Rreth 300 familjeve nga këto pakica kombëtare kanë përfituar të drejtën që të zhvendosen në shtëpi të rikonstruktuara dhe me kushte më të mira nga projekti “Për përmirësimin e kushteve të banimit të komunitetit Rom dhe Egjiptian” që zhvillohet nga Ministria e Zhvillimit Urban.
Për vitin 2017, nga programi përfituan 13 bashki me vlerë rreth 139 milion lekë, konkretisht bashkitë: Roskovec, Fier, Mirditë, Shijak, Krujë, Pogradec, Librazhd, Vlorë, Elbasan, Lushnjë, Rrogozhinë, Devoll dhe Korçë.
Këto bashki do të përfitojnë në vlera nga 2.7 milionë lekë, deri në 16 milionë lekë dhe do të shkojnë kryesisht për rikonstruktimin e godinave ekzistuese, ngritjen e strukturave të reja, apo për ndërtimin e impianteve të nevojshme.
Që prej vitit 2014, me fonde të kësaj ministrie janë investuar 247 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të 469 banesave të komunitetit Rom dhe Egjyptian, në 15 bashki të vendit.
Falë zbatimit të këtyre projekteve janë 1 876 qytetarë të këtij komuniteti që jetojnë në kushte të përmirësuara jetese dhe mbi 1 mijë qytetarë që jetojnë në kushte më të mira higjieno-sanitare falë ndërhyrjeve në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.
Ndërkohë, me fondet e buxhetit të shtetit është parashikuar që të përmirësohen kushtet e jetesës për 740 qytetarë të komunitetit Rom dhe Egjiptian.