Kosova nisi një faqe të re në historinë e saj politike gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, duke “përjashtuar” nga koalicionet qeveritare ishluftëtarët e UÇK-së, të parë si shpëtimtarë deri dje.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e Kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së, ka marrë vetëm rreth 12 për qind të mbështetjes. Por Haradinaj, i cili i shkaktoi vetë zgjedhjet e parakohshme me vendimin për dorëheqje, ka deklaruar se nuk është penduar për vendimin e tij, edhe pse tani do të qëndrojë në opozitë. Sipas tij, gara ishte e drejtë dhe e qetë, si dhe e ngriti Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model në rajon.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës e drejtuar nga Kadri Veseli (ish-kreu i shërbimit informativ të UÇK-së), pas shumë vitesh në Qeveri, ka dalë në opozitë. Por humbja më e madhe ishte për Nismën Socialdemokrate dhe kreun e saj Fatmir Limaj, ish-komandant i UÇK-së, i cili mund të mos jetë më pjesë e jetës parlamentare në Kosovë. Kosovarët me sa duket nuk kanë arritur të marrin pritshmërinë e tyre nga shpëtimtarët gjatë kohës së luftës. Këtë herë ata zgjodhën ndryshimin e madh.
Për herë të parë, Lëvizja Vetëvendosje, e parë si një lëvizje e linjës së ashpër e drejtuar nga Albin Kurti, do të jetë në krye të Kosovës. Një ndryshim drastik, i cili vjen në një periudhë kur Kosova është pranë vijës përfundimtare për të gjetur marrëveshje me Serbinë. Por cilët janë politikanët “e ndëshkuar” këtë herë për të qëndruar larg qeverisjes në Kosovë? Fatmir Limaj, i njohur ndryshe si Komandant Çeliku, është një politikan nga Malisheva që drejton Nismën Socialdemokrate.
Pas lufte, Limaj ka qenë anëtar i PDK-së. Ai u arrestua në Slloveni në 2003 dhe u gjykua në Gjykatën e Hagës në Holandë, ku u njoh i pafajshëm në vitin 2007. Iu kthye në jetën politike në Kosovë. Pasi shërbeu dy vjet në qeveri, Limaj u konsiderua si ministri më i suksesshëm në historinë e Kosovës. Në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor 2010, ai ishte politikani i tretë më i votuar në të gjithë vendin, por vendosi të mos jetë pjesë e Qeverisë. Në vitin 2014, së bashku me Jakup Krasniqin, themeloi Nismën Socialdemokrate.
Në zgjedhjet e këtij viti, Limaj rrezikon të mos jetë më pjesë e Parlamentit të Kosovës pasi nuk po arrin pragun 5 për qind të votave. Limaj ka deklaruar se koalicioni i mëparshëm me AAK dhe PDK e kanë dëmtuar partinë e tij. Kadri Veseli ishte një nga drejtuesit e rinj të lëvizjes së studentëve të Kosovës gjatë viteve 1988-1990. Gjatë Luftës së Kosovës, ai u caktua komandant i Shërbimit të Informacionit (G-2) të UÇKsë, deri në fund të luftës kur u shndërrua në të ashtuquajturin Shërbimi Informativ i Kosovës ose SHIK, një organizatë e inteligjencës nëntokësore e pasluftës e lidhur me PDK-në, deri në vitin 2008 kur shpalli shpërbërjen e saj.
Në fund të vitit 2012, Kadri Veseli zyrtarisht u bashkua me PDK, ndërsa në 27 janar 2013 u bë zëvendëskryetar i partisë. Veseli u votua Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 8 dhjetor 2014. Ai u bë kreu i partisë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, që u bë President i Kosovës. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Veseli u rizgjodh si Kryetar i Kuvendit. Këtë vit, ai kaloi në opozitë. Ramush Haradinaj ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit me UÇKnë.
Pas luftës me transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK), ai emërohet zëvendëskomandant i TMK-së. Në prill të vitit 2000 largohet nga jeta ushtarake dhe themelon partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Më 3 dhjetor 2004 në Parlamentin e Kosovës u zgjodh Kryeministër me shumicë votash. Më 8 mars të vitit 2005, Gjykata për Krime Lufte në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzë ndaj tij dhe po atë ditë Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit.
Gjatë tri periudhash gjykimi nga ndërkombëtarët përgjatë këtyre viteve, Haradinaj është gjetur i pafajshëm. Nga 9 shtatori 2017 u zgjodh përsëri Kryeministër i Republikës së Kosovës. Pas këtyre zgjedhjeve, ai kalon në opozitë.
KADRI VESELI, prej vitesh në një nga partitë më të mëdha të Kosovës që ka një dekadë që qeveris (PDK), ka dalë në opozitë me një rënie drastike të mbështetjes, duke dalë nga forcë e parë politike para dy vitesh, në forcë të tretë politike. PDK-2014 30,38 për qind PDK – 2017 (me AAK, Nisma) 33.74 për qind PDK-2019 21,05 për qind.
RAMUSH HARADINAJ, çudia që me dhjetë deputetë në Kuvend arriti të votohet Kryeministër i Kosovës në zgjedhjet e vitit 2017, këtë herë ka kaluar në opozitë edhe pse gëzoi një lloj popullariteti në rritje, pasi vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. AAK – 2014 9,54 për qind AAK – 2017 (me PDK, Nisma) 33,74 për qind AAK – 2019 (me PSD) 11,53 për qind (11 deputetë)
FATMIR LIMAJ, i parë dikur si një nga tre politikanët më popullorë në Kosovë dhe ministri më i suksesshëm në historinë e qeverisë së Kosovës, në këto zgjedhje ka humbur mundësinë të hyjë në Parlament, edhe pse partia e tij u përforcua në koalicion me dy parti të tjera Nisma – 2014 5,15 për qind Nisma – 2017 (me PDK dhe AAK) 33.74 për qind Nisma 2019 (me AKR-PD) 4,88 për qind.
DËSHTIMI I SHPEND AHMETIT
Prishtina ka qenë befasia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit në Kosovë, pasi e para, edhe në Prishtinë është renditur Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti me partinë e tij PSD, së bashku me AAK-në, në kryeqytet kanë marrë vetëm 7,167 vota. Pas tyre radhitet koalicioni NISMA-AKR-PD me 4,676 vota.
JA SA DEPUTETË KANË PARTITË
Lëvizja Vetëvendosje 31 deputetë
Lidhja Demokratike e Kosovës 30 deputetë
Partia Demokratike e Kosovës 25 deputetë
AAK-PSD 14 deputetë
NISMA-AKR-PD 0 deputetë
Lista Serbe 10 deputetë
Minoritetet e tjera 10 deputetë/Panorama