BASHKIM ZENELI/ Ditëve të fundit, një debat mes deputetit të Partisë Socialiste, Spartak Braho, dhe kreut të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, ka rihapur temën mbi vërtetësinë dhe vlerën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Një nga akuzat që i bën Braho, Tufës, ishte pikërisht se ky i fundit po hidhte baltë mbi Luftën Antifashiste dhe se ishte kthyer në një “seksion të Ballit Ndërkombëtar”. Këto dhe të tjera e detyruan Tufën të hapte një proces gjyqësor për shpifje kundrejt Brahos. Ky debat përfshiu edhe të tjerë, duke e zgjeruar atë nga ai me karakter personale në më të përgjithshëm. Po ashtu, diplomati Bashkim Zeneli përfshihet në këtë debat, duke sjellë disa kujtime të tij rreth takimeve me Heroin Kombëtar të Greqisë, Manolis Glezos.
Zeneli e ka takuar personalitetin grek në dy kohë, përpara rënies së komunizmit, kur ai kishte ardhur në Tiranë pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe vite më vonë, kur shërbente si diplomat në shtetin fqinj. Në të dyja rastet, Grezos do të vlerësonte në veçanti Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri.
Ai ruante vetë kujtime nga ajo kohë, ndërsa miq të tij kishin luftuar së bashku me partizanë shqiptarë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Zeneli e Glezios folën edhe për përkthimin e letërsive të të dy vendeve, ai ishte mik i poetit Janis Ricos dhe njihte veprën e Ismail Kadaresë. Në këndvështrimin e tij, Shqipëria e Greqia janë dy vende miq dhe duhej bërë e pamundura për të tejkaluar mosmarrëveshjet e së shkuarës. Këto kujtime, Zeneli i ka botuar në librin “Miqësi e trazuar”, botim i UET Pres.
BISEDA ME HEROIN KOMBËTAR MANOLIS GLEZOS
Manolis Glezos është Heroi Kombëtar i Greqisë. Ai është një nga figurat emblematike të luftës së popullit grek kundër nazifashizmit. Por edhe më pas, një luftëtar trim dhe rebel kundër juntës ushtarake, që e drejtoi vendin për 7-8 vjet. Në Greqi gëzon një respekt dhe simpati të jashtëzakonshme, nga të vjetër dhe të rinj. Por edhe në Europë ka një emër të njohur. Është heroi i famshëm i Akropolit, kur më 30 maj 1941, në moshën 19-vjeçare, me guxim të pashoq, u ngjit në kolonat më të larta të Akropolit antik dhe hijerëndë, simbol i historisë së lashtë dhe e kulturës së antikitetit, hoqi flamurin gjerman të pushtimit fashist dhe vendosi flamurin kombëtar grek.
Një akt i pashembullt trimërie dhe atdhedashurie. Dhe do ta mësonte këtë, menjëherë mbarë Athina, tek shihte në Akropolin e lartë të valëvitej flamuri grek! Manolis Glezos ka një jetë të pasur dhe shumë aktive në shërbim të atdheut të tij për liri, demokraci dhe paqe. Që në vitet e universitetit, kur studionte në degën e Ekonomisë në Athinë, në vitin 1939, do të rreshtohej aktivisht në luftën kundër fashizmit. Ai luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e vendit. Ka qenë i dënuar tri herë me vdekje për veprimtarinë e tij aktive politike, është burgosur disa herë dhe ka mundur të shpëtojë për të kaluar një pjesë të jetës së tij në ekzil.
