Mjeku shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda, në një intervistë për “Abc-ja e Mëngjesit” foli për situatën e pandemisë. Tani që po futemi në sezonin e gripit, situata do të jetë edhe më kritike. Por ai ka dhënë një lajm të mirë, teksa pohoi se Covidi nuk ka të njëjtën peshë virale siç e kishte në fillim.
“Në shtator është rritur numri i të infektuarve nën 18 vjeç. Këta shkojnë në shtëpi dhe infektojnë prindërit. Ky është një problem. Unë nuk mund të kalkuloj për rrezikun e gripit. Prandaj duhet që të marrim masa, sepse mund të kolapsohet sistemi. Duhet të marrim masa.
Nuk është aq agresiv sa në fillim. Përhapet më shpejt, por nuk ka atë peshë virale. Me temperaturat e larta virusi pësoi mutacion. Ne nuk e dimë çfarë mund të ndodhë në nëntor, prandaj duhet të jemi të përgatitur”, deklaroi ai.
Një temë mjaft e rëndësishme është edhe ajo e mbajtjes së maskave, dhe sa të mbrojnë ato. Shumë diskutime ka në lidhje në këtë drejtim, nëse duhet të mbahen gjatë gjithë kohës apo vetëm në ambiente publike. Po kështu me rëndësi është edhe materiali i maskës dhe sa të mbrojnë. Sallabanda theksoi se maska duhet të ketë patjetër filtër, dhe se maskat copë nuk të mbrojnë.
“Maskat kanë hapur një diskutim të madh. Problemi është që maskat na mbrojnë jo vetëm nga Covidi, por edhe nga gripi i zakonshëm. A janë maskat me copë të mira? Unë mendoj se jo. Maska duhet të ketë filtrin brenda që të na mbrojë. Unë rekomandoj mbajtjen e maskave në ambiente publike, ku nuk mund të mbajnë distancën”, u shpreh ai.