Presidenti Ilir Meta bën thirrje që propozimet që vijnë nga ekspertë për përballimin e situatës ekonomike e sociale, të merren në konsideratë! Kreu i Shtetit, ka publikuar një shkrim nga Irena Beqiraj, e cila hedh ide si të shmanget recesioni pa rritur borxhin.
Sipas tij, propozimet duhen mirëpritur në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarit, jo vetëm tani, por dhe në perspektivë afatgjatë.
“Të gjitha idetë dhe propozimet realiste e konstruktive për përballimin e situatës ekonomike e sociale, për shkak të emergjencës të shfaqur, me qëllim menaxhimin sa më efektiv e të suksesshëm, duhen mirëpritur e studiuar me përgjegjshmëri dhe vizion në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarit, jo vetëm tani, por dhe në perspektivë afatgjatë”, shkruan ai.
Me një shkrim të titulluar: “Si të shmangim recesionin, pa rritur borxhin”, theksi vihet tek pandemia e cila është goditja më e madhe që ka pësuar ekonomia botërore që nga kriza financiare e një dekade më parë.
Shtrirja e dëmit ekonomik do të varet nga shpejtësia e reagimit, si dhe nga koordinimi i politikave monetare dhe fiskale.