Ka qenë i zgjedhur në disa legjislatura deputet i Parlamentit grek dhe, po kështu, disa mandate është zgjedhur edhe kryetar i Bashkisë së Paros, ku ka gëzuar një popullaritet të madh. (Në Paros, sa herë që kam shkuar në restorante të ndryshme do të ndeshje fotografët e tij së bashku me miq që e rrethonin). Në vitin 2012 u zgjodh deputet i Partisë Syriza dhe më pas u zgjodh në Parlamentin Europian. Në Greqi, gjatë viteve të punës sime, do të mësoja shumë për veprimtarinë e tij të njohur politike, por edhe publicistike, si një gazetar antikonformist e kritik pa kompromis, si ndaj qeverisë së PASOK-ut, ashtu edhe ndaj asaj të Demokracisë së Re. Sot, kur ka mbushur të 96-at (9 shtator 1922, në Naxos), mbetet vërtet një figurë krenare, autoritare, e zgjuar, aktive, një atdhetar i flaktë, por edhe një europianist parimor. Manolis Glezos e kam njohur para 33 vitesh.
E kam takuar në Tiranë, në vitin 1985. Ai kishte ardhur disa ditë pas vdekjes së udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, për t’i paraqitur ngushëllimet pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Në atë kohëm unë drejtoja redaksinë e informacionit në televizion. Gazetari i njohur dhe miku im i paharruar, Alfons Gurashi, së bashku me operatorin ndër më të mirët, Gazmir Shtino, shkuan në Presidencë dhe përveç kronikës, i morën edhe një intervistë Manolis Glezosit, që u transmetua në edicionet e lajmeve.
Por nga “lart”, siç përdornim gjithmonë termin për porositë që jepeshin, m’u tha që me Manolis Glezos të bëhej edhe një bashkëbisedim, një intervistë e zgjeruar, kryesisht mbi marrëdhëniet midis dy vendeve e dy popujve, mbi historinë e përbashkët në luftën kundër fashizmit, mbi nevojën e njohjes së letërsisë dhe arteve e kulturës së njëri-tjetrit etj.. Dhe sigurisht, nuk mund të flitej aspak atëherë për kufij të hapur, për shkëmbime e vizita të qytetarëve. Kishte pak kohë që ishte hapur pika kufitare e Kakavijës, por… ishte përherë e zbrazët. U hap tamam atëherë kur, në janarin e 1985, do të mbulonte veriun e vendit një dëborë e madhe… Menduam me Alfonsin dhe Gazmirin që të ndaleshim edhe te figura të njohura arvanitase, sidomos ato me kontribute të shquara në revolucionin grek për pavarësinë e vendit, te zakonet dhe traditat e përbashkëta për nevojën e përkthimeve të letërsisë së njëri-tjetrit (ne kishim shumë më tepër përkthime).
Pra, nuk do të mund të flisnim me gjuhën e sotme në prillin apo fillimmajin e 1985-s. Ishim në kohën e luftës së ftohtë dhe Gorbaçovi kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur në krye të PK të Bashkimit Sovjetik. Por, askush nuk dinte se si do të shkonin ngjarjet. Muri i Berlinit ishte ende në këmbë. Qeveritë greke, ndonëse nuk etiketoheshin më si “monarko-fashiste”, përsëri ishin “armike” për ne e për shoqërinë socialiste. Enver Hoxha atë vit, para se të vdiste, kishte lënë një libër me një titull tërheqës e domethënës: Dy popuj miq! Ai do të përkthehej edhe në greqisht. Siç thashë, me Alfonsin dhe Gazmirin ramë dakord që ta pyesnim lirshëm, të bashkëbisedonim, qoftë edhe për të pasur në arkiv intervistën… Ndonëse të izoluar në kulm, Manolis Glezos njihej mirë në Shqipëri, thjesht dhe vetëm për atë akt të madh të ngritjes së flamurit grek mbi Akropol. Dhe respektohej e konsiderohej gati si një mit për aktin sublim që kishte bërë në “sytë” e pushtuesve nazistë.
Por edhe në Europë, kur do të flitej për luftën e popullit grek kundër fashizmit, nuk mund t’i shpëtonte askujt ngritja e flamurit kombëtar grek mbi Akropol… (Edhe sot, në shumë libra, jo vetëm historikë, por edhe libra në ndihmë të turistëve, guida etj. në Greqi, kur flitet për historinë e luftës, Manolis Glezos do të ketë vendin e tij.
