Reforma në Drejtësi në Shqipëri prej disa vitesh po prodhon debate të forta, në fillim me hartimin dhe me pas me zbatimin. Sot bashkëhartues dhe miratues të saj si dhe ekspertë të sistemit të drejtësisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit. Opozita dhe presidenti mendojnë se reforma është deformuar në zbatim dhe nuk i përmbahet tekstit kushtuetues të miratuar me unanimitet, dhe se po shkon drejt kapjes politike të sistemit.
Eksponentë të PS në qeveri, si dhe ekspertë pjesëmarrës në hartimin e reformës sjellin argumenta të kundërta. Vështirësitë në zbatim kanë sjellë mosfunksionimin e Gjykatës kushtetuese dhe Gjykatës së lartë. Mimoza Picari raporton nga Tirana. Reforma në Drejtësi u miratua me 140 votat në Kuvendin e Shqipërisë në 22 Korrik të vitit 2016. Ajo u parapri nga debate të forta, për më shumë se një vit dhe u asistua nga ekspertë të Euralius OBDAT dhe Komisioni i Venecias. Miratimi erdhi pas ndërhyrjes dhe ndërmjetësimit të zyrtarëve të lartë BE dhe SHBA.
Ecuria e zbatimit të Reformës në Drejtësi ka pasur ulje-ngritje dhe autorë të hartimit dhe miratimit të saj si dhe ekspertë të sistemit kanë këndvështrime të ndryshme për rezultatet, 3 vjet pas miratimit. “Kjo është një periudhë e vështirë tranzicioni, edhe sikur idealisht kjo periudhë tranzicioni të shkonte sipas mënyrës që u ideua, aq komplekse sa ishte, do kishte vështirësitë e veta teknike”, thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Nuk do të them, a është sukses apo është dështim, por mund t’ju them se nëse do të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë sekond nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese”, shprehet Ilir Meta, President i Shqipërisë.
“Shqiptarët kishin nevojë për Reformën në Drejtësi, si ujët e pakët. Por mënyra se si bëhet Reforma në Drejtësi është thelbësore. Ne kemi një sistem që është rrënuar tashmë, dhe ndërkohë nuk është ngritur ende i riu”, pohon Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisonit të Reformës në Drejtësi. “Nëse do të shohim kushtetutën në dispozitat tranzitore, aty janë vënë ca afate. Nëse do të ishin respektuar me atë consensus që u miratua kushtetuta, sigurisht që ne nuk do ishim në këtë gjendje, ku ka problematikë përsa i përket funksionimit të organeve”, pohon Sokol Sadushi, Drejtor i shkollës së magjistraturës.
Ndarja mes palëve nisi menjëherë pas miratimit me consensus të Reformës. Në gusht 2016, nuk u arritën afatet e miratimit të 7 ligjeve të emergjencës siç u quajtën ato për ngritjen e organeve qeverisëse të sistemit, përfshi dhe Vettingun rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Nga ana tjetër ne kemi faktin që ligjet sot kanë ndryshuar në thelb sistemin e drejtësisë që u miratua në datën 22 korrik 2016. I vetmi ligj që miratua me consensus ishte ai për ngritjen e SPAK”, sqaron Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Duhet të pranojmë që PD hyri e sforcuar në konsensusin e 140 votave të Kuvendit. Një vit u vonua Vetting-u në procesin e zbatimit. 6 muaj ju desh me ankimin në Gjykatën Kushtetuese dhe 6 muaj nga çadra. Sepse vetëm pas marrëveshjes së majit të 2017-ës u bë e mundur që të ngriheshin institucionet e Vetting-ut, për arsye sepse mosardhja e përfaqësuesve të PD e bënte procedurialisht të pamundur procesin”, sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Askush nuk mund të guxojë të thotë pa u skuqur, që vonesë shkaktoi opozita pse dërgoi në Gjykatë Kushtetuese ligjin e Vetting-ut për shkeljet që i ishin bërë kushtetutës së 22 korrikut. Kjo është e drejtë e pamohueshme e kujtdo”, argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për Reformën në Drejtësi.
Sipas kryetarit të komisionit për hartimin e Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, bllokimi i ngritjes së organeve të Vetting solli bllokimin e Këshillit të emërimeve në drejtësi për një vit.
