Një shqiptare e cila jetonte në Itali ka ndërruar jetë ditën e sotme, si pasojë e koronavirusit.
Shpresa R, 69 vjeç, emigrante nga Durrësi ndërroi jetë në spitalin e qytetit të Lodit, në afërsi të Milanos ku edhe jetonte.
Ndërkohë mësohet se edhe bashkëshorti i saj ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore. Familja nga Durrësi kishte emigruar në Itali në vitin 2000.
Ende nuk dihet sa është numri i shqiptarëve që kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në shtetin fqinj. Javën e kaluar mediat italiane publikuan foto të makinave funerale në portin e Barit, të cilat po niseshin drejt Shqipërisë.
Italia është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në botë. Deri më tani ajo regjistron 19,899 viktima, teksa ende nuk është publikuar raporti i 24 orëve të fundit.
Mbi 156 mijë raste infektimi janë regjistruar në Itali, ndërsa vetëm 102 mijë prej tyre janë ende raste aktive.
Ndërkohë në Shqipëri janë shënuar gjithsej 467 raste infektimi, teksa 23 persona kanë humbur jetën. Deri më tani, 232 persona janë shëruar nga koronavirusi në vend, ndërsa 212 raste janë ende aktive.