E kam ndeshur edhe në libra apo enciklopedi gjermane, të cilave edhe u jam referuar në mjaft raste në këto kujtime). Në një nga vilat qeveritare të kohës shkova bashkë me Alfonsin dhe Gazmirin. U përshëndetëm me respekt dhe ai vetë na priti shumë miqësisht. Aty gjetëm edhe një punonjës të MPJ. Filluam të bashkëbisedojmë lirshëm për historinë e tij të ngritjes së flamurit në Akropol, për luftën kundër nazifashizmit, për të përbashkëtat e popujve tanë në kulturë, art, muzikë, letërsi, zakone, tradita, këngë e veshje popullore. E pyetëm se çfarë dinin grekët e thjeshtë për Shqipërinë, a njiheshin shkrimtarët tanë të mëdhenj në Greqi, a kishte përkthime të letërsisë sonë, si e shikonin grekët popullin shqiptar etj., etj.. Gazmiri, që kishte fiksuar kamerën në stativin e vet, filmonte pa pushim, edhe kur biseda ndërpritej për një moment.
Gazmiri kishte edhe një arkiv të tijin me pasuri të rralla dokumentare dhe historike, edhe bruto, me pjesët që nuk transmetoheshin… (Kur Gazmiri erdhi në shtëpinë time, 6-7 vite më parë, me të shoqen Arianën, sapo kishin ardhur nga SHBA, ku jetonin e jetojnë edhe sot, do të hapej edhe tema e Manolis Glezos, meqë unë “vija” nga Greqia… U tregova se e kisha takuar disa herë në Greqi. “E kam të gjithë intervistën”, më tha Gazmiri, “ta dija, do ta kisha sjellë me vete… I mbaj të gjitha, e nuk e di vërtet pse i mbaj. Kam edhe Papoulias, edhe Mitsotakis, edhe Samaras etj., etj. I kam hedhur në CD, është bruto, kush i mbante në të gjitha ato kaseta VHS”…) Manolis Glezos foli lirshëm.
Foli me respekt për popullin shqiptar. Veçanërisht, vlerësoi Luftën Antifashiste të popullit tonë. Do të tregonte se në ambasadën tonë në Athinë, ku shkonte shpesh, kishte marrë edhe 2-3 libra të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, të përkthyera në frëngjisht dhe gjermanisht. Kujtoj se do të na fliste shumë për “Dimrin e Madh” të Kadaresë. Por kishte lexuar edhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”. (Pas viteve ’90 dhe, sidomos pas vitit 2000, Ismail Kadare do të ishte shkrimtari shqiptar që do t’i përktheheshin shumë vepra. Ato do t’i gjeje në çdo librari të Athinës).
Në bashkëbisedim me të, do të habitej kur i folëm për shumë romane e poezi, por edhe komedi e tragjedi greke të përkthyera nga mjeshtrit tanë të mëdhenj. Deri në atë kohë, në vitin 1985, kur po bisedonim në vilën e pritjes me Manolis Glezos, i treguam se në Shqipëri ishin të përkthyer dhe botuar shumë autorë grekë, që i mësonim edhe në gjimnaz, që nga Aristoteli, Eskili, Euripidi, Plutarku, Kazanzakis, Menelaos Ludemis, Kostas Vermalis, Ricos etj., që na kujtoheshin në atë bisedë. Sigurisht, pa folur për përkthimet e njohura të “Iliadës” dhe “Odiseas” të Homerit.
Glezos, do të kujtoj shumë mirë edhe sot, se mbeti i befasuar. Por dhe ndjeu një kënaqësi që letërsia e vendit të tij kishte kaq njohje e vlerësim në Shqipëri. Dhe në esencë, aq sa edhe kujtoj tani, tha: “Unë nuk i dija këto. Kjo është një gjë e mrekullueshme! Në Greqi nuk e dinë që ka kaq përkthime të letërsisë greke në Shqipëri. Grekët duhet ta dinë këtë fakt dhe duhet t’u jenë mirënjohës shqiptarëve. Ne jemi popuj miq; kemi aq shumë gjëra të përbashkëta. Unë do të shkruaj për këtë sapo të kthehem në Athinë. Ambasadori Nushi është një diplomat shumë i mirë, por edhe një njeri shumë miqësor dhe me humor.
