukrainas. “Burimet anonime po “rrjedhin” falsitete”, tha ajo për CNN. “Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt. Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë. Raportet për diçka më shumë ose ndryshe nga kjo, janë krejtësisht të rreme”.
Diskutimi i sinqertë midis dy liderëve vjen ndërsa SHBA dhe NATO vazhdojnë të përgatiten për perspektivën e një pushtimi rus. Megjithëse ata kanë theksuar nevojën për diplomaci, Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se një pushtim mund të jetë i pashmangshëm me dhjetëra mijëra trupa ruse të grumbulluara në kufirin ukrainas.
Telefonata zgjati një orë e 20 minuta të enjten, sipas një zyrtari të sigurimit kombëtar të SHBA-së, duke nënvizuar çështjet e gjera që të dy udhëheqësit duhej të diskutonin në mes të ngritjes së trupave ruse. Zyrtari e përshkroi thirrjen si “të gjatë dhe serioze”, por “produktive”, ndërsa Biden dhe Zelensky diskutuan agresionet e fundit të Rusisë.
Biden i tha Zelenskyt se zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se një pushtim potencialisht mund të ndodhë në shkurt, por nuk tha se do të ndodhte patjetër, tha zyrtari.
Burimi i lajmit: CNN. Përshtatur nga Tirana Today