“Këshilli i emërimeve në Drejtësi solli efektin tek Gjykata Kushtetuese. Të mos harrojmë ping-pongun mes presidencës dhe kuvendit apo konfliktin me prokurorinë për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pra një sërë procesesh. Por nga ana tjetër nuk e përjashtoj faktin, që me pak kujdes dhe me më shumë vëmendje mund të kishte një ritëm shumë më të mirë”, sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
“E gjithë beteja sot është se kush do të kontrollojë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse e kontrollon kryeministri Edi Rama, jo vetëm do të rrëzojë dekretet e Presidentit, jo vetëm do të shkarkojë presidentin e republikës, por do t’i vërë vulën e Gjykatës Kushtetuese të gjitha ligjeve, siç është ligji i teatrit apo koncensionet skandaloze nëse shkojnë në Gjykatë Kushtetuese”- argumenton Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
“Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së saj, lidershipi i PD ka funksionuar mbi bazën e kontrollit politik të sistemit. Në mentalitetin e tyre ishte që sistemi është i kontrolluar. Vetë sistemi është ndërtuar pikërisht për të shmangur kontrollin politik”, thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Kushtetuta u transformua, u ndryshua, u dhunua për të prodhuar sistemin që do të prodhojë kapjen dhe sot Vetting-u është një instrument qartazi, ku ata që i duhen PS selektohen dhe kalojnë për miratim në organet e tjera”, shprehet Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për Reformën në Drejtësi.
“Këtë nuk mund ta thotë opozita për një fakt fare të thjeshtë. Opozita ka qenë bashkëpjesmarrëse në përzgjedhjen e emrave të komisionerëve të organave të Vetting-ut. Emrat janë votuar edhe nga PS edhe nga PD edhe nga LSI”, thotë Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
Presidenti i Republikës ILir Meta ish-kryetar i LSI, ka shprehur rezerva të forta për reformën në drejtësi duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka kapur sistemin i ndihmuar nga një kor i strukturuar ndërkombëtarësh, si është shprehur ai.
“Unë kam bërë çdo përpjekje, ta dinë shqiptarët që Shqipëria të mos mbetet bëhet një vend qesharak. As para së të bëhej reforma në drejtësi, edhe për zbatimin e reformës, e cila është kthyer në një Ramaformë, sepse po të ishte zbatuar si reformë kushtetuese që u miratua me konsensusin e të gjithëve nuk do ishim në këtë situatë”, shprehet Ilir Meta, President i Republikës në një komunikim me median.
“Presidenti dhe partia që ai ka drejtuar para së të zgjidhej president, kanë votuar 7 ligjet kuadër të reformës në drejtësi, pra do të thotë që ka pasur vullnetin e plotë në procesin e hartimit dhe miratimit të këtyre 7 ligjeve. Nëse sot janë në opozitë dhe ka gjykim tjetër, nëse sot ka një interes tjetër, kjo është çështje tjetër.
Po i them Presidentit dhe kujtdo tjetër në këtë vend, kush të dojë Fatmir Xhafaj, Edi Rama Ilir Meta mund të shohin ëndrra për ta kapur sistemin, por nuk kapet më ky sistem”-sqaron Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“E kam thënë dhe herë tjetër kur politika të kuptojë se nuk do të ketë më dorë mbi sistemin e drejtësisë atëherë do të këtë dhe acarimin”- shprehet Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës. “Reforma e Drejtësisë në fakt është zbatuar në përputhje më kushtetutën dhe legjislacionin vendas. Ky është një proces kompleks. Reforma po ecën përpara dhe është e pakthyeshme”- u shpreh Luigi Soreca, Ambasador i BE në Shqipëri.
Sot tre vjet pas miratimit të reformës në drejtësi Gjykata kushtetuese ka vetëm një anëtare të cilës i ka mbaruar mandati, dhe Gjykata e Lartë nuk ka anëtarët e mjaftueshëm për vendime. Vettingu, ka larguar mbi 60 gjyqtarë dhe prokurorë ndërsa 35 kanë dhënë dorëheqje. Në sistemin e drejtësisë mungojnë 102 gjyqtarë dhe prokurorë, tej parashikimeve të optimistëve të kësaj reforme. “A do kishte largime kaq të mëdha. Kjo është një çështje që nuk mund të mendohej nga askush.
Si mund të mendohej, për sa kohë që nuk kishte të dhëna objektive, fakte”, pohon Sokol Sadushi drejtor i shkollës së magjistraturës. “Kam qenë i vetëdijshëm që një pjesë e mirë e atyre që shërbenin në sistem do të dilnin nga sistemi, por deri në këto përmasa, që të jem dhe unë i sinqertë nuk e kam menduar”- pohon Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Vettingu po shkakton një situatë që ne e kemi paralajmëruar, do të krijojë një gropë të madhe”, thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi.
