Në 18 shtator të 2020-ës, emisioni Stop trasmetoi rastin e një 46-vjeçari me probleme mendore, që jetonte i vetëm e në kushte të vështira në Kavajë. Naim Stërniqi, një i afërm i tij, i ishte drejtuar redaksisë sonë, për të kërkuar një zgjidhje për kushëririn Arben Haxhiaj.
Të afërmit kërkuan sistemim në Shtëpinë e të moshuarve Kavajë, por në këtë institucion kufiri moshor është 60 vjeç. Pas apelit në “Stop” reagoi drejtori i “Shtëpisë së të Moshuarve Kavajë”, Neritan Bajaziti. Ai tha, se do të merrej me dokumentacionin, për ta strehuar në këtë institucion.
Pas miratimit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Kavajë dhe pas gjithë procedurës së dokumentacionit të kontrollit shëndetsor, drejtori Bajaziti, bashkë me gazetaren e “Stop”, e morën Arbenin nga banesa e tij dhe e shoqëruan në Shtëpinë e të Moshuarve. Arbeni u strehua në “Shtëpinë e të Moshuarve” Kavajë, por këtu nisën të gjithë problemet.
Drejtori i institutucionit ka kontaktuar me emisionin “Stop”, Neritan Bajaziti, tregon se ka marrë një propozim për largim nga detyra nga ana e Shërbimit Social Shtetëror. Ai thotë, se i ka ardhur një grup monitorimi nga Shërbimi Social Shtetëror, i cili ka pretenduar shkelje të masave anticovid, gjë që nuk është e vërtetë.
Bajaziti shprehet se në datën 21 është marrë propozimi për largim nga puna, por ai shton se nuk ka pasur asnjë paralajmërim dhe nuk është shkelur asnjë masë kundër COVID-19. Sipas dokumentit të Shërbimit Social Shtetëror nuk janë bërë aktivitete argëtuese, ndaj dhe drejtori duhet të shkarkohet.
Lidhur me rastin “Stop” ka shkuar dhe në Bashkinë Kavajë dhe aty i thonë se ka qenë Shërbimi Social që ka kërkuar largimin e drejtorit nga puna pasi janë gjetur disa shkelje. Nënkryetari i bashkisë, Gëzim Kola, shprehet se nuk i janë gjetur shkelje drejtorit Neritan Bajazit.
Duke qenë se bashkia shprehet se nuk ka asnjë shkelje, gazetarja e “Stop” komunikon me drejtoreshën e shërbimit social, Luneda Sufali, e cila thotë, se kontrolli është bërë para dy muajsh.
Drejtoresha Luneda Sufali: Para dy muajsh, ne kemi bërë një kontroll aty në azilin e Kavajës dhe ka pas disa problematika ke administrimi, pastërtia, ke gatimi. Është në varësi të Bashkisë dhe ia çuam dhe i thamë merrni masa për problemet, që kemi gjet në qendër.
Gazetarja: Pyeta bashkinë dhe thonë që nuk kanë parë shkelje.
Drejtoresha Luneda Sufali: Unë të vë në dispozicion fletën e proces-verbalit të grupit të kontrollit që ka qenë, për pjesën e heqjes nga puna. Nuk e heq dot për atë unë!
Gazetarja: Keni bërë propozim për largim.
Drejtoresha Luneda Sufali: Ia çoj kryetarit të bashkisë dhe i them këto janë problemet. Ai e merr vetë vendimmarrjen.
Gazetarja: Neritani thotë se ka ardhur për shkak se ka dal në emisionin “Stop”.
Drejtoresha Luneda Sufali: As bëhet fjalë fare! Më beso, që nuk ka lidhje fare!
Gazetarja: Ideja është që ti mbështesim këta titullarët.
Drejtoresha Luneda Sufali: Kur të ka ardhë kontrolli thuaj, kontrolli të ka ardhë para… Si i bie tani? Kemi pas informacion përpara?