Ai e do popullin grek, e respekton atë…”. Manolis Glezos do të entuziazmohej veçanërisht kur folëm për përkthimet e poetit të madh Janis Ricos: “Është ndër miqtë e mi më të mirë, është një luftëtar i pushkës dhe penës. Do ta takoj sapo të kthehem. Më vjen shumë mirë që dëgjoj se miku im Ricos është përkthyer në Shqipëri. Ne grekët e duam shumë këtë poet. Ai është poeti ynë më i madh i këtij shekulli. Ricos është një njeri me ideale të pastra, një luftëtar i vërtetë.
Ai ka pasur një jetë shumë të vështirë, edhe i sëmurë, por edhe i burgosur dhe i internuar disa herë… ka pasur edhe një jetë të vështirë familjare”. Nga Manolis Glezos, në këtë bisedë aq miqësore, do të dëgjonim për herë të parë një vlerësim të madh që poeti shumë i njohur grek, Kostas Palamas, i kishte bërë Ricos-it. Në një takim të madh me shkrimtarë dhe artistë, Palamas kishte thënë: “Ngrihuni të gjithë në këmbë e përkuluni; po kalon poeti!”. (Kur shkova në Greqi, pashë se këtë e dinte çdo grek, i madh dhe i vogël, një vlerësim për poetin e madh).
Manolis Glezos tregonte qetë dhe shumë bukur çdo gjë për letërsinë, historinë, marrëdhëniet midis dy popujve. Kishte adhurim për figura të shquara të kulturës greke dhe, ashtu siç na foli me aq dashuri për poetin Janis Ricos, do të fliste edhe për kompozitorin e famshëm grek Mikis Theodorakis. Do të ndaheshim shumë miqësisht me këtë hero legjendar të Greqisë. Intervistën e pamë në fillim së bashku me drejtorin e televizionit, z. Virgjil Kule, një gazetar me kulturë të gjerë, zotërues i disa gjuhëve të huaja, një profesionist i vërtetë, sidomos për çështjet e politikës së jashtme. Por mbi të gjitha, një njeri dhe drejtues i mrekullueshëm që në televizion e vlerësonin të gjithë.
E pamë vërtet me shumë interes. Do të transmetohej pak nga ajo intervistë, pasi u pa edhe nga shefi i shtypit në K. Qendror, Miti Tona, një burrë i qetë dhe i ditur, me humor shumë të hollë. Çfarë mbeti nga ajo intervistë është sot te Gazmir Shtino, që besoj do t’ia marr. … Dhe do të takohesha tani, pas afro 18 vitesh, me Manolis Glezos në Athinë. E takova rastësisht në një veprimtari, ku isha së bashku me atasheun ushtarak të ambasadës, z. Ilir Prifti. Bëmë edhe fotografi. E përshëndeta dhe u prezantova. Midis të tjerash, i fola për takimin që kishim pasur në Tiranë, në vitin 1985. E pashë që mbeti i hutuar e nuk kujtoi gjë. Por kur i fola për intervistën e gjatë për televizionin, u kujtua dhe besoj thjesht si fakt sepse, pas aq vitesh, nuk mund të them se më mbante mend. Folëm jo pak bashkë në atë veprimtari.
