Nga: Fitim Zekthi
Në qoftë se do t’i jepej dikujt në dorë raporti i ODIHR-it për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, por do të hiqej nga ai raport kudo fjala “Shqipëri” dhe do t’i kërkohej të shprehej se çfarë forme qeverisjeje ka ai vend, me siguri që ai do të thoshte se kemi të bëjmë me një regjim, në të cilin zgjedhjet janë në funksion vetëm të riprodhimit të pushtetit të këtij regjimi.
Në qoftë se këtij njeriu do t’i tregohej më pas se në këtë vend qeveria ka tetë vjet në pushtet, se një ish-ministër i Brendshëm i kësaj qeverie, i lëvduar egërsisht nga vetë ajo për katër vite si më i suksesshmi i gjithë qeverisë, akuzohet zyrtarisht për trafik droge; nëse do t’i thuhej se në shtypin ndërkombëtar kanë dalë përgjime ku blihen nga njerëz të trafikut të drogës dhe krimit vota për qeverinë; nëse do t’i bëhej me dije se borxhi publik është rritur me mbi tetë miliardë euro dhe rreth 2,1 miliardë janë koncesione për katër-pesë biznese; nëse do t’i thuhej se vendi u mboll me hashash haptazi i tëri, të paktën një vit; nëse do t’i thuhej se në këto tetë vite u shfaq për herë të parë trafik droge me avionë dhe se për herë të parë vjen kokainë nga Kolumbia me vlera miliona eurosh; nëse do t’i bëhej me dije se kjo qeveri ka arrestuar 32 mijë njerëz për mospagim dritash apo ndërtim çatish; nëse do t’i tregohej se vendi ngeli pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë për katër vite etj., atëherë ky njeri me siguri që do të ishte e vështirë t’i mendonte se forma e qeverisjes do të ishte një autokraci nga më perverset, ku çdo gjë ishte përmbys dhe ku më përmbys se gjithçka do të ishte kuptimi mbi të vërtetën për shkak se gjithë ky pushtet do të bëjë që mjerimi të shfaqet si mirëqenie, vuajtja si kënaqësi, dështimi si arritje, bashkëpunimi me krimin si luftë ndaj krimit, manipulimi i zgjedhjeve si zgjedhje të lira, vjedhja dhe korrupsioni si punë të mëdha publike etj.
Në fakt, raporti i ODIHR-it po lexohet nga shumë njerëz nën këtë optikë, madje një drejtues i PS-së tha se ky ishte raporti më i mirë në këto 30 vjet. Çfarë thotë raporti konkretisht që dëshmohet faktin që zgjedhjet e 25 prillit ishin të manipuluara nga një nga një formë perverse autokracie?
Raporti thotë se a)”… praktikat e përhapura të votëblerjes … mbetën një problem …”; b) “rrjedhja e të dhënave vetjake të ndjeshme e rreth 900 mijë qytetarëve shqiptarë përpara zgjedhjeve, përfshirë parapëlqimet e tyre politike, ka qenë një shqetësim serioz dhe i bëri votuesit të cenueshëm kundrejt trysnive”; “ndryshimet e mëtejshme kushtetuese dhe përmirësimet zgjedhore të tetorit 202 nuk u paraprinë nga këshillimi me të interesuarit” ; “Ofrimi i nënkuptuar i shërbimeve ndaj interesave dhe trysnia mbi nëpunësit civilë përbënin shqetësime”.
Sigurisht që raporti i ODIHR nuk do të japë detaje nga aritmetika e kutive të votimit, nga lidhja konkrete e funksionarëve të qeverisë me fushatën apo me blerjen e votave, nuk do të paraqesë hollësisht kurrë efektin e pushtetit mbi rezultatin, efektin e pagimit të parasë publike (për tërmetin) te votuesi, nuk do të tregojë kurrë rezultatin e përdorimit të patronazhistëve në blerjen votave dhe në kërcënimin e njerëzve, nuk do të tregojë kurrë sa para u përdor [për të blerë një votë dhe sa vota apo mandate u blenë. Raporti thjesht thotë se pati blerje, pati përdorim të pushtetit, pati përdorim të kërcënimit me anë të patronazhistëve dhe të daljes së të hënave të njerëzve etj. Ndërkohë, ne vetë, njerëzit që janë këtu e dinë dhe e panë se Partia Socialdemokrate, për shembull, mori tri mandate, dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Këto mandate duket se janë të blera sepse kjo parti nuk ka marrë asnjë të dhjetën e votave të Tiranës në Korçë apo Durrës, në Fier apo Vlorë. Kjo nuk është ndërkohë një parti me vokacion lokal. Sigurisht, as kombëtar. Partia nuk ka as ligjërim publik, as program, as njerëz të pëlqyeshëm nga populli. Pse u votua atëherë?
