Një sërë konfliktesh të ndryshme kanë bërë që ndeshja miqësore që po zhvillohej në fushën e Orzinuovi, krahinë e Brescia, mes “Dallëndysheve” të Serisë A dhe ekipit serb të Vojvodinës, të lihej në mes.
Vetëm pas 30 minutave lojë, kur rezultati ishte 2-0 për vendasit, arbitri ka qenë i detyruar të ndërpresë ndeshjen, pasi lojtarët e Vojvodinës braktisën fushën në shenjë proteste, si pasojë e kartonit të kuq të marrë nga një prej lojtarëve.
Pas 15 minutave ndërprerje, presidenti i klubit serb ka detyruar lojtarët e tij të ktheheshin në fushën e lojës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-1.
Por atëherë kur dukej se tensionet kishin marrë fund, në minutën e 52-të, disa tifozë serbë janë futur në fushë për shkak se panë në anën tjetër të stadiumit, disa flamuj të Shqipërisë.
Në fushë ka shpërthyer kaosi dhe arbitri ka vendosur të ndërpresë përfundimisht ndeshjen, që nuk mund të konsiderohej më një miqësore.