Më foli për drekë në hotel “Hilton” pas tri ditësh. Dukej se nuk kishte ndryshuar fare nga Tirana: ai burrë me flokë të gjata, me ballë të lartë, energjik, me sy që i shndrisnin. Dorën e shtrëngonte shumë fort… Mbahej shumë mirë dhe kur ia thashë këtë më dha një përgjigje, që më ka mbetur në mendje: “Mirë jam ambasador. Pleqëria nuk të mbron nga dashuria, por dashuria të mbron nga pleqëria… Jam shumë i vendosur të shijoj moshën”. Në fillim u ulëm në një kolltuk në hollin e hotelit dhe nisëm të kujtojmë atë bisedë të vitit 1985. Më tha se e ruante ende intervistën, që i kishte marrë Alfons Gurashi, pas takimit me R. Alinë. (Ajo u transmetua po atë ditë dhe ne i dërguam në vilën ku banonte një kasetë VHS, rreth 3-4 minuta). “Më vjen shumë mirë që të shoh ambasador të Shqipërisë në vendin tim. Si vijnë kohët! E keni edhe ju atë shprehjen se ‘mali me malin nuk takohet…’ Sa vite kanë kaluar! Më vjen shumë mirë.
Akoma në atë ambasadë… në Kolonaki, Haraehristou, afër Nafiko Nosokomio, jeni? Unë kam shumë vite që nuk kam ardhur më aty. Nuk e di pse, por pas viteve ‘90 nuk më ftonin më, nuk më telefononin. Nuk e di nëse kishte mbetur njeri që të më mbante mend. Ndoshta më paragjykonin si të majtë. Është e vërtetë, se i tillë jam, nuk kam ndryshuar aspak, por jam edhe mik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar. Populli ynë i priti shumë mirë, me bujari, si miq, si vëllezër bashkatdhetarët tuaj.
E mban mend, z. ambasador, edhe atëherë kur u takuam bashkë në Tiranë, në vitin 1985, të kam thënë se ne jemi popuj të vjetër, popuj miq dhe duhet të shkojmë mirë më njëri-tjetrin… Është kështu, apo jo? Sot ne grekët dhe shqiptarët duhet të shkojmë më mirë se me të gjithë fqinjët. E di si thonë arabët? Kush kërkon miq pa gabime, mbetet pa miq! Ne jemi popujt më të vjetër të Ballkanit dhe me histori të pasur. Kur u ktheva nga Tirana, unë kam shkruar në disa gazeta dhe kam thënë se në Shqipëri është përkthyer letërsia jonë, shumë më tepër se kemi përkthyer ne… Më the që vjen nga Gjermania… Është një vend që e dua shumë. Nuk mund të harrojmë se nazistët kanë bërë krime të mëdha këtu në Greqi, por edhe te ju, në të gjithë Europën, sidomos në Bashkimin Sovjetik dhe në Poloni.
Unë kam qenë disa herë në ish-Gjermaninë Lindore, para bashkimit. Gjermanët kanë ecur shumë përpara, janë popull i disiplinuar dhe me vullnet… E njihni Kalovritën, ambasador, keni qenë atje? Është një qytezë në Peloponez. Atje ka një histori të veçantë në luftën kundër nazifashizmit. Kalovritasit janë trima të mëdhenj dhe liridashës të mëdhenj. Nuk mposhten lehtë. Atje nazistët gjermanë, në shenjë hakmarrjeje ndaj vrasjes së ushtarëve të tyre, vranë mbi 1400 vetë, brenda pak orësh, burra, gra, pleq e plaka, fëmijë të pafajshëm. Shko një ditë në Kalovrita, ambasador. Ka shumë monumente përkujtimore. Tani kjo i përket së kaluarës. Por historia është histori e ajo duhet njohur mirë, sidomos nga brezi i ri. Por, duke njohur mirë të kaluarën, duhet të shohim përpara, apo jo?
Ja, edhe ne, në të dy anët e kufirit, kemi folur keq e kemi sharë njëri-tjetrin në shumë e shumë vite… Por sot shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Duhet të shkojmë mirë… Miku im Papoulias ka bërë shumë për forcimin e marrëdhënieve midis popujve dhe vendeve tona. Dhe ekstremistët e kanë sharë shumë, e kanë quajtur të shitur, tradhtar dhe armik të Greqisë. Papoulias do të tregojë në çdo mjedis midis miqsh se ka luftuar së bashku me partizanët shqiptarë kundër nazistëve, në jug të Shqipërisë. Edhe unë kam pasur disa miq grekë partizanë, në kufi me Shqipërinë. Disa kanë vdekur… Ata më kanë folur për një partizan, një gjeneral shqiptar nga Përmeti apo Kolonja, nuk më kujtohet, nuk i kujtoj as emrin… por më vonë edhe ai u pushkatua.
