Në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se analizat e pacientëve të dyshuar kanë dalë negative.
“Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të tre pacientëve. Testet kanë rezultuar negative për SARS-CoV-2, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2, ndërsa dy prej tyre është Influencë B pozitiv”, thuhet në njoftim.
IKSHPK bën të ditur se janë duke pritur rezultatet edhe të katër pacientëve.
“Sot pasdite kanë ardhur edhe katër mostra, një nga klinika pediatrike dhe tri nga Klinika Infektive të cilat në Laboratorët e IKSHPK kanë hyrë menjëherë në punë dhe do t’ju informojmë me kohë porsa të përfundojë puna në laborator”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.