E diel, 17 Janar, 2021
-1 C
Tirana

Shqipëria dhe Kosova-politikë të jashtme dhe diplomaci si fotokopje dështimesh

Nga: Prof. Lisen Bashkurti

Viti 2020 për Shqipërinë dhe Kosovën ishte plot sfida, disa të parashikuara e disa të tjera të papritura, disa të brëndshme dhe disa ndërkombëtare, disa politike e disa të tjera ekonomike dhe sociale. Por, vështruar në tërësi viti 2020 për Shqipërinë dhe Kosovën nuk do kujtohet për mirë, por si një vit plot kriza, tensione dhe tronditje të mëdha, që përfshinë gjithë jetën e vëndit në tre dimensionet kohore, të kaluarën, të sotmen dhe deri diku edhe të ardhmen e tyre. E, si gjithnjë, për vetë specifikat e rastit shqiptar në Ballkan, politika e jashtme dhe diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës kanë qënë krijueset dhe bartëset kryesorë të tablosë së vitit 2020.

1.Politika e jashtme dhe diplomacia-biznes i të gjithëve dhe i asnjërit

Ndonëse kushtetutat e Shqipërisë dhe Kosovës i kanë të parashikuara qartë pushtetet, ndarjet e tyre si dhe kompetencat e secilit lidhur me politikën e jashtme dhe diplomacinë, sërish duhet thënë se politika e jashtme dhe diplomacia në Shqipëri dhe Kosovë duket se janë biznes i të gjithëve dhe i asnjërit. Janë biznes i të gjithëve për të marrë gradat e patriotizmit, të politikës së madhe, të tërheqjes së elektoratit, të opinionit publik dhe të medias brënda dhe jashtë vëndeve. Janë biznes i asnjërit sepse mbas dështimeve kurrkush nuk merr dhe nuk mban përgjegjësi për to.

Kjo qasje ndaj politikës së jashtme dhe diplomacisë në Tiranë dhe Prishtinë, në njëfarë mënyre i bën ato fotokopje të dështuara të njëra-tjetrës, pa u kuptuar se kush është origjinali dhe kush është kopja. Ajo që duket qartësisht është fakti që politika e jashtme dhe diplomacia në të dy vëndet vitet e fundit janë hallakatur pa bosht dhe dilentantizuar kaq shumë, saqë mund të thuhet se kanë humbur cdo vlerë trashëgimore e historike, cdo strategji e prioritet, vazhdimësi e novacion, kulturë e profesionalitet, aftësi dhe dinjitet kombëtar e ndërkombëtar. Ky degjenerim i politikës së jashtme dhe diplomacisë në Shqipëri dhe Kosovë ka krijuar më së shumti pështjellimet me të cilat të dy vëndet po përballen në arenën ndërkombëtare, duke filluar nga politikat me fqinjët direkt, me rajonin e më tej me Bashkimin Europian, ShBA dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar.

Një kaos dhe dilentatizëm i tillë në Shqipëri dhe Kosovë po ndodh kryesisht për faj të politikës, të eksponentëve më të lartë të saj, të përzjerjes së tyre vënd e pavënd në politikë të jashtme dhe diplomaci, kryesisht të motivuar politikisht e konjukturalisht, pa kurrëfarë lidhje strategjike, kulturore dhe profesionale. E, kjo gjëndje është krijuar në Kosovë, kryesisht nga protagonizmi ekstrem i ish Presidentit Thaci, i cili e mori zvarrë me vete politikën e jashtme dhe diplomacinë e Kosovës në cdo pozicion kudo ku punoi, pavarësisht nga kompetencat e ndryshme kushtetuese si dhe nga kultura e tij tejet kufizuar dhe profesionliteti i tij mjaft i dobët në këto fusha.

Ndërsa në Shqipëri një sjellje të tillë e ndërmori Kryeministri Rama, i cili gjithashtu vuan rëndë sëmundjen e protagonizmit politik brënda dhe jashtë vëndit, pavarësisht nga aftësisë së tij dukshëm të kufizuara në politikën e jashtme dhe tejet diletante në diplomaci.  Por, ndryshe nga Thaci, Rama e zyrtarizoi monopolizimin e centralizimin në politikën e jashtme dhe diplomacinë përmes unifikimit të pozicionit të tij si Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm. Duke unifikuar këto dy pozicione Rama u nis që të forconte kontrollin mbi dy sferat e politikës, por në fakt e dobësoi atë akoma më shumë.

Konjuktura e ngarkoi dhe njëkohësisht e dënoi Ramën që të mbante mbi shpatulla në të njëjtën kohë Kryministrin e një vëndi të goditur nga tërmeti, të prekur rëndë nga pandemia, ta raskapitur nga kriza ekonomike e sociale, me atë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të presuar nga integrimi i dështuar shtatë herë në BE si dhe me atë të drejtuesit të OSBE në pikun e krizave të sigurisë, demokracisë dhe bashkëpunimit transatlantik. Duke pretenduar për t’i mbajtur të tre këto pozicione, në fakt Rama dështoi në të trija njëkohësisht. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse në demokracinë liberale që Shqipëria po ndërton, përpjekjet për centralizim shpien pashmangshëm në dështim. Kjo është aksiomë.

