Gazetari Sokol Balla ka hedhur kritika ndaj kolegëve të tij gazetarë, të cilët kërkojnë të shkatërrohet vendi, vetëm e vetëm që të largohet Rama nga pushteti.
I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Provokacija”, Balla tregoi se të njëjtët persona që sot bëjnë thirrje për largimin e Ramës, dëshironin që Shqipëria të digjej në vitin 1997 vetëm që të ikte Sali Berisha.
“Të kesh opinion dhe një opinion të sigurt, janë dy gjëra që nuk shkojnë. Opinioni nuk mund të jetë asnjëherë i sigurt. Shumica e këtyre që flasin me siguri të plotë, për shkak se janë të rreshtuar nuk u intereson fare informacioni, atyre u intereson e vërteta e tyre subjektive. Unë jam gazetar i faktit dhe e di se për kë flisni.
“Është e njëjta kategori, që unë i njoh shumë mirë, kam punuar me ta, kam bashkëpunuar në ambiente profesionale me ta, dhe janë të njëjtit njerëz, që donin që Shqipëria të digjej në vitin 1997 vetëm të ikte Sali Berisha nga pushteti. Pra janë të njëjtat emra. Atë kohë për shkak të miqësisë së afërt me ta, debatoja, dhe nëse do kisha mundësi edhe tani do u thoja: Po digjet Shqipëria, po ne ku do jetojmë? Pra janë të njëjtët emra që kërkojnë të digjet gjithçka vetëm që të iki Edi Rama nga qeveria. Gjithsesi nuk besoj që sot janë të tilla kushtet dhe arsyet që të shkohet në përplasje civile”, deklaroi Sokol Balla.