“Opozita ka paralajmëruar vetëm një gjë që nuk e do reformën në drejtësi. Nuk them që nuk ka probleme, por janë të përkohshme, dhe si të tilla të justifikuara në raport me atë çfarë presim të ndërtojmë në këtë shoqëri” –argumenton Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi. Në gjykatën Kushtetuese sot ka 108 çështje që presin gjykimin, ndërsa në gjykatën e lartë mbi 32 mijë çështje që do te duan sipas ekspertëve disa vite të shqyrtohen.
“Më garanto drejtësinë thotë qytetari shqiptar, që kur të shkojë në gjykatën e shkallës së parë mundësisht të mbaroj punë që aty, pa shkuar në shkallët e tjera”, thotë Oerd Bylykbashi nënkryetar i komisionit për reformën në drejtësi. “Ne kemi aktualisht 5 çështje të familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Në Gjykatën e lartë ne nuk kemi ende një mundësi për t’u gjykuar, sepse presim të shprehet kjo gjykatë e cila është bllokuar”- pohon Dorjan Matlia, avokat.
“Midis gjyqësorit me disa njerëz që e kishin kthyer në pazar dhënien e vendimeve, dhe një gjyqësori që respekton ligjin dhe vetëm ligjin, unë do të preferoja të zgjidhja këtë të dytin edhe sikur për pak kohë të mungonte i pari”- shprehet Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
Drejtor i shkollës së magjistraturës porta furnizuese e sistemit me gjyqtarë dhe prokurorë thotë se janë thuajse trefishuar kandidatët me qëllim plotësimin e boshllëqeve dhe shpreson se deri në vitin 2026, kur është parashikuar të përfundojë Vettingu i afro 700 gjyqtarëve dhe prokurorëve sistemi do ta ketë marrë veten. Ndërsa Z. Fatmir Xhafaj shpreson se shumë shpejt Gjykata kushtetuese dhe ajo e lartë do jenë funksionale.
“Organet e Vetting-ut duhet të punojnë me prioritet për organet e reja të sistemit që do të thotë se organet e Vetting-ut nuk kanë luksin të bëjnë pushime, dhe as të zvarrisin çështjet, sepse prandaj paguhen shumë herë më tepër se kushdo tjetër në këtë vend, pikërisht për këtë gjë. Së dyti KED vetë duhet të ketë një ritëm tjetër”- thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të reformës në drejtësi.
Autoritetet thonë se së shpejti priten të ngrihen dhe të zgjidhen dhe organe të tjera pjesë të reformës në drejtësi si Inspektori i drejtësisë Prokurori i përgjithshëm dhe Njësia e posaçme e antikorrupsionit dhe krimit të organizuar, ose Spak siç njihet ndryshe, që do të hetojë dhe gjykojë zyrtarët e lartë dhe politikanët, por a ka vend për shpresë në përfundimin me sukses të reformës në drejtësi, “Abuzohet shpeshherë me faktin, 3 vjet çfarë u bë? Unë besoj që bëhet në mënyrë të qëllimshme nga kundërshtarët e këtij procesi dhe nga ata që kanë një pritshmëri të lartë”, thotë Fatmir Xhafaj kryetar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
“Drejtësinë komplet Ramaformë, tani të marrë dhe gjithë pushtetin vendor dhe të gjithë të dalin në diell dhe t’i bien dajres. Bukur shumë bukur”- shprehet me ironi Ilir Meta President i Republikës gjatë një konference për shtyp.
“Ne nuk duhet ta shohim më trishtim. Ju e dini që shkaku kryesor pse nisi reforma në drejtësi ishte korrupsioni”, thotë Sokol Sadushi, drejtor i shkollës së magjistraturës. “Ne duam të shohim zbatimin e ligjeve dhe njerëz në burg. Të gjithë politikanët të kuptojnë vlerën që ka mbështetja e kësaj reforme që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur”, pohoi Genoveva Calavera, në fjalën e saj në Samitin e Poznamit në Poloni.
“Unë pres me padurim ngritjen e SPAK-ut. Mundet të jetë një pritshmëri e gabuar por e presim të gjithë. E presim për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nganjëherë dhe ajo që nuk është e mirë, është më mirë të shkojë para se sa të mbetet në lluc”, thotë Oerd Bylykbashi, nënkryetar i komisionit për Reformën në Drejtësi. /Burimi: VOA