2.Politikë e diplomaci-pa arkiv, qëndrueshmëri e vazhdimësi

Politika e jashtme dhe diplomacia janë dimensioni më konservator i politikave publike. Kështu ka qënë, është dhe do të mbetet që kur është krijuar shteti me karakteristikat etij në rendin ndërkombëtar politik dhe juridik. Po të vështrosh në ShBA, ka shumë eksponentë të politikave publike, por në politikën e jashtme dhe diplomaci ka një grusht njerëzish tejet kompetentë, me memorie arkivore, me qëndrueshmëri strategjike e prioritetesh, me profesionalizëm dhe aftësi të shquara, duke nisur nga Henri Kisinger e deri te Madalenë Albright. Po të shohësh Gjermaninë, politika e jashtme dhe diplomacia e saj për afro tre dekada ishte në duart e Hans Ditrih Gensher, një mjeshtër i madh, i cili udhëhoqi ndërkombëtarisht procesin e ri-bashkimit të Gjermanisë dhe atë të integrimit European. Në Rusi në krye të politikës së jashtme dhe diplomacisë qëndron prej më shumë tre dekadash Lavrovi, një diplomat brilant, më kulturë, profesionalitet dhe aftësi të spikatura në rafsh ndërkombëtar.

Lexo edhe :   Plas e qeshura/ Basha: Mos kaloni degë më degë se ngelni në vend të keq pastaj

Politika e jashtme dhe diplomacia janë arkivë. Kjo do thotë se drejtuesit e tyre lypet të kenë formim diakronik, të jenë memorie e gjallë, të njohin cdo labirinth të marrëdhënieve ndërkombëtare, bilaterale e multilaterale, të njohin traktatet, marrëveshjet e protokollet ndërkombëtare, firmosjet, ratifikimet, zbatimet e problemet, afatet e mbarimit apo të rinovimit të tyre. Thaci dhe Rama ishin e mbeten “tabula rasa” në formimin e tyre arkivor. Të gjithë e kujtojmë se cfarë përgjigje mori Rama nga Lavrovi për traktatin Shqipëri-Rusi, kur Kryeministri Shqiptar doli zbuluar e krejtësisht i painformuar për arkivën e diplomacisë shqiptare. Ose le të kujtojmë deklaratat kontraverse të Thacit lidhur me “shkëmbim territoresh”, “ndryshim kufijsh”, “rishikim të kufijve”, etj., që ndryshonin nga një takim në tjetrin, sikur të shkruheshin në rërë.  Të dy, Rama e Thaci nuk njihnin as arkivat klasike, madje as arkivat e tyre, duke krijuar kështu shkatërrim strategjik të politikës së jashtme dhe diletantizim të skajshëm të diplomacisë së të dy vëndeve.

Lexo edhe :   Plas e qeshura/ Basha: Mos kaloni degë më degë se ngelni në vend të keq pastaj

Duke injoruar arkivat, pra memorien e shtetit të dy, Thaci e Rama devijuan rëndë nga binarët e qëndrueshmërisë dhe të vazhdimësisë së politikës së jashtme dhe të diplomacisë. Dhe këtë e bënë përballë Serbisë, që është tejet konservatore, madje e skajshme në fushat politiko-diplomatike, por edhe përballë Greqisë, e cila, gjithashtu, është tejet konservatore në strategjinëe afatgjate të politikës së jashtme dhe të veprimit diplomatik. Të dy, Thaci e Rama do kujtohen, për aq sa do mbahen mënd, për lojë politiko-diplomatike në terren të zbrazët, pa memorie, pa qëndrushmëri dhe pa vazhdimësi.

2.Liderët politiko-diplomatik-“Patriotë” në opozitë, “tradhëtarë” në qeveri

Në të dy vëndet, Kosovë dhe Shqipëri, me politikën e jashtme dhe diplomacinë luhet me mungesë të dukshme përgjegjshmërie. Liderët politikë, si bredharakë që prej vitesh luajnë herë në qeveri e herë ne opozitë, hedhin ide, mbajnë qëndrime dhe bëjnë veprime inkonsistente lidhur me politikën e jashtme dhe diplomacinë e shteteve të tyre, pa e vrarë mëndjen se aktorët ndërkombëtar dhe diplomatikë memorizojnë cdo ide, qëndrim e veprim të armiqve ose partnerëve të tyre. Më tipike janë luhatjet, kundërshtitë e herë herë mohimet plota të ideve, qëndrimeve dhe veprimeve të liderëve tanë politikë madje edhe për cështje kapitale.