Veç kësaj, kjo parti ka marrë në mënyrë kirurgjikale 35-40 vota në çdo qendër votimi në Shkodër. Në çdo lagje, nga Ajasëmi te Zdralja apo Gjuhadoli, vihet re i njëjti rezultat. Ky rezultat vihet re edhe në zonën e Nënshkodrës apo në Malësitë e Kelmendit, Shkrelit, fshatrat e Koplikut etj. Pse ky uniformitet i thellë PSD-së, ndërkohë që PD, PS dhe LSI kanë luhatje të mëdha nga një qendër në tjetrën?
Edhe në Tiranë ka pellgje të mëdha ku kjo parti ka marrë në mënyrë kirurgjikale kuti pas kutie votimi 10-15% të votave, ndërkohë që ka pellgje ku ajo nuk merr fare vota. Për shembull, Zall Bastari apo Alliasi dhe zona e Shkozës kanë një prani të PSDsë shumë të lartë, ndërsa Njësia 8, Njësia 4, Njësia 7, Njësia 6 etj., nuk kanë fare.
Të gjithë e dinë për shembull se kandidati i renditur i 30-ti në listën e PS-së merr në mënyrë kirurgjikale vota në mënyrë të njëtrajtshme kuti pas kutie në Kavajë, Rrogozhinë, Vorë, Allias dhe zona të tjera në Tiranë. Një djalë i panjohur 27-vjeçar mundi gati të gjithë figurat e PS-së, nga Majko te Kodheli. Ai nxori nga Parlamenti kryetarin e PS-së Tiranë, Ervin Bushati.
Po ashtu, kushdo e pa se gjithë kandidatët e akuzuar për lidhje me trafikun kanë pasur rezultat shumë të lartë. Në Durrës, deputetët Cyrbja, Ndaxhi, Rraja, janë ndër kandidatët më të votuar në rang kombëtar. Edhe ata marrin vota në mënyrë kirurgjikale, në mënyrë të njëtrajtshme kuti votimi pas kutie votimi, ndërkohë që kandidatë të tjerë shumë politikë, përfshirë ministrat, marrin në pjesën dërrmuese shumë më pak vota se ata.
Në matematikë gjendet një ligj që njihet si ligji Benford ose ligji i numrave jonormalë. Ai mban emrin e matematikanit Frank Benford dhe përshkruan ose tregon frekuencën e shifrës së parë të të dhënave numerike të bashkësive apo ndodhive të ndryshme nga jeta e përditshme. Sipas këtij ligji, mundësia që shifra e parë e një numri apo e një vargu numrash që pasqyron një bashkësi ndodhish apo një fenomeni të jetë 1 është 30%, mundësia që kjo shifër e parë të jetë 2 është 17%, mundësia që kjo shifër të jetë 3 është 13% e kështu me radhë deri mundësia prej 5% që ajo të jetë 9. Ky ligj përdoret shumë, sidomos në SHBA, për të gjetur evazionin fiskal ose anomalitë në pagimin e taksave, në pastrimin e parave në banka. Nëse frekuenca e shifrave të para nuk është sipas ligjit të Benfordit, atëherë diçka e keqe ka ndodhur.
Po të shohim rezultatin e PS-së sipas çdo zone zgjedhore apo sipas çdo KZAZ-je, do vërejmë një çmenduri. Vetëm ligj të Benfordit nuk ka aty. Shifrat e para shfaqen në mënyrë krejt të kundërt. Më shumë ka shifra 2 dhe 3 se sa 1. Kur të zbardhë KQZ të dhënat për çdo qendër votimi, atëherë kjo do të duket më e qartë. Partia Socialiste në Tiranë, Elbasan, Durrës, ka zhdukur çdo koncept të ligjit Benford dhe ka ndërhyrë fuqishëm në rezultat me faktorë jopolitikë. Edhe në Shkodër, Lezhë, Dibër, ka pasur ndërhyrje të forta nga PS-ja. Edhe këtu ligji Benford është shkatërruar nga blerja e votës.
