Presidenti Ilir Meta ka qenë tepër i ashpër në lidhje me Reformën në Drejtësi, ku sipas tij, do të ketë sukses vetëm kur në Shqipëri të ketë më tepër investime nga vendet e zhvilluara si SHBA, apo vendet e BE. Meta ka shprehur shqetësimin në lidhje me këtë situatë, duke thënë qartësisht se: “Jam president, nuk e di kur do të ketë Gjykatë Kushtetuese”.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga Shoqata George C. Marshall Shqipëri, me temë “Sfidat e Sigurisë në Ballkan, dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Meta vuri në dukje se aktualisht jemi në një situatë ekstraligjore. Ai paralajmëroi se Reforma në Drejtësi nuk bëhet me presion, por vetëm me standarte.
Ndër të tjera, Meta u kujdes të përçonte mesazhin se reforma do të bëhet në vendin tonë, vetëm kur të ketë investime amerikane, britanike, apo nga vendet më të zhvilluara të cilat kanë si kritere sistemin e drejtësisë dhe gjykatave.
“Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithçka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale dhe nga ndërkombëtarët. Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se çfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime.
Dhe EURALIUS i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim, se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky EURALIUS e jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë.
Kjo nuk është drejtësi europiane. Këtë historinë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjoni, reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera”, tha Meta.
Një tjetër shqetësim serioz është edhe komunikimi mes palëve politike, që prej kohësh ka një ngërç.
“Presidenti i Republikës nuk mund të ulë në një tavolinë 2-3 njerëz që njëri thotë se nuk ulem me atë kryeministër, apo me tjetrin që thotë 30 qershori do të jetë një ditë e madhe për demokracinë”, u shpreh Meta.
TIRANA TODAY