Për shkak të koronavirusit, situata paraqitet mjaft kritike në Spanjë.
Sipas të dhënave më të fundit të bëra publike nga autoritetet zyrtare në Spanjë, në 24 orët e fundit 738 persona kanë humbur jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në 3434.
Ndërkohë janë konfirmuar gjithsej mbi 47600 raste me COVID-19.
Vendi iberik kalon kështu Kinën për numrin më të lartë të viktimave nga Covid-19, që numëron 3,281 viktima, duke u renditur i dyti pas Italisë, ku kanë humbur jetën deri tani 6,820 persona.
Madridi mbetet zona me numrin më të madh të rasteve me koronavirus, ndërsa pas tij vjen Katalonja.
Si është situata në SHBA?
Pandemia globale ka vrarë më shumë se 660 njerëz në Shtetet e Bashkuara. Nga koronavirusi i ri janë infektuar më shumë se 50,000 njerëz.
Vlen të theksohet fakti se SHBA-ja do të ndajë 2 trilion dollarë si masë kundër koronavirusit.
Senatorët e SHBA-së dhe zyrtarët e administratës së Presidentit, Donald Trump, kanë arritur një marrëveshje mbi një projekt-ligj për të lehtësuar ndikimin ekonomik të shpërthimit të koronavirusit.
Udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer e quajti masën “paketën më të madhe të shpëtimit në historinë amerikane”, duke e përshkruar atë si një “Plan Marshall” një referencë ndaj programit të financuar nga SHBA-ja që ndihmoi në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.
Disa shtete në SHBA kanë urdhëruar mëse 100 milion njerëz – gati një e treta e popullsisë – të qëndrojnë në shtëpi.