Një aeroplan i vogël është rrëzuar në një lagje të San Diegos, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Autoritetet kanë konfirmuar se përplasja ka qenë një “goditje e drejtpërdrejtë ndaj disa shtëpive”, duke përfshirë në flake të paktën 15 banesa dhe automjete në zonë.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një fushë të madhe rrënojash dhe tym të dendur, ndërsa ekipet e zjarrfikësve punojnë për të vënë flakët nën kontroll. Banorët e disa blloqeve janë evakuuar për arsye sigurie, ndërsa për momentin nuk ka informacion të saktë mbi numrin e të lënduarve apo viktimave të mundshme.
Autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa ende nuk dihet se sa persona ndodheshin në bord në momentin e përplasjes.