Vijojnë përplasjet mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Rama ka komentuar sot gjatë një takimi me banorët e njësisë nr.2 në Tiranë vendimin e Metës, i cili theksoi sërish sot në një konferencë se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor.
Kreu i qeverisë, duke iu referuar anulimit të zgjedhjeve, tha se “kjo nuk ka shans të ndodhë”. Po ashtu, Rama foli për vendimin e partive opozitare për të mos hyrë në zgjedhje, duke e konsideruar këtë “një vetëvrasje politike”.
“Gjëja më e rëndësishme për ne është që procesi të jetë sa më korrekt. Mungesa e kundërshtarëve e bën të komplikuar fushatën nga një anë tjetër, sepse një pjesë thonë s’ka kundërshtarë, s’ia vlen, do ikim në plazh, një pjesë tjetër thonë s’jam duke shkuar se vota ime është e fshehtë.
Por do duhet vëmendje e madhe për të pasur proces të rregullt. Secili mund të zgjidhet, nëse dëshiron të paraqitet, pastaj secili në mendjen e vet do me u zgjedh apo jo. Është një vetëvrasje politike spektakolare, por nuk kemi çfarë të bëjmë ne. Nuk ka shans të ndodhë kjo që thonë ata ‘unë nuk jam gati për ndeshje, ti s’do hysh në stadium’”, theksoi Rama.