Policia e Fierit ka sekuestruar pasuri dhe llogari bankare të shumta të një 49-vjeçari po nga ky qytet, i cili është i dënuar me 9-vite burg si pjesë e një organizate kriminale.
Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, 49-vjeçarit, Fatos Fasko, i janë sekuestruar një numër i madh apartamentesh dhe llogarish bankare në emër të tij dhe familjarëve. Ndërsa mësohet se përmes tyre ai pastronte paratë të ardhura si pasojë e aktiviteteve të tij kriminale të mëparshme.
Njoftimi i policisë: Në vijim të punës kundër krimit të organizuar si dhe sekuestrimit të pasurisë që rrjedh nga veprimtaria kriminale, është hapur procedimi penal i regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga Neni 287 i Kodit Penal për hetime të pasurisë së shtetasit Fatos Fasko.
Si rezultat i vijimeve të veprimeve të kryera, nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Prokuroninë e Rrethit Gjyqësor Fier, u zbatua vendimi i datës 03.07.2018 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për sekuestron e pronës së shtetasit:
-Fatos Fasko, 49 vjeç, banues në Radostin, Fier, i cili është i dënuar me 9 vjet e 4 muaj burg për veprat penale “Oraganizata kriminale” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Pasuritë e sekuestruara janë: Apartament me sipërfaqe 127.68 m² në Tiranë.
- Apartament me sipërfaqe 50 m² në Fier.
- Truall me sipërfaqe 380 m² dhe 50 m² në ndërtim.
- Pronë me proces legalizimi me sipërfaqe 548.3 m² në fshatin Radostin, Fier.
- Dymbëdhjetë llogari bankare në emër të shtetasit Fatos Fasko dhe të familjarëve të tij me gjendje 1.300.000 lekë.
- Tre Automjete.
Vijon puna për identifikimin e pasurive të tjera që mund të ketë ky shtetas.