“Gjeneral Petrit Dume”, i thashë kur përmendi edhe Kolonjën, por edhe pushkatimin. “Po, më duket se e ke mirë, gjeneral Dume… Nga miq të mi kam dëgjuar edhe për një tjetër gjeneral… e kujtoj emrin e tij, kishte emrin e profetit, Muhamet. Thoshin se ishte trim”. “Po, – i thashë, – Muhamet Prodani, gjeneral dhe Hero i Popullit”. “Ja pra, – vazhdoi bisedën Manolis Glezos, – kemi luftuar së bashku. Edhe arvanitasit kanë qenë luftëtarë të shquar dhe kanë pasur komandantë legjendarë gjatë luftës sonë për pavarësi. Fola shumë, z. ambasador, pa më thuaj edhe ti tani, si shkojnë punët midis të dy vendeve. Herë dëgjoj mirë e herë për probleme. Por më parë ngrihemi dhe shkojmë në restorant e të pimë nga një gotë verë”. I fola për marrëdhëniet midis dy vendeve e dy popujve tanë, për praninë shumë të madhe të shqiptarëve në Greqi, për problemet dhe vështirësitë e shumta që ata kanë pasur e që gradualisht i kanë kapërcyer e po i kapërcejnë… Por, i thashë se ka shumë vend për të punuar më mirë së bashku në çdo fushë, me një ritëm më të lartë.
“Edhe këtu te ju, por edhe te ne, ka qarqe që nuk e duan forcimin e miqësisë midis dy popujve e dy vendeve, që kanë paragjykime, që shohin vetëm nga e kaluara dhe nuk duan e nuk kanë guxim të ngrihen mbi problematikat e vjetra apo episodet e padëshiruara edhe të sotme. Ne duhet të japim përditë mesazhin se duam e mund t’i sfidojmë ata, duhet të punojmë përditë për t’u çliruar nga çdo ndjenjë e së kaluarës. Nuk duhet të mbesim peng i saj. Sot çdo gjë duhet ta zgjidhim me vullnet të mirë, me dialog, me besim për të ardhmen. Duhet guxim për të luftuar edhe mëritë, urrejtjen, inatet, shfaqjet e ksenofobisë, nacionalizmit fals… Krahas politikës, mendoj se këtë duhet ta bëjë më mirë shtypi e media në përgjithësi.
Ato nuk duhet t’u fryjnë të pavërtetave, nuk duhet të zmadhojnë edhe incidentet, duhet të informojnë, të mos nxisin urrejtje e përplasje. Sot, vazhdova, në Greqi jetojnë e punojnë afro 800 mijë shqiptarë. Ata po integrohen, por pa dyshim nuk janë pa halle e pa probleme. Nuk është i lehtë imigrimi, sidomos në kohët e sotme”. “E di, e di shumë mirë, – do të ndërhynte Manolis Glezos, – e njoh nga afër jetën në emigracion. Por unë do të thosha se emigrantët shqiptarë ia kanë dalë e po ia dalin shumë mirë. Ata janë punëtorë dhe të zgjuar për të mësuar një apo më shumë profesione. Kanë fëmijë të mrekullueshëm që dallohen në shkollat tona.
