Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (GJKKO), ka liruar Ardian Doçaj, i cili ishte arrestuar për pengmarrjen e Jan Prengës. Mësohet se me kërkesë të avokatit Tonin Prendi, GJKKO e zëvendësoi masën e Doçajt nga ‘’arrest me burg’’ në ‘’detyrim paraqitje’’.
Ardian Doçaj u vetëdorëzua në polici 19 ditë pas pengmarrjes së Jan Prengës, pasi policia e shpalli në kërkim. Ai ndodhej në Austri dhe u kthye për t’u vetëdorëzuar.
Arsyeja e pengmarrjes së 49-vjeçarit vitin e kaluar në Kamëz, dyshohet se është një sasi prej 260 kg kokainë që nuk është dorëzuar nga i vëllai, i cili sipas autoriteteve shqiptare rezulton i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Prenga mendohet se u dhunua derisa humbi jetën. Asgjësimi i trupit dyshohet se u bë në fshatin Pjezë, shumë pranë kompleksit, ndaj kërkimet përgjatë gjithë vitit janë përqendruar në këtë zonë por pa ndonjë rezultat konkret.
Për vrasjen e Prengës deri tani në pranga kanë rënë 6 persona, Bajram, Leonard dhe Elton Hajri, Olsi Turja, Festim Bixhdili si he Ardian Doçaj. Sipas hetuesve, familja Prenga zhvilloi edhe negociatat me rrëmbyesit dhe një pjesë e kokainës u dorëzua, por ndërkohë Jani Prenga kishte humbur jetën.