Këto luhatje, kundërshti dhe mohime të plota të vetevetes i kanë vënë vazhdimisht liderët politikë kryesorë në Kosovë dhe në Shqipëri në pozita të vështira e kontradiktore, madje edhe qesharake, duke marrë epitetet “partiotë” kur janë në opozitë dhe “tradhëtarë” kur vijnë në qeveri.

Le të kujtojmë se cfarë ndodhi me përcaktimin e kufirit territorial midis Kosovës dhe malit të Zi. Për shumë vite z. Haradinaj luftoi fuqishëm kundër ndarjes së kufirit me Malin e Zi në parametrat e ofruara nga Thaci e qeverisja e tij. Mirëpo, po ky Haradinaj, sapo erdhi në qeveri, zhveshi “rrobat’ e opozitarit dhe bashkë me to ndryshoi kryekëput idetë, qendrimet e veprimet e veta, duke miratuar e ratifikuar të njëjtin kufi të dizjanuara nga paraardhësi i tij. Kur ishtë në opozitë Haradinaj u quajt “patriot” e kur u bë krymeninistër mori epitetin “tradhëtar”. Ky është cmimi i inkonsistencës politiko-diplomatike.

Le të kujtojmë procesin e negociatave Shqipëri-Greqi për delimitimin e kufirit detar midis tyre. Në vitet 2008-2009 kur Qeveria Berisha-Basha definuan kufijtë detar me Greqinë, Rama mori stafetën e kundërshtimit të kësaj marrëveshje, duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese dhe duke akuzuar publikisht dyshen Berisha-Basha për “tradhëtar” të interesave kombëtare. Mbas afro dhjetë vitesh, kur palët ndërruan pozicionet, ishte Qeveria Rama-Bushati që negociuan me palën Greke për një marrëveshjen detare. Procesi shkoi gati në finalizim. Por sic dihet ngeci rrugës, sepse kundërshtitë midis palëve dhe midis vetë palës shqiptare ishin të mëdha. Si pasojë procesi i negociatave dështoi plotësisht. Palët, qartësisht me prapavijë shtyse Greke, po e shpien procesin në Gjykatën Ndërkombëtar për të Drejtën e Deteve. Optimizmi i dyshes Rama-Bushati shpejt u shndërrua në trishtim. Ish opozitarët “patriotë” të viteve 2008-2009 u shndërruan në qeveritarë “tradhëtar” në vitet 2013-2020. Ky është cmimi i inkonsistencës dhe i papërgjegjshmërisë për deklarimet, qëndrimet e veprimet në politikën e jashtme dhe diplomaci.

Viti 2020 për Shqipërinë dhe Kosovën do kujtohet gjatë, sidomos për dështimet në politikën e jashtme dhe diplomacinë e dy shteteve tona, Shqipërisë dhe Kosovës. Ndonëse kushtetutat e Shqipërisë dhe Kosovës i kanë të parashikuara qartë pushtetet, ndarjet e tyre si dhe kompetencat e secilit lidhur me politikën e jashtme dhe diplomacinë, procedurën politikë-bërëse dhe vendim-marrëse, sërish duhet thënë se politika e jashtme dhe diplomacia në Shqipëri dhe Kosovë duket se kohët e fundit janë bërë biznes i të gjithëve dhe i asnjërit. Për vitin 2020 barrën e përgjegjësisë në dështimet e politikës së jashtme dhe diplomacisë së të dy vëndeve e mbajnë kryesisht dyshja Rama-Thaci, të cilët e pesonalizuan politikën e jashtme dhe diplomacinë, duke injoruar kompetencat kushtetuese, transparencën publike, domosdoshmërinë gjithëpërfshirëse dhe rëndësinë e trashëgimisë dhe të vazhdimësisë në këto fusha konservatore të politikave publike.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Bayern-in e nderon senatori Muller, por sa vuajtje me Freiburg

Fitore me vuajtje. Bayern Munich mposht Freiburg 2-1 dhe në fund duhet të falënderojë fatin pasi miqtë goditën tranversën që mund të sillte golin...

Koronavirusi i ri në Kosovë? Dërgohen 30 mostra për verifikim në Berlin

Kosova ka dërguar 30 mostra në Berlin për të parë nëse koronavirusi i ri ka mbërritur edhe në vendin e tyre. S30 mostra të zgjedhura...

Vaksinimi kundër koronavirusit, Italia vendos rregulla të reja

Italia vendos rregulla të reja për procesin e vaksinimit kundër koronavirusit. Personat mbi moshën 80 vjeç do të rezervojnë një vend me mjekët e...

Karakaçanov: Maqedonia e Veriut, pjesa më tragjike e historisë bullgare

Zëvendëskryeministri i Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov ka përjashtuar çdo mundësi që Sofja të heqë dorë nga kërkesat e saj në raport me Maqedoninë e Veriut,...

Foto/ Kërkesa e Rugovës për të hyrë në Shqipëri gjatë kohës së Enver Hoxhës

Ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova kishte bërë kërkesë në prill të vitit 1980 për të hyrë në Shqipëri, ku kishte treguar se qëllimi i...