Gazetarja: Keni bërë një kontroll pse nuk e keni bërë propozim më parë.
Drejtoresha Luneda Sufali: Të thërras grupin tim të monitorimit, të mbajnë përgjegjësi për të gjitha, çfarë kanë shkruajtur aty! Po të nxjerr unë personat, që kanë qenë në monitorim aty! Fol vetë me ato!
Por nga ana tjetër nëndrejtoresha thotë, se kontrolli është bërë në 9 shtator. Sipas drejtueseve të këtij institucioni, nëse do të ketë pasakatësi, do të mbajë përgjegjësi grupi i kontrollit.
Gazetarja: Po çfarë periudhe e keni bërë ju inspektimin, moj zonjë?
Zv. drejtoresha Aida Cavo: E kemi bërë më 9 shtator!
Gazetarja: Tani, po bini në kundërshtim me titullaren tuaj, sepse…
Drejtoresha Luneda Sufali: Para dy muajsh ne kemi bērë një kontroll aty në azilin e Kavajës.
Gazetarja: Tani, ndajeni ju!
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Jo, jo,jo janë bërë disa kontrolle.
Gazetarja: Nga data 10 zonjë deri më datë 18 mund t’i thonit këtij zotërisë, o Neritan këtu, këtu nuk shkon!
Zv. drejtoresha Aida Cavo: E thirrëm! E thirra unë, bashkë me grupin!
Gazetarja: Kur e ke thirrur?
Zv. drejtoresha Aida Cavo: S’jam shumë e sigurtë për datën, por e thirra!
Gazetarja: Zotëri, ke ndonjë shkresë? Të është tërhequr vëmendje? Jo, tha. Ju po thoni, që kontrollin e keni bërë më 10 shtator, drejtoresha juaj më tha, që është bërë para dy muajsh.
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Janë bërë disa zemër, janë bërë disa. Nuk është bërë vetëm një kontroll!
Gazetarja: Po mirë, kur bëhen disa, një vërejtje e ke ti. Kur të përjashtojnë nga puna e ke një vërejtje, fillimisht! Thuhet, dëgjo unë po të paralajmëroj, 1 muaj ke kohë sipas “Kodit të Punës” merr masa, se do ikësh nga puna, do lëvizësh.
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Ne kemi të drejtën të bëjmë propozimin
Gazetarja: Nëqoftëse ju propozoni ” largim nga puna” të titullarit të “Shtëpisë së të Moshuarve”, i bie, që propozoni largimin nga puna të Kryetarit të Bashkisë së Kavajës.
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Jo!
Gazetarja: Po se….po, po,po, po.
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Jo pra, jo!
Gazetarja: Po pra, po.Sepse është Bashkia e Kavajës, që merret me monitorimin e këtyre masave.
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Fondet i kemi ne! Regjistrin e aprovojmë ne!
Gazetarja: Po ju, moj ju i keni fondet! Por është në varësi të Bashkisë, moj zonjë!
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Patjetër, pra!
Gazetarja: Ju vetëm e financoni “Shtëpinë e të Moshuarve”.
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Dhe kontrollojmë standardet.
Gazetarja: Epo i kontrollon edhe Bashkia pra!
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Patjetër!
Gazetarja: T’ju bëj edhe një pyetje? Nëqoftëse Bashkia, pas monitorimit, që i keni bërë, rezulton që Neritanin e gjen në rregull, cfarë do bëni ju në këtë rast?
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Patjetër!
Gazetarja: Do tërhiqeni nga ky propozim?
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Po, patjetër! Do vemi dhe ne, dhe bashkë me Bashkinë do ta verifikojmë dhe do të themi, po kjo është bojëqielli (tregon një shami bojëqielli).
Gazetarja: Nuk është në rregull grupi i monitorimit tuaj, pastaj!
Zv. drejtoresha Aida Cavo: Jo, nuk mund të dali ashtu! Atëherë, unë ju siguroj, që ne do të mbajmë qëndrim për grupin./tvklan.al