Po të hedhim një sy të shpejtë, do shohim se në Durrës PS-ja është rritur me rreth 3 mijë vota krahasuar me vitin 2017, në Berat ka rënë me rreth 2 mijë 700 vota, në Tiranë është rritur me rreth 26 mijë vota, në Elbasan është rritur me 14 mijë vota, në Korçë ka rënë me 2 mijë vota, në Kukës ka rënë me 3 mijë vota, në Shkodër ka rënë me 9 mijë vota, në Lezhë ka rënë me 3 mijë vota, në Vlorë ka rënë me 6 mijë vota etj.
Pse PS-ja është rritur në Durrës me 3 mijë vota, aty ku ndodhi tërmeti, në Durrës që është një qark ku e djathta është gjithnjë mirë? Pse PS-ja ka rënë në Korçë me 2 mijë vota p.sh. apo pse ka rënë në Vlorë me 6 mijë vota, ku PS-ja gjithmonë shkëlqen? Sepse në Durrës kandidonin njerëz që u përmenden më lart, u ndanë para nga tërmeti, ishin në fushatë njerëz të botës së krimit. Si shpjegohet rritja në Durrës ku ka pllakosur mjerimi nga tërmeti dhe rritje me 3 mijë vota në Kukës ku Rama ndërtoi aeroport?!
Por shifra më domethënëse është Elbasani. Në Elbasan PS-ja është rritur me rreth 14 mijë vota nga 72 mijë në 86 mijë vota. Elbasani jeton në mjerim dhe papunësi, nuk ka asnjë investim të huaj, asnjë gjallim të jetës ekonomike apo sociale. Në Elbasan kjo rritje vjen nga fuqia e pazakontë e krimit. Pse në Fier, në qarkun më të fuqishëm të PS-së, ku u ndërtua edhe një spital i madh dhe modern, PS-ja humbi në mënyrë dramatike 13 mijë vota? Në Fier, PSja nuk ka pasur kandidatë dhe mbështetje nga grupe si në Elbasan apo në Durrës. Është kaq e thjeshtë.
E gjitha kjo ndodh sepse Shqipëria është një autoritarizëm elektoral, një vend në të cilin, siç thotë Andreas Schedler i universitetit të Vjenës, zgjedhjet shërbejnë vetëm për të riprodhuar dhe legjitimuar pushtetin dhe jo si instrument demokracie.
Raporti i ODIHR nuk mund të bëjë analiza mbi formën e regjimit apo mbi qeverisjen, por kushdo e kupton se ai raport flet për zgjedhje të mbajtura nga një formë qeverisjeje që është domosdo një autokraci perverse, ku pushteti kontrollohet nga një mekanizëm djallëzor, i cili zgjedhjet i sheh vetëm si mjet të riprodhimit të pushtetit.
Ky mekanizëm i ka manipuluar zgjedhjet qartësisht dhe në masë dërrmuese. Përpjekja e qeverisë për të mos pranuar asgjë nga kjo, ose përpjekja e shumëkujt në jetën publike për të thënë se manipulimi ka qenë i vogël dhe pa ndikim dhe përpjekja për të gjetur arritje te Rama dhe dobësi te Basha në funksion të mbrojtjes së fitores së PS-së, është vetëm normalizim i së pamendueshmes, përvetim i së vërtetës dhe legjitim i së keqes. Këtë koncept e përdorin sociologët dhe antropologët për të treguar atë që bëjnë regjimet kriminale e sidomos ato totalitare për të “normalizuar”, për të shndërruar në normale atë që ndodh në kampet e përqendrimit apo në dhjetëra akte të tjera krimesh. Në ato regjime, edhe e keqja më e madhe normalizohej nëpërmjet një procesi të gjatë burokratik, por edhe nëpërmjet propagandës së pandalur. Në një farë mënyre, lajmi më i madh nga raporti nuk është manipulimi i zgjedhjeve, por forma perverse e qeverisjes, në të cilën kemi rënë e që nuk lejon as identifikimin e manipulimit si të tillë.