Hero është ai që bën gjëra të jashtëzakonshme në rrethana të jashtëzakonshme, duke sakrifikuar deri dhe veten e tij. I tillë ishte rasti i 18-vjeçarit filipinas Muelmar Magallanes. Ai shpëtoi jetën e të paktën 30 njerëzve nga përmbytjet e mëdha, që shkaktoi stuhia tropikale Ondoy më 26 shtator 2009. Muelmar banonte në rrethinat e kryeqytetit Manila, dhe punonte në ndërtim.
Kur nisi stuhia tropikale, Magallanes në fillim nuk u tremb. Ashtu si shumica e banorëve, ai ishte mësuar me shirat e rrëmbyeshëm që herë pas here përmbytnin qytetin. Por atë ditë, stuhia solli shirat më të rënda në 40 vjet. Pasi një lumë aty pranë doli nga shtrati, Muelmar ndihmoi familjarët e tij të largoheshin nga shtëpia, drejt një terreni më kodrinor.
U rikthye me vrap në fshat për të bërë të njëjtën gjë për rreth 30 fqinjët e tij. Pasi shpëtoi nga vdekja e sigurtë një nënë me foshnjën e saj, Magallanes i rraskapitur u rrëmbye nga ujërat. Trupi i tij i pajetë u gjet vetëm të nesërmen, me dhjetëra të tjerë. Shumë nga njerëzit që u kishte shpëtuar jetën, morën pjesë në funeralin e tij. Gjesti i tij heroik bëri bujë në mediat botërore.
Revista e mirënjohur “Time” , e klasifikoi atë si një nga 10 heronjtë e vitit 2009. Teksa qëndronte tek arkivoli i Meulmarit, babai i tij, Samuel, tha: “Ai kishte gjithmonë një zemër të mirë. Ndaj nuk u habita pse e sakrifikoi jetën e tij për të tjerët”.
TIRANA TODAY