Tashmë shqiptarët nuk kanë asnjë shpresë se do të përfitojnë azil nga Gjermania, prandaj duket se kanë hequr dorë nga vend i shumëkërkuar për ta.
Por, mos mendoni se shqiptarët kanë hequr dorë nga azili! Thjesht kanë ndryshuar destinacion.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2017 Franca është vendi me numrin më të lartë të kërkesave për azil nga ana e shqiptarëve
Kështu, vetëm në janar 1,030 shqiptarë kërkuan azil në Francë, ndërsa në shkurt numri ishte 880, në mars 1,200 dhe në prill 1,170, shifra këto thuajse dy herë më të larta se numri i kërkesave të shqiptarëve për azil në Gjermani.
Duket se shqiptarët e shohin Francën si më favorite për të përfituar azil, por në një takim të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati me homologun e tij francez, u theksua se mundësitë për azil në shtetin francez janë shumë të vogla.
Në takim, të dy ministrat diskutuan një plan të përbashkët për të frenuar fluksin e azilkërkuesve në Francë brenda tre muajve të ardhshëm.