Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkarkuar ditën e sotme nga Bordi i QKUK-së personin që rekomandoi mbajtjen e seancës për rrëzimin e Qeverisë.
Qeveria në dorëheqje ka shkarkuar nga pozita e anëtarit dhe Kryetarit të Bordit të Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës, Naser Ramadanin, i cili mban edhe funksionin e Shefit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Raportohet se Ramadani ishte personi kryesor që rekomandoi mbajtjen e seancës ku u votua me sukses shkarkimi i Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Qeveria është arsyetuar se vendimi për shkarkimin ka ardhur për arsye se ai nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë dhe se ka dështuar në arritjen e objektivave, shkruan “gazeta express”.
Ndërkohë, Qeveria ka emëruar Bordin e ri të SHSKUK-së.
Kryetar i Bordit është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1-vjeçar, ndërsa anëtarët e tjerë të bordit janë:
1. Dr. Agreta Gecaj – Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës;
2. Dr. Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës;
3. Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike;
4. Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore;
5. Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor;
6. Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë;
7. Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.
Statuti i Shërbimit Klinik Spitalor kërkon që në Bordin e SHKSUK-së të jetë edhe një anëtar i Ministrisë së Shëndetësisë. Qeveria ka dërguar në këtë bord ish-kandidatin për deputet të VV-së, Mirsad Shkreta.