Ata janë pjesë e shoqërisë sonë. Por unë shoh se nga organet tona, sidomos nga administrata lokale, duhet të punohet shumë më mirë”. Duke e mbështetur për çfarë më tha, i fola se bashkatdhetarët e mi këtu, pa asnjë rezervë, e konsiderojnë Greqinë si atdhe të dytë… Më ndërpreu përsëri e shtoi: “E dini ju, z. ambasador, se fëmijët shqiptarë në shumë e shumë raste janë flamurtarë në shkolla, sepse janë më të mirët në shkolla? Këtë e dinë të gjithë, këtë nuk e kanë fëmijë të kombësive të tjera…” “Jemi racë e zgjuar”, i thashë me të qeshur. “Jo, jo, mos e thuaj me të qeshur”, ndërhyri.
“Vërtet, ashtu jeni. Unë njoh shumë shqiptarë që i kam miq, që janë të njohur si profesionistë të vërtetë në fusha nga më të ndryshmet. Ju keni këtu edhe mjekë të mrekullueshëm që punojnë në spitalet tona më të mira; keni artistë, piktorë, kërcimtarë, instrumentistë. Shtypi ka shkruar vazhdimisht për ta… Unë rri shpesh me miq shqiptarë dhe përherë më kërkojnë të tregoj historinë e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Akropol”. Në një moment, duke njohur atë dashuri të madhe që kishte shfaqur në Tiranë për poetin e dashur Janis Ricos, i thashë: “Zoti Glezos, (më thirr Manolis, më ndërpreu… Atëherë edhe ju më thërrisni Bashkim, iu përgjigja…), e dini se në vitin 1990 kam qenë në Greqi, kur punoja gazetar, për të përgatitur një dokumentar?
Në atë kohë pata kërkuar që të takohesha edhe me ju, por nuk e di se si, nuk arrita t’ju takoja”. “Po më habit, ke qenë në Greqi për dokumentar në vitin 1990, pra, pa ndryshuar regjimi? Dhe ke përgatitur një dokumentar për Greqinë dhe grekët? Po kjo ishte një gjë shumë e mirë për kohën, kur ishim të ndarë me njëri-tjetrin. Më gëzon ky fakt. Po si nuk u takuam?” “Kam vizituar në spital Janis Ricos, kemi biseduar gjatë bashkë. Shkova me një mik timin, diplomat të ambasadës që kishte shumë miqësi me poetin… Nuk do ta harroj asnjëherë atë takim”. “Po më gëzon shumë Bashkimi. Ai u nda nga jeta, në mos gaboj, në fund të ‘90-s. Paske pasur fat që e takove… Ishte një mik i madh imi.
E duam shumë në Greqi”. “Kam intervistuar për atë dokumentarin televiziv edhe Jorgo Leocakos”,- i thashë, por më ndërpreu menjëherë. “Oh, Jorgo është një muzikolog shumë i njohur, është më i shquari që kemi”. “Më thoni, Bashkim, – do të ndërhynte z. Glezos, – më thoni… Unë mund të bisedoj pa asnjë rezervë me Kryeministrin Simitis dhe me ministrin Papandreu për çdo problem që mund të keni. Më telefononi në çdo kohë. Dua që të ecë çdo gjë mirë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit”. E falënderova shumë miqësisht. Do të takohesha disa herë me Manolis Glezos gjatë qëndrimit tim në Athinë. Shqipërinë e donte shumë, por edhe gëzohej shumë kur i flisja dhe i vlerësoja kulturën e popullit grek, historinë, traditat, letërsinë, miqësinë me popullin grek. Kam pasur disa raste kur, duke biseduar me të gjatë një kafeje apo dreke, të shkëputen njerëz të ndryshëm dhe të vinin e ta përshëndesnin gjithë respekt.
Dhe ai do t’u thoshte: “Zotëria është ambasadori i Shqipërisë, është mik imi, është mik i Greqisë”. Manolis Glezos është një grek i skalitur më së miri si i tillë, në pamje, në shpirt, në mendime, në forcë, në humor, në bujari dhe fisnikëri, në nerva, në impulsivitet, në sharje… Një antikonformist i pashembullt. Ka qenë një nder i veçantë për mua që kisha mik Manolis Glezos, këtë hero legjendar të Greqisë!