Në një kohë kur zgjedhjet lokale të 30 Qershorit janë vënë në pikëpyetje, kjo për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës, Partia Socialiste ka dërguar në KQZ kërkesën për regjistrim. Shkresa në fjalë mban firmën e Blerina Gjylametit, e cila është sekretarja për koordinimin elektoral në PS.
Vlen të theksohet fakti se afati për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e Qershorit përfundon në 21 Prill, ndërsa deri më tani nuk është regjistruar asnjë prej partive opozitare. PD dhe LSI këmbëngulin se zgjedhjet lokale nuk do të mbahen, për sa kohë që qytetarëve iu është mohuar e drejta e zgjedhjes.
Teksa asnjë nga partitë e opozitës nuk ka dorëzuar në KQZ kërkesën për të qenë pjesë e zgjedhjeve, kjo nënkupton se deri tani janë me një këmbë drejt bojkotit.