Që të hysh në politikën amerikane, duhet të kesh qasje në një shumë të madhe parash. Por kjo nuk ishte një problem për ish-presidentin amerikan Riçard Nikson, që financoi pjesërisht fillimet e karrierës së tij politike në Kongresin Amerikan, me paratë e fituara nga loja e pokerit.
Poker, duhej të ishte diçka e pazakontë për Nikson. Një nga faktorët, ishte edukimi i tij i fortë fetar. Siç vë në dukje biografi i tij: ”E ëma ishte një besimtare e devotshme, që ushtroi një ndikim të fortë tek djali i saj”. Kjo do të thoshte jo vetëm mosangazhimin në asnjë lloj lojërash fati apo bixhoz, por t’i shërbente më devotshmëri vendit të tij.
Por, kjo nuk e ndaloi Niksonit t’i bashkohej marinës. Aty lindi edhe interesi i tij për bixhozin.
Në vitin 1944 ai udhëtoi për në Paqësorin e Jugut, ku u vendos në Ishujt Solomon, në një bazë ajrore në Ishullin e Gjelbër. Sipas dëshmive të kohës, disa kolegë besonin se “ai as nuk dinte si luhej me letra”.
Puna e Niksonit, ishte ajo e një mbikëqyrësi të ngarkesave në port, por ai nuk mund të qëndronte i distancuar larg shokëve, që zhyteshin në tavolinat e mbushura me letra bixhozi dhe tym duhani. Duke i parë në distance, si mbanin letra apo mashtronin shokët, Nikson u frymëzua të luante edhe vetë.
Nikson, në atë kohë sapo kishte hyrë në të tridhjetat e tij. Duke ndjekur udhëzimet e shokut të tij të ngushtë Xhejms Stjuart, ai studioi strategjinë e lojës së pokerit, duke u praktikuar në çdo orë që ishte i lirë. Shumë shpejt, u bë një lojtar i frikshëm. Brenda 2 muajve, ai arriti të fitojë mbi 6.000 dollarë, një shumë e konsiderueshme për kohën.
Në vitin 1994, një mik i ish-presidentit kujton: “Nik ishte lojtari më i mirë i pokerit që kishim parë ndonjëherë. Ai bënte një lojë të qetë, por nuk kishte frikë të shfrytëzonte shanset e tij”. Presidenti i ardhshëm nuk luante asnjëherë më shuma të mëdha. Qasja e ngadaltë dhe e qëndrueshme, funksiononte më së miri.
“Nikson me sa duket nuk synonte thjesht të argëtohej. Ai donte të fitonte para”- shkruan biografi i tij. Edhe kur u zgjodh president, ai mburrej me të shkuarën e tij si një bixhozçi i thekur. “Shumë nga gjërat që bëni në poker, janë shumë të dobishme në politikë, dhe janë edhe më të dobishme në politikën e jashtme”- është shprehur në një rast ai.
Faqja e internetit “Club Poker”, e përshkruan foton e Niksonit në një tavolinë ku luhet poker, duke thënë se ai krijoi një të veçantë të “topit të vogël”, që frikësonte shokët e tij. Dhe kur letra që kishte në dorë ishin më pak të favorshme, ai tregonte një oportunizëm të madh, duke shfrytëzuar avantazhin që kishte nga dehja me alkool e bashkëpunëtorëve të tij.
Nga nata në natë, ai e përfundonte lojën me fitime të vogla. Ndonjëherë 30, ndonjëherë 60 dollarë. Nuk kishte asnjëherë një fitore e madhe, por Nikson gati përherë kishte njëfarë fitimi.
Ndërsa mendimet rreth nivelit të tij të aftësisë në lojë ndryshonin, përgjithësisht pranohet se ai mësoi shumë në një hapësirë të shkurtër kohore. Ai pastaj vuri në praktikë përvojat e tij, në përballjen me kundërshtarët në skenën politike.
Kur u rikthye në SHBA në vitin 1946, ai garoi dhe mundi kongresmenin demokrat Xherri Vorhis, duke përdorur në fushatë fitimet në lojën e pokerit. Ai ishte drejt rrugës për në Shtëpinë e Bardhë, ku përgjegjësitë ishin shumë më të mëdha. Nikson shërbeu si president në periudhën 1969-1974.
Për Niksonin, politika e tij e jashtme u pengua nga “prirja thuajse e pangopshme e politikanëve amerikanë për të hedhur çdo gjë në tryezë dhe paaftësia e tyre për të ditur se kur duhet bllofuar, kur duhet thënë pas, dhe mbi çdo gjë tjetër, për të qenë të paparashikueshëm”.
Ai përdori në karrierën e tij kryesisht këtë të fundit, duke shtuar: “Parashikueshmëria, është pasuria ose arma më e madhe që një lider mund të ketë për një vend të madh”.
Riçard Nikson, nuk ishte i vetmi që ishte një bixhozçi i famshëm, qoftë brenda kufijve të Shtëpisë së Bardhë apo diku tjetër. Edhe presidenti Herri S.Truman para tij, kishte luajtur poker që në ditët e tij para të shërbimit si president, teksa luante për orë të tëra me ish-kryeministrin britanik Uinston Çërçill.
Dhe Frenklin Ruzvelt, ishte një kundërshtar i fortë në poker, sidomos gjatë lojërave të rregullta që luante në sesionin e fundit të Kongresit. Kur sesioni shtyhej, Ruzvelt do të njoftohej dhe kushdo që kishte më shumë çipsa do të ishte fituesi. Megjithatë, nuk ishte aspak i drejtpërdrejtë. “Club Poker” shkruan: “Legjenda thotë se Ruzvelt mori një telefonatë që e informonte atë për fundin e seancës, por në kundërshtim me zakonin, ai ia fshehu këtë informacion kundërshtarëve të tij, në mënyrë që të zgjasë mbrëmjen e lojës, pasi ai vetë kishte mbetur me shumë pak çipsa.
Vetëm disa orë më vonë, kur loja u kthye në favorin e tij, ai pretendoi se sapo kishte marrë një telefonatë nga Kongresi, duke siguruar kështu një fitore pa dijeninë e kundërshtarëve të tij. Këta të fundit e zbuluan të nesërmen mashtrimin e tij, por ishte tepër vonë”.
Ashtu si me çdo lloj kumari, adoptimi i taktikave të pokerit për të drejtuar kombin, u dëshmua efektiv në disa raste, por gjithsesi në disa raste kontradiktore. “The Independent” e karakterizon Uotergejtin si një lëvizje spektakolare, që dështoi të jepte frytet e veta.
“Ai rezultoi të ishte një gjykim i gabuar”- shkruan gazeta, duke iu referuar skandalit që i dha fund mandatit të Nixonit “pasi të gjitha letrat”, në formën e bisedave me ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë mbi Uotergejtin – u regjistruan në kasetë. Kur hodhën letrat në tavolinë, u zbulua edhe bllofi. Fytyra-poker e presidentit, ishte e mirë-praktikuar. Por, edhe lojtari më i aftë mund të ndërtojë një “House of Cards”, që në fund do të shembet./ Përgatiti Tirana Today