Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e krijuar nëpërmjet një statusi në Facebook, duke u ndalur te thirrjet për bojkot ndaj koncertit të këngëtarit Yll Limani.
Ai shprehet se nuk e ndjek muzikën e Yll Limanit, por e konsideron të papranueshme gjuhën e urrejtjes, thirrjet për bojkot dhe kërcënimet që kanë pasuar pas suksesit të tij në një koncert të fundit.
Sipas tij, këto sjellje përbëjnë një formë të re dhune në rrjetet sociale dhe tregojnë një degradim të komunikimit publik.
“NUK E NJOH YLL LIMANIN. Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit”, shprehet Rama.
Ai shton se askush nuk duhet të justifikojë apo të pranojë dhunën në rrjetet sociale, pavarësisht qëndrimeve politike apo shoqërore.
Kryeministri e lidh këtë fenomen edhe me atë që e quan klimë presioni ndaj atyre që nuk bashkohen me protestat, duke përmendur thirrje publike dhe sjellje që, sipas tij, synojnë të detyrojnë njerëzit të marrin pjesë ose të pozicionohen.
“Po ngrihet përditë një dallgë dhune verbale, presioni dhe kërcënimesh ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit”, thotë ai.
Rama shprehet se historia ka treguar se forma të tilla sjelljeje mund të kthehen në fenomene më të rrezikshme politike dhe sociale, kur një grup pretendon se përfaqëson të vërtetën absolute dhe përjashton mendimin ndryshe.
“Asnjë lëvizje nuk duhet të imponojë mendimin me presion, por me argument. Kur dialogu zëvendësohet nga sharja dhe frikësimi, demokracia fillon të humbasë frymën e saj”, vijon më tej ai.
Në reagim, Rama thekson se protesta është e drejtë demokratike dhe duhet respektuar, por sipas tij ajo nuk duhet të shoqërohet me etiketime apo presion ndaj qytetarëve që zgjedhin të mos marrin pjesë.
Ai apelon për më shumë qetësi në debatin publik dhe shmangie të gjuhës së urrejtjes, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të ecë përpara përmes dialogut dhe respektit për mendimin ndryshe.















