Nga: Rebecca Solnit “The Guardian”
Ndërsa jam duke shkruar, protesta të pafundme po zhvillohen në Indi kundër ligjit të ri anti-mysliman. Por nuk mund të mos përmenden edhe aktivistët në Hong Kong, të cilët po protestojnë prej muajsh për të drejtat e tyre. Ata janë solidarizuar edhe me ujgurët, që po persekutohen në anën tjetër të Kinës.
Pra kjo dekadë do të përfundojë me protesta. Por si mund të kthehet koka pas në një dekadë, kur dhe një javë në kohën e Donald Trumpit duket si një shekull, dhe kur vështirë se dikush mund të kujtojë kaosin e një muaji më parë, lëre më pastaj ato çfarë kanë ngjarë në vitin 2017, për të mos thënë dot asgjë nga epoka e largët, përpara se ai të bëhej president?
Njerëzit vazhdojnë të harrojnë atë që ka ndodhur më parë, dhe kjo është arsyeja pse ata nuk arrijnë të njohin modelet, pasojat dhe fuqinë e vërtetë të lëvizjeve popullore. Për shembull, vala e lëvizjes feministe #MeToo, trajtohet shpesh si një shpërthim i papritur i dalë nga hiçi.
Kur në fakt ai lindi në një periudhë shumë specifike: në kohën e një rritjeje të ndjeshme të feminizmit global gjatë dekadës së fundit, që kishte prodhuar lajme, protesta mbi feminizmin, përpara lëvizjes #MeToo të vitit 2017. Ajo që ka ndodhur 2 vitet e fundit, ishte në vetvete kulmimi i analizave dhe veprimeve feministe dekadat e fundit.
E gjitha kjo që ndodhi në tetor të 2017, kur në të u përfshinë edhe yjet e kinemasë. Por frika ime është që vitet 2010, ashtu si vitet 1980, keqkuptohen përmes mbi-thjeshtëzimit të gjërave. Në fakt, vitet 1980 panë një aktivizëm të jashtëzakonshëm, që pati pasoja të menjëhershme, si rrëzimi i regjimit të Markosit në Filipine në vitin 1986, rrëzimi i diktaturës ushtarake të Koresë së Jugut një vit më vonë, rrëzimi i regjimeve komuniste në bllokun lindor në vitin 1989, dhe fillimi i fundit epokës së aparteidit në Afrikën e Jugut.
Ndërkohë, pati kryengritje të fuqishme por të pasuksesshme në Burma dhe Kinë. Por nga ana tjetër u hodhën bazat për atë që do të vinte, me feminizmin, aktivizimin në luftën kundër AIDS, dhe fillimin e një zhvendosjeje të thellë nga çështjet racore dhe sociale, tek ato mjedisore.
Dikush mund ta cilësojnë këtë dekadë, si atë të ngjitjes në pushtet të Donald Trumpit, dhe liderëve autoritarë në mbarë botën. Por ka pasur edhe shumë lëvizje në drejtimin e kundërt. Nëse protestat patën një fillim të ngadaltë, ata do të “zgjoheshin” shpejt me Pranverën Arabe në janarin e vitit 2011, një nga valët më të fuqishme të lëvizjes anti-autoritare që ka parë ndonjëherë bota.
Regjimet u rrëzuan në Tunizi, Egjipt dhe Libi, teksa protestat u përhapën nga Sudani në Irak. Sigurisht që versioni sirian, u shndërrua në makthin e një lufte të gjatë civile, dhe shumë prej kombeve që u bënë pjesë e Pranverës Arabe, nuk përfunduan në një situatë më të mirë.
Por protestat, e bënë të qartë për cilindo, se edhe diktatorët e mbështetur nga ushtritë nuk janë të paprekshëm, se njerëzit e zakonshëm kanë ndonjëherë së bashku një fuqi të jashtëzakonshme, se dëshira për demokraci në botën islamike është e fuqishme, dhe se historia shkruhet ndonjëherë dhe nga të shtypurit, kur ata pushojnë së qëni të tillë.
Në tetor të të njëjtit vit, shpërtheu lëvizja “Occupy Wall Street” (Pushto Wall Street-in). Kryengritja feministe ka qenë globale, me “shpërthime” serioze në Kili, Meksikë, Korenë e Jugut, Japoni, Pakistan, Kenia etj. Dhe “Occupy Wall Street” u ndikua shumë nga Pranvera Arabe dhe lëvizjet anti-kapitaliste në Greqi dhe gjetkë.
Edhe lëvizja kundër ndryshimeve klimatike, u fuqizua dhe u sofistikua. Ajo është udhëhequr shpesh edhe nga indigjenët, nga Arktiku në Ekuador deri në Paqësorin e Jugut dhe më gjerë. Kjo lëvizje u bë një forcë e fuqishme, që do të forcohet më shumë në vitin 2020, dhe duhet të triumfojë dekadën e ardhshme.
Por ajo që ka qenë më e rëndësishme se çdo lëvizje e veçantë në këtë dekadë, është zhgënjimi. Dhe e them këtë gjë në sensin pozitiv: ne lamë pas iluzionet. “Black Lives Matter”, e themeluar në vitin 2013 dhe lëvizjet e tjera anti-raciste nëpër botë, e përgënjshtruan ndjesinë se racizmi ishte zhdukur, dhe se përparimi linear ishte i besueshëm dhe i pashmangshëm.
Dekada që po mbaron, nisi dikur pas krizës financiare globale, dhe “Occupy Wall Street” ishte vetëm njëri nga reagimet ndaj lakmisë dhe dritëshkurtësisë së sistemit financiar. Fakti që sistemi ekonomik aktual nuk po funksionon për njerëzit e thjeshtë, ka shkaktuar protesta, të cilat nuk mund të klasifikohen si të majta.
Këtu përfshihen protestat e Jelekverdhëve në Francë, njerëzit që votuan për Trumpin në SHBA, me besimin se ai ishte një populist ekonomik, dhe votuesit britanikë që i thanë po Brexit-it, pasi mendonin se sistemi nuk funksiononte për ta. Një formë e befasishme rezistence është shfaqur kohët e fundit midis punonjësve në Facebook, Amazon dhe Google, që protestojnë kundër aspekteve amorale të korporatave ku ata punojnë.
Punonjës nga të treja kompanitë janë pushuar nga puna, pas grevës mbi ndryshimet e klimës në muajin shtator. Lëvizja klimatike është pashmangshëm një lëvizje anti-kapitaliste. Që kapitalizmi është mënyra më e mirë ose e vetmja për t’i bërë gjërat, në triumfalizmin që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik, kjo është rikonfirmuar vazhdimisht.
Strategisti i lëvizjeve paqësore Xhorxh Lakej, thotë se polarizimi sjell qartësi dhe një fleksibilitet, që e bën më të mundur ndryshimin pozitiv. Ne kemi tashmë polarizimin dhe zhgënjimin, dhe me perspektivën se si arritëm këtu dhe arritëm të fitojnë, mund të pretendojmë shanset tona për sukses edhe në dekadën e ardhshme